Xhemaili: Mihajloviqi është si baba për ne
Kapiteni shqiptar i klubit italian Bolognas, Blerim Xhemaili, ka thënë për mediat italiane se trajneri i tij serb, Sinisa Mihajloviq, është si baba për të dhe bashkëlojtarët e tij dhe se ata ia kanë bërë atij një premtim pasi u diagnostikua me sëmundjen e leukemisë.
Mihajloviq konfirmoi dje në një konferencë për media se ka leukemi dhe se do ta nisë shërimin e kësaj sëmundjeje të rëndë të martën dhe se do të vazhdojë të punojë, shpesh nga larg dhe përmes stafit të tij.
Mesfushori shqiptar, i lindur në Tetovë, thotë se trajneri serb do ta fitojë betejën me sëmundjen, sepse, siç thotë, ndien se Bologna është familja e tij. “Trajneri do ta fitojë betejën edhe për ne, po ashtu, sepse ne ndiejmë se jemi familja e tij”, ka thënë Xhemaili për Sky Sport Italia.
“Çfarë na ka dhënë ai për këta gjashtë muaj zor që na e ka dhënë ndonjëherë ndonjë trajner, veçanërisht në një periudhë kaq të shkurtër. Ne e dimë çfarë personi është ai, ai është i fortë. Mezi presim të kthehet”, ka shtuar ai.
Mihajloviq u emërua trajner i Bologna në janar, në një kohë kur klubi ishte në rrezik serioz për të rënë nga Serie A, por ai i përmbysi gjërat dhe i ndihmoi klubit të përfundojë në vendin e 10-të, duke befasuar.
“Ne ia kemi bërë trajnerit një pretim të cilin dua ta mbaj si kapiten. Natyrisht, askush nuk ka pritur që kjo do të ndodhte. Ne jemi shumë pranë tij. Mihajloviq është si baba për ne, prandaj do të luftojmë për të njëlloj siç ai lufton për ne”, theksoi Xhemaili.