XHEVAT QERIMI, HEROI I HESHTUR

10 janar 2019 | 08:41

“Epoka e re” riboton fjalimin e veprimtarit Ismet Sylejmanit të mbajtur para gjashtë viteve (më 10 janar 2013 në Prishtinë, në Sallën e Kuqe) në 20-vjetorin e vdekjes së heroit Xhevat Qerimit.

Të dashur dhe të nderuar prindër, bashkëshorte e vajza, motra dhe vëllezër, familje e gjerë e Heroit të Heshtur të Kombit – Xhevat Qerimi! Të nderuara familje të Heronjëve dhe Dëshmorëve të Kombit! I nderuar Axha Osman, pjestarë i Familjes Lladrovci, Gjeneral Ramiz Lladrovci, Fadil Fazliu! I nderuar lideri i popullit shqiptar në Maqedoni z. Ali Ahmeti, Të nderuara personalitete kombëtare, shtetërore, politike e ushtarake nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Kosova Lindore dhe Mali i Zi! Të nderuar të pranishëm!

Zonja dhe Zotrinj!

– 20 vjet më parë në një aksident fatal e tragjik në njërën prej kthesave më të rrezikshme të komunikacionit në rrugën regjionale Gjilan-Ferizaj, në fsh.Budrikë, pushoi së rrahuri zemra e madhe, e burrit trim e të pashoq, shokut e bashkveprimtarit tonë, Kryetarit të Komitetit Drejtues të LPRK-së të Anamoravës për Gjilan, Viti dhe Kamenicë e Komandantit të njësiteve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Heroi i Heshtur i Kombit Xhevat Qerimi, ashtu si edhe shumë pjestarë të popullit tonë, fillimet e dashurisë ndaj populli e Atdheut i morri nga familja e rrethi ku jetoi. Por Xhevati kishte fatin e madh që në shtëpinë e Tij, si rrallëkush tjetër, si i ri të kishte në dorë e të lexonte literaturë kombëtare, të cilën ia kishte sjellë në shtëpi nga Gjermania babai i Tij Basri Qerimi.

Pra Xhevati e kishte lexuar Zërin e Kosovës, epërsi dhe nderë i madh për kohën, një mundësi të tillë si askujt tjetër, ia kishte mundësuar Axha Basri, për të cilin Xhevati ka pasur dashuri e rrespekt të madh, jo vetëm pse e kishte baba, por pse ai, thoshte Xhevati, – na kushton kujdes të madh, të cilin e vërenim të gjithë ne shokët e djalit të Tij.

Kështu siç e shohim Xhevati ishte fëmijë i një dere atdhetare, dhe gjithçka që ndodhi më vonë, kur u përcaktu në shërbim të çështjes kombëtare, nuk ishte rastësi!

Regjistrimi në Universitetin e Prishtinës në fakultetin e bujqësisë dhe më vonë edhe në fakultetin e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, i krijuan ashtu si edhe shumë të tjerëve mundësi të reja dhe të mëdha për të filluar konkretisht aktivitetin kombëtar-politik – të organizuar. Kështu në fund të vitit 1986, në dhomën nr. 324 në katin e tretë, në konviktin nr. 2 në Prishtinë, Xhevat Qerimi dhe unë (Ismet Sylejmani), në prezencë të anëtarit të LPRK-së, cimerit e shokut të dhomës Ismet Abdullahu, kemi dhënë betimin se do të luftojmë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe Viseve të saja dhe Bashkimin me Shqipërinë.

Kishim shumë vështirësi. Vrasja e udhëheqësve të mëdhenj, Heronjëve të Kombit, Kadri Zeka, Rexhep Malaj, Nuhi Berisha dhe Zija Shemsiu. Burgosjet dhe arrestimet e bëra të veprimtarëve të mëdhenj si Hydajet Hyseni, Emin Krasniqi e shumë shokëve të tjerë, në kohën kur filluam veprimtarinë e organizuar, kishin krijuar një ndërprerje të tmerrshme të fijeve të veprimit organizativ.

U gjendëm para situatave që duhej t’i tejkalonim, dhe i tejkaluam. Formuam Komitetin Drejtues të LPRK-së të anamoravës për Gjilan, Viti dhe Kamenicë. Në përbërje: Xhevat Qerimi, Ismet Sylejmani dhe Irfan Musmurati. Kryetar të parë zgjodhëm Xhevat Qerimin. 

Pra pas vrasjeve nga pushtuesit serb të Kadriut, Rexhepit, Nuhiut dhe Zijahut, por edhe pas burgosjeve të mëdha në Gjilan, Viti, Kamenicë dhe tërë anamoravën, Heroi i Heshtur i Kombit Xhevat Qerimi, u ngarkua me përgjegjësi historike, mori mbi supe peshën e madhe të drejtimit të luftës politiko-patriotike për liri e pavarësi, duke u bërë drejtuesi i parë organizativ i Komitetit Drejtues të LPRK-së për anamoravë.

