Xhevat Qerimi apo legjenda urbane e shtetit më të ri në Ballkan
-26 vjet nga vdekja e heroit
Izmi Zeka
Në kapitujt e historisë shpeshherë hasim figura të rëndësishme të cilat kanë mbetur të pa studiuara, dhe të pa hulumtuara në dimensionet e përgjithshme historike dhe në rrafshin e përgjithshëm por edhe kohor.
Një ecje e kujdesshme nëpër histori nxjerr në pah figura markante, portrete që simbolizojnë kohën pastaj ato figura kristalizojnë kohën dhe rrugën deri këtu ku jemi sot.
Portretizimi i figurës madhështore të Xhevat Qerimit është shembull unikat i shtyrjes së një procesi që ishte tejet i vështirë.
Edhe figura e Gjergj Kastriotit kaloi përmes tri fazave në të cilët kalojnë personalitetet e mëdha të historisë.
Si e cilëson Fan Noli në librin e tij mbi jetën dhe veprën e Skënderbeut, emri i tij kaloi përmes glorifikimit që i bënë bashkëkombësit e tij, pastaj përmes mohimit të plotë që i bënë ata që erdhën pas tij dhe së fundi në drejtpeshimin e gjërave dhe ngritjen e lavdisë së përjetshme, thekson Bedri Islami
Të kujtosh vitet 1985 e tutje kur unë pata nderin që ta njihja për së afërmi intelektualin e kohës, studentin e shkëlqyeshëm dhe vizionarin është krenari dhe nderë për mua. Aktiviteti i tij në rrafshin ilegal të LPRK-së ka korresponduar në tri dimensione të kohës.
Dimensioni koordinues me komitetin drejtues të kohës, dimensionin intelektual dhe dimensionin e një karakteri të pandalshëm për të sfiduar pushtetin serb.
Këto komponente në mënyra triviale paraqesin figurën trio metrike që i kalon kornizat kohore dhe invencionin sa shkencor aq edhe historik. Thellësia e portretizimit të këtij tribuni sfidon hapësirën, momentin dhe rrethanat por në të njëjtën vertikale edhe pushtetin shtypës të Beogradit.
Pas ‘81-s për herë të parë arrihet të organizohet demonstratë e fuqishme në Gjilan në vitet 1989-90, ku akteri kryesor ishte pa diskutim Xhevat Qerimi.
Këtu ishte vetëm rrumbullakim i filozofisë së veprimit konkret apo të realizuar dhe dizajnuar më herët.
Gjilani, Dardana, Vitia pa angazhimin e tij nuk do të njiheshin me rrjedhat, me shtypjen me figurat e rëndësishme kombëtare. Ai gjatë ditës ishte në Gjilan, në Rahovec, Prishtinë, Llap e kudo.
Tri komuna të cilat udhëhiqeshin nga një celulë apo grup siç vepronte Xhevati, Hanumshahe Abdullahu, Irfan Musmurati, Ismet Sylejmani, Ahmet Demiri, Zenun Pajaziti, Ahmet Aliu, Fekrije Berisha, Ibrahim Salihu, Sadik Berisha, Mujedin Zylfiu, e pas daljes nga burgu Nazmi Hoxha, Bejtullah Tahiri, Sabit Rexhepi e shumë të tjerë nga Gjilani,Vitia, Dardana ishin pjesë e veprimit ilegal në kuadër të LPRK-së dhe lëvizjes në përgjithësi
Nuk ishte e rastit shtrirja e LPRK-së dhe se falë atributeve të Xhevatit me shokë rezultatet dhe sukseset shiheshin në të gjitha rrethet e tri komunave. Brenda një ore mbushej i tërë qyteti apo qytetet qoftë me komunikata apo pamflete. Bazë e këtij organizimi të fuqishëm ishte Xhevat Qerimi. Një djalë i ri si Xhevati nuk e dinte q ‘është frika kur atdheu kërcënohej.
Tani kur ikën vitet qenia shpirtërorë ringjall aktivitetin pothuajse 10-vjeçar pa hyrë në detaje kemi portretin e një dëshmori që u rrit me frymën e martirëve më të mëdhenj. Pikëpamjet e këtij nga të dhënat dhe shkrimet autentike janë dimension real e praktikë dhe nga ky përkufizim kjo figurë emblematike del si rrjedhim i logjikshëm i vazhdimësisë e të përpjekjeve për krijimin e vlerave të platformës për shtetësinë e Kosovës. Prandaj veprimtaria e këtij dëshmori duhet të shikohet në kontekstin kohorë.
Ai e ka prekur vdekjen për të jetuar të tjerët, e ka ndier atë dhe ka kaluar në përjetësi. Ishte përgatitur për atë dhe aq fuqishëm gërshetohen vargjet e Agim Ramadanit për portretin e tij ku ndër të tjera shkruan” Kur të kthehem asgjë nuk do të jetë siç ishte më parë” kur të kthehem edhe unë ndoshta do të jem në një jetë tjetër. përmes rreshtave të dëshmorit Agim Ramadani reflektohet qartë vizioni i tij, liria e Kosovës e fëmijëve të tij i dy bukuroshëve të tij.
Aq natyrshëm flenë vargjet “Nëse nuk shihemi, dha na ndan vdekja, jetoje jetën nënë, patjetër do të vij, gjumi yt të bëhem”.
Dhe vërtet sot Xhevati vjen i skalitur në shtatore, i buzëqeshur dhe krahëhapur për të jetuar jetën, ai erdhi sot në vargje, në pllakë, në histori që ka mbetur me vite i harruar..
Në kuptimin e vlerësimit kombëtar, filozofia e shtrirjes ilegale dhe luftarake të bashkërenduar nga Xhevat Qerimi paraqet kulmin e zhvillimit të saj, duke krijuar kushte për zhvillim dhe progres të mëtutjeshëm.
Ndikim të fuqishëm pati në këto rrjedha të lëvizjes ilegale ngase veprimtaria e Xhevat Qerimit konceptohej në tri linja: në njërën anë angazhimin për përgatitjen dhe njohjen në esencë të qytetarit për shtypjen që bënte Serbia, për ndërkombëtarizimin e shtypjes dhe të luftës si pjesë e zgjidhjes përfundimtare të çështjes së Kosovës. Parapërgatitja e tij, potenciali intelektual, njohja e rrethanave ndërkombëtare, ishin komponent që ndikuan në proceset e mëtutjeshme dhe strukturimin e lëvizjes çlirimtare drejt procesit final…
Në këtë shikim figura e tribunit të kësaj treve konsistonte në artin e luftës. Dhe ky art natyrshëm drejtpeshohet në frymën dhe qartësinë që e përshkonte dëshmorin e kombit dhe personifikimin e luftës çlirimtare si alternativ e vetme dhe e pashmangshme për zgjidhje përfundimtare.