Xhemaili: Haradinaj dëshmoi pastërtinë e UÇK-së, ministrja e Jashtme deponoi materiale kundër UÇK-së
Zëdhënësi i AAK-së, njëherit kandidat për deputet, Kushtrim Xhemaili, ka publikuar një qëndrim në rrjetet sociale, ku ka adresuar kritika të ashpra ndaj qeverisë aktuale. Xhemaili ka vënë në pah kontrastin mes ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe figurave aktuale në pushtet.
“Ish-Kryeministri Haradinaj dy herë ka dhënë dorëheqje nga qeveria për të shkuar në Hagë dhe për të dëshmuar pastërtinë e luftës së UÇK-së. Ai doli faqebardhë, duke mbrojtur vlerat tona kombëtare. Në anën tjetër, ministrja juaj e tanishme ka deponuar materiale kundër UÇK-së në të njëjtën gjykatë,” ka deklaruar Xhemaili.
Ai ka akuzuar qeverinë se po vepron në harmoni me Aleksandar Vuçiqin, presidentin e Serbisë, duke krijuar favore të ndërsjella. Xhemaili sugjeron se mbështetja për Vuçiqin po bëhet për t’i ndihmuar atij të portretizohet si viktimë në sytë e opinionit publik.
“Ju po e dëshmoni hapur mbështetjen për Vuçiqin, që ai t’u thotë protestuesve se janë të nxitur nga Prishtina. Favor për favor. Pritni kur të del Vuçiqi në publik si viktimë. Por, siç po duket, po doni të bini bashkë me Vuçiqin. Gjatë e keni mbajtë njëri-tjetrin në pushtet,” shkroi Xhemaili në postimin e tij.
Në fund, Xhemaili u drejtua drejtpërdrejt kryeministrit aktual, duke theksuar se qytetarët tashmë e kanë kuptuar lojën politike dhe të vërtetën prapa veprimeve të qeverisë. “Ta kemi hequr maskën dhe qeben, kryeministër,” përfundoi ai.
https://www.facebook.com/share/15wvKmyXa8/?mibextid=wwXIfr