Xhemajli, pas vizitës në Hagë: Luftëtarët mbesin luftëtarë gjithë jetën
Zyrtarët e lartë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bajrush Xhemajli dhe Naim Ismajli, kanë vizituar drejtuesit e UÇK-së në Hagë.
“Luftëtarët mbesin luftëtar gjithë jetën dhe, përkundër sfidave të panumërta që i përcjellin gjithmonë, me drejtësinë e stoicizmin e tyre triumfojnë”, ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook”, ish-i burgosuri politik, Bajrush Xhemajli.
Postimi i plotë i Xhemajlit:
Bashkë me Naimin zhvilluam një vizitë dy ditore në Hagë për të takuar shokët të cilët po mbahen atje padrejtësisht.
Vizita tek Hashimi, Kadriu, Jakupi, Rexha e Nasimi ishte vërtetë emocionale. Bisedat u zhvilluan sikur të ishim në Kosovë, me të njëjten frymë, të njëjtin pozitivitet dhe energji.
U largova shumë i motivuar dhe i lehtësuar nga qëndrimi dhe karakteri i tyre i pathyer.
Lufta e tyre për drejtësi është lufta jonë, lufta e Kosovës për drejtësi.
Barra e këtij procesi është e tyre, e familjeve të tyre, e jona si shokë e miq e, mbi të gjitha, e Kosovës që duhet të kaloj nëpër këtë proces duke vuajtuar mungesën, eksperiencën dhe lidershipin e tyre.
Luftëtarët mbesin luftëtar gjithë jetën dhe, përkundër sfidave të panumërta që i përcjellin gjithmonë, me drejtësinë e stoicizmin e tyre triumfojnë.
Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe si e tillë është e patjetërsueshme, pa marrë parasysh përpjekjet e shumta për ta ndërruar e rishkruar historinë.
U ndamë, me besim të plotë se së shpejti do të takohemi ne Kosovën tonë, për të cilën po sakrifikojnë edhe një herë.