Xhelili: S’është veç Haradinaj meritor për Ushtrinë
Fatmir Xhelili, ish-deputet i PDK-së, ka thënë se kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, nuk është i vetmi person që është meritor për krijimin e Ushtrisë së Kosovës.
Duke folur për miratimin e ligjeve që mundësonte transformimin e FSK-së në Ushtri, Xhelili ka thënë se ky ka qenë proces i gjatë e racional.
Sipas tij, procesi i tillë ia mundësoi FSK-së të ruajë partneritetin strategjik me partnerët. “PDK-ja si udhëheqëse e qeverisë në dy mandatet e para ka qenë e lidhur ngushtë me modernizimin dhe zhvillimin e Forcës së Sigurisë. Tash po arrihen standardet e NATO-s. Kemi aprovuar ligjet bazike për të qenë ushtri e jona, por kompetencat e plota për kontrollimin e territorit dhe integritetit tokësor të Kosovës i ka NATO-ja. PDK ka mision që FSK-ja të zhvillohet. Nëse flasim për ndikime individuale është edhe ndikimi i Kadri Veselit (kryetarit të PDK-së), që me një rrugëtim drejt SHBA-së ka qenë shumë orientues për të marrë konfirmim të partnerit strategjik”, ka thënë ai në “Rubikon” të “KTV”-së.