Xhelal Sveçla tregon arsyen e uljes në një tavolinë me Gjuriqin
Xhelal Sveçla nga Lëvizja Vetëvendosje, ka sqaruar gjithçka pas fotografisë ku ai shihet me shefin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Sveçla përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka thënë se po merr pjesë në një konferencë për Bashkëpunim Rajonal, organizuar nga CIG dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë.
Postimi i plotë i tij:
Të dashur miq, po e shkruaj këtë sqarim jo për ju, por për ata që dëshirojnë keqkuptimin.
Une sot jam pjesëmarrës në një konferencë për Bashkepunim Rajonal, organizuar nga CIG dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë. Në këtë konferencë marrin pjesë përfaqësues të shumë subjekteve politike parlamentare nga rajoni ynë. Sot ka qenë ceremonia e hapjes, dhe vendet dhe tavolinat se ku jane ulur pjesëmarrësit, i kanë caktuar organizatorët e jo pjesëmarrësit.
E kuptoj se ka kundërshtarë tanë që jo vetëm se e kanë bërë por edhe e kanë shpërndarë këtë foto me qëllim të keq.
Dua të sqaroj se Lëvizja Vetëvendosje nuk funksionon duke braktisur tryezat. Qëndrimi ynë është të marrim pjesë në çdo diskutim, të argumentojmë qëndrimet tona dhe të pamundësojmë marrëveshjet në dëm të Kosoves, ndryshe nga paraardhësit tanë.