Xhemajlaj: Boshti ynë politik në krye me Limajn, alternativa më shpresëdhënëse
Anëtari i kryesisë së Nismës, njëherit zv.ministri në detyrë i MPB-së, Isa Xhemajlaj, në emisionin Interaktiv të KTV-së, duke folur për përgatitjet e Nismës për zgjedhjet e 6 tetorit, ka thënë se “ne si Nismë nuk fyhemi me partitë tjera por bashkëpunojmë me qytetarët, jemi korrekt me njerëzit por edhe me partnerët me të cilët kemi bashkëpunuar dhe ketë e kemi dëshmuar çdo herë”.
“Nisma është rritë për shkak të sinqeritetit me njerëz dhe prezencës në teren, duke ju dhënë hapësirë gjithë të rinjve për të kontribuar nëpër degët tona kudo që i kemi. Nisma ka treguar që është një partner besnik për të rrugëtuar në politikë. Në këto zgjedhje me AKR dhe PD futemi si bosht politik i fuqishëm, që është mirëpritur mjaft mirë nga strukturat tona dhe qytetarët e vendit”, u shpreh Xhemajlaj.
“Prioritet i Nismës dhe i kandidatit për kryeministër Fatmir Limaj është përmirësimi i jetës së qytetarëve. Limaj e ka mbjellë frymën e unitetit për tema të rëndësishme, madje është i vetmi kandidat për kryeministër që i gëzon këto veti dhe parime prej lideri”, është shprehur Xhemajlaj.
“Boshti politik NISMA-AKR në krye me kandidatin për kryeministër Fatmir Limaj është alternativa më shpresëdhënëse për Kosovën”, theksoi zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Isa Xhemajlaj.
Lidhur me largimin e disa anëtarëve që Nisma i bëri ministra pa ndonjë fuqi elektorate, Xhemajlaj ka thënë se asnjë presion politik asnjë ministër i Nismës nuk e ka pasur, përkundrazi e kanë pasur gjithë mbështetjen e partisë. “Madje pavarësisht që në garat zgjedhore nuk kanë gjetur mbështetje qytetare, ne si Nismë prapë i kemi mbështetur, sepse kemi dashur që të mbështesim të rinjtë, për të treguar që Nisma u jep hapësirë gjeneratave të reja”, ka thënë ai.