Xhevat Prekazi e shet fanellën e tij për t’i ndihmuar të prekurit nga tërmeti në Turqi
Ish-futbollisti nga Kosova, Xhevat Prekazi i është bashkuar listës së gjatë të sportistëve dhe të ish-sportistëve nga mbarë bota që po i ndihmojnë të prekurit nga tërmeti shkatërrues në Turqi.
Ish-futbollisti i Galatasarayt e ka ofruar fanellën e tij me numrin 8, të cilën e vishte tek ekipi nga Stambolli, të nënshkruar nga vetë ai, për viktimat e tërmetit.
Sipas medieve turke, përkatësisht mediumit “ntv.com.tr”, fanella e legjendës së Galatasarayt është shitur për 210,000 lira turke, respektivisht për 10,359 euro.
Lajmin për shitjen e fanellës së tij e ka bërë edhe vetë ish-futbollisti kosovar përmes rrjetit social, “Twitter”. Shumë njerëz të vullnetit të mirë, përfshirë këtu edhe sportistë turq dhe nga mbarë bota, po mundohen ta ndihmojnë Turqinë pas tërmetit të tmerrshëm që e pësoi ky vend.