Më vonë në Kryesinë e Komitetit, me vendim të veçantë është kooptuar pjestari i familjes së Heroit të Kombit Kadri Zeka, Izmi Zeka. Të gjithë ne shokët e veçanërisht Xhevati, jemi ndeshur me vështirësi e dukuri të shëmtuara, që nuk vinin nga pushtuesit. Kemi pasur edhe braktisje e vetlargime arbitrare nga Komiteti Drejtues, për ndarje e koncepte politike banale që na vinin nga adresat jashtë vendit! Do të vjen koha e do të bëhen publike të gjitha, sepse i kemi të deponuara në arkivin kombëtar.

Të nderuar të pranishëm!

Edhe më herët, sepse ajo fotoja e vitit 1981 me pushkë në duar të Xhevatit, flet qartë dhe dëshmon shumë, por veçanërisht prej kur e ka filluar veprimin politik në formë të organizuar, Ai ka qenë njëri ndër violinat e para kudo. Pra ishte në rreshtin e parë, ku kryhej veprimi i duhur i të menduarit dhe vepruarit në drejtim të avansimit të çështjes kombëtare dhe krijimit të fillimit të parakushteve të nevojshme të luftës së armatosur!…

Xhevati ishte njëri prej kolosëve të mëdhenj të veprimit politiko-patriotik ilegal kombëtar të organizuar.

Provën e parë të madhe, gjeneralen si i thonë – Xhevat Qerimi e dha, në grevën historike të minatoreve heroik të Trepçës. U shndërrua në njërin prej drejtuesve kryesor të protestave të studentëve në sallën 1 tetori me minatorët e ngujuar në zgafellat e nëntokës në Mitrovicë. 

LPRK në gjiun e saj kishte ajkën e djalërisë shqiptare. Që nga udhëheqësit e në nivele tjera të veprimtarëve të mëdhenj, kishte shpirt të madh sacrifice dhe liridashje enorme.

Derisa Udhëheqësi i LPRK-së dhe i sekretariatit të Komitetit Drejtues, Heroi i Kombit Afrim Zhitia, në sallën e kuqe të fakultetit filologjik në praninë edhe të disa prof nga Beogradi dhe shumë UDB-ashëve, që ishin në shoqërim të eskortës së Stipe Shuvarit dhe kriminelit Millosheviq, gjatë vizitës në Kosovë, demaskonte fillimin e politikës antishqiptare që kishte filluar të jepte simptomet e para, sepse xhelati serb jepte sinjalet se po e fillonte natën e zezë jo vetëm mbi shqiptarët e Kosovën, por për popujt e të gjitha republikave ish-jugosllave, në anën tjetër, Heroi i Heshtur i Kombit Xhevat Qerimi, takohej fshehurazi me pjestarin aktiv të policisë së asaj kohe Ismet Arifin nga Cernica e Gjilanit në qendër të Prishinës – në afërsi të Hotelit Grand. Luftëtari kombëtar, djali i thjeshtë, trim i madh i popullit shqiptar Xhevat Qerimi, kërkonte nga polici shqiptar të na tregonte se a ka mundësi ta dinim agjenden e lëvizjeve të gjakpirësit, ndonëse ato ishim të vetëdijshëm se ishin top sekret. Pa u friksuar se po e teproj apo po e glorifikoj tej mase figurën e Xhevatit, pra e them me përgjegjësi absolute, Xhevat Qerimi, ishte njëri nga ata, që tentoi të gjente kanalet e duhura, të krijonte hapsirat e nevojshme për ta ekzekutuar në emër të popullit shqiptar vrasësin Millosheviq gjatë vizitës së tij në Kosovë.

E dëgjoni, Xhevati ishte luan, me shtatëshen e tij, në grykë do t’i hidhej dhe të gjallë nuk do ta lëshonte, kriminelin!

Ndryshimet kushtetuese me 23 mars 1989 dhe demonstratat e ditëve në vazhdim të organizuara dhe të udhëhequra nga LPRK, kishin në qendër të tyre veprimtarinë konkrete të veprimtarit të dalluar të saj dhe të Kryetarit të Komitetit Drejtues të anamoravës, Heroit të Heshtur të Kombit – Xhevat Qerimi.

Gjilani qendra e anamoravës, ashtu si edhe qytetet tjera të mëdha të Kosovës, ishte arena e përleshjeve të mëdha mes forcave pushtuese dhe popullit në demonstratën e marësit të vitit 1989. Xhevat Qerimi ishte edhe Drejtuesi i Organizatës edhe Kryedemonstruesi i demonstratës, kudo i pari, në ballë të çdo gjëje. Asgjë nuk i linte rastit.

Rëndë i përjetoi vrasjet e demonstruesve shqiptar nga Gjilani, Dëshmorët e Kombit Agim Rashiti e Reshat Ymeri.

Këto vrasje të bashkëdemonstruesve e mobilizuan edhe më shumë, ia shtuan edhe më tepër vendosmërinë për të ecur më me përkushtim në rrugën e luftës për liri.

Xhevat Qerimi me 6 prill të vitit 1989, e përjeton me dhembje mbytjen në torturë në burg të njërit prej veprimtarëve me shumë autoritet të LPRK-së e në masat e gjera, Prof. Xhemajli Berisha në Prizeren.

Më kujtohet Xevati pinte pandërprerë duhan, eu thoshte e kanë mbytur dhe e kanë gjuajtur nga ndërtesa, dhe nuk e ka folur asnjë fjalë burri i burrave. Të tillë shokë çelik na duhen.

Veprimin e dytë të madh i cili do ta kaliste edhe më shumë Xhevatin, është demonstrata në qendër të Prishtinës më 30 Maj 1989 afër hotelit Grand dhe me 31 maj në qendër të studentëve, kur ishte në vizitë një delegacion i parlamentit Evropian në Kosovë.

Xhevat Qerimi në demonstratën e 30 Majit, ishte në rreshtin e parë krah për krah me Udhëheqësin e LPRK-së, Heroin e Kombit Afrim Zhitia dhe shokë e bashkveprimtarë të tjerë.

Kurse demonstrata e 31 Majit në qendër të konvikteve, zhvillohej në rrethana të veçanta për Xhevatin, sepse në mesin tonë, nuk ishte shoku e bashkveprimtari Ismet Abdullahu, i cili tashmë ishte rreshtuar atje në çetën Heroike të Llapit, të cilët paraljmëronin gatishmërinë për fillimin e luftës frontale.

Gjurmë të pashlyshme dhembjeje e goditjeje në shpirtin dhe mendjen e Xhevatit liridashës kanë lënë lufta dhe rënia heroike me 2 nëntor 1989 e Udhëheqësit të LPRK-së, Heroit të Kombit Afrim Zhitia dhe e shokut e bashkveprimtarit të Tij, Heroit të Kombit Fahri Fazliu.

Lufta dhe rënia heroike në Breg të Diellit e Heronjëve, për Xhevatin ka qenë këmbana e fundit, se pa luftë të armatosur nuk ka çlirim të Kosovës nga Serbia.

Organizator dhe pjestarë aktiv i demonstratës në Prishtinë në Janar të vitit 1990, me rastin e mbytjes në Haraqinë të Shkupit të qytetarit shqiptar Nuredin Nuredini, gjatë shembjes së mureve të shtëpive shqiptare. Mbaj në mend në atë demonstratë, që zhvillohej para komitetit të LKJ-së në Kosovë, doli për të na folur e qetsësuar Rrahman Morina. Sapo doli dhe filloi të fliste që nuk dëgjohej qartë se na mbanin larg policia, Xhevati i bërtiti të madhe o tradhëtar, o tradhëtar, e mbuluam me thirrje ne të tjerët që ishim me qindra, na shau tradhëtari Morina dhe u fut brenda si mi gjirizi.

Demonstratat në Gjilan ishin të veçanta edhe për faktin se si askund tjetër në Kosovë, u gjuajt me armë edhe nga helikopteri policor. Edhe kështu u tregonte Xhevat Qerimi pushtuesve se do t’ua tregojmë vendin, me forcën dhe zjarrin e armës së luftës për liri. 

Xhevati ka qenë skajshmërisht i shqetësuar për çdo gjë. Gjithçka që ka pasur të bëjë me shëndetin e shokëve Ai ishte i shqetësuar dhe ndjente dhembje të madhe. Më kujtohet kur pas 20 prillit 1990, e dëgjonim kasetën e inqizuar me fjalën e Heroit të Kombit, Sekretarit Politik të LPRK-së Fadil Vata, Xhevati thoshte dëgjoje se si po merr frymë rëndë, edhe referatin kur e ka lexuar ka qenë i sëmuar. Qante Xhevati për Fadil Vatën, e dinte se e kishin dërmuar në tortura çnjerëzore nëpër burgje pushtuesit.

Nëse ka pasur një shqiptar që ka qenë i organizuar politik ilegal, dhe që më vonë ka qenë drejtues i organizatës, e nuk e ka njohur nga afër udhëheqësin e madh dhe të lavdishëm të Partisë së Luftës të Kosovës, çelikun e qëndresës nëpër burgjet e ish-jugosllavisë, Heroin e