Xheparoski dhe Sarxhoska “flasin” shqip
Nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Armagedoni” dhe të përkthyesit Shkëlzen Halimi këtë javë janë përkthyer dhe botuar në gjuhën shqipe dy vepra me poezi të dy autorëve maqedonas, libri i poetit dhe profesorit universitar Ivan Xheparoski (Grabitja e Evropës) dhe libri i poetes dhe gazetares Natasha Saxhroska (Asht kryqi). Nga kjo javë librat e tyre mund t’i gjeni në librarinë “Artini” dhe “Dukagjini” në Prishtinë dhe në librarinë “Altera” në Prizren.
Shënime për autorët
Ivan Xheparoski (9 maj 1958, Shkup) është poet, filozof, estet, kritik dhe përkthyes. Ka diplomuar në Fakultetin Filozofik në Shkup, në të cilin ka magjistruar dhe doktoruar. Është autor i 28 veprave: i gjashtë librave poetikë, i trembëdhjetë librave nga lëmi i estetikës dhe teorisë kulturore, i tri antologjive poetike dhe i gjashtë zgjedhjeve teorike estetike. Është fitues i shumë çmimeve. Është profesor në Fakultetin Filozofik dhe ligjëron lëndët: Estetika, Historia e estetikës dhe Filozofia e kulturës. Poezitë dhe esetë e shumta të tij janë përkthyer në mbi 20 gjuhë të huaja. Në shqip, vite më parë, është botuar vepra e tij më e njohur me titull “Vepra artistike” (2018).
Natasha Sarxhoska (1979), poete, antropologe, përkthyese, gazetare, valltare (e tangos), ka lindur në Shkup. Ka diplomuar në Fakultetin e Filologjisë në Shkup, ndërkaq ka doktoruar për antropologji. Pos në Shkup, ajo ka studiuar edhe në universitetin e Tibingenit, të Parisit, të Bergamos dhe të Lisbonës. Ka ligjëruar edhe në Universitetin e Evropës Juglindore (në Tetovë). Është autore e pesë vëllimeve me poezi. Krijimet e saj janë përkthyer në shumë gjuhë dhe janë përfshirë në disa antologji. Ka përkthyer në gjuhën maqedonase vepra të autorëve Pasolini, Saramago, Pesoa, Karduçi, Bufalino etj. Ka jetuar në shumë qytete evropiane, si në: Paris, Milano, Lisbonë, Bruksel, Shtutgart. Merret edhe me fotografi dhe pikturë.