Xhevat B. Muqaku boton libër të ri me poezi
Ka dalë nga shtypi, nën përkujdesjen e shtëpisë botuese Armagedoni, libri me poezi i poetit Xhevat B. Muqaku.
Sipas redaktorit të librit, Adem Gashi, “ky është një vëllim poetik me ëndrra dhe engjëj, me një florë dhe faunë të vendlindjes bashkë me kujtime fëmijërie e djalërie, me një leksik specifik ku interferojnë edhe fjalë e nocione mjekësie nga lëmi i profesionit të autorit, por që prekin ndjesi të holla emocionale”.
“E kemi zënë ngoje edhe më parë se ky autor ka kapur një shkallë të lartë të abstraksionit poetik. Ndoshta, ngaqë jeta dhe puna në Perëndim, njohja e kulturës dhe letërsisë gjermane i ka dhënë dorë të kapë e zbërthejë një botë moderne dhe urbane në thellësinë e saj. Megjithatë, në planin e formësimit të vargut, ndryshe nga sivëllezërit e tij mërgimtarë, e shmang patetikën dhe nostalgjinë e zhveshur. Madje do të thosha se bën një provë interesante me përdorimin e metaforës së vrazhdë, mënjanë metaforës vegjetative të Jusuf Gërvallës.
Formulimet si: zhbllokimi i trurit, tregtari i fjalëve, fjalët e ndryshkura, e përvëluan breshrin, zilja e shqepjes, dihatje e hijes të tjera, të ngjethin mishtë, të tronditin me agresivitet, por që krijojnë tablonë ekspresioniste të jetës së njeriut të mjedisit tonë.
Të ky autor po shoh një zhvillim të hovshëm e të fuqishëm poetik”, ka shkruar shkrimtari Adem Gashi për librin e Muqakut.
Poezi nga libri i botuar:
MË THA NË PREHRIN TIM
Edhe kur drita fiket
zemra ime lulëzon.
Brenda fatit tim
gjakut yt qarkullon.
Ndeshemi udhëkryqeve
në harmoni me simfoninë.
Derisa Hëna hedh valle me retë
fare në fund
qëndron fillimi ynë.
SHKON E VJEN SI ERA
S’shihesh, s’ndihesh, s’prekësh,
U fryn fluturave e prapë kthehesh.
Rreshkesh me bubullimën në urë,
E bën qull ndjenjën e fajit tim.
Lidhur nyje gjuhët i mbanë,
Mbetesh e fortë dhe e butë.
E ëmbël për t’u ngrënë çdo ditë
në hije mbetur e hidhur në shije.
Krejtësisht i vetëm në filxhan,
Dalë boje dhe i braktisur
në pritje të fatit më të mirë.
BUZËT E KRIPURA
Të fluturës së natës
i palpoi tek engjëjt
që të mirat dhe të ligat
i mposhtin në gjumë.
Në larminë e hematomat
zbehin grykën e mallit.
Lotin tim të ëmbël
në skulpturat e mia shijuar
me heshtjen e jetës e kanë.
HAKUN MOS T’UA HAMË
Përgjumshëm
pasdite ëndrrën e zgjuan
mjellmat që liqenin e notuan.
Sfiduan këmbët dhe fatin e zogut
që krahëthyer fluturoi.
Muza rrah me flatrat e saj
idenë e vargut tim në lindje.
E plagosur me sy më ndjek
nga dritarja e hapur.
M’i buzëqeshë në ëndërr
qirinjve reflektues.
Ua tregon zogjve hijet.
Dëgjohen e s’treten në errësirë
flatrat e tua që me prekin lehtë.
Rriten me sekretin e verës
lule të egra në livadh,
çmim i elegancës natyrale.
PORTRET I BUZËQESHJES
Zërin pa ton
zjarri s’e ndryshku
natën kur ora ndaloi së ecuri.
Në djersën time larë
prej rrezeve të Hënës
qielli herë pas here skuqej.
Synuar ishte
dielli që dëbon dimrin
dhe zemërimin prej damarëve.
Korona buzëqeshjen time
s’e përfilli,
djersa rrjedhur poreve kishte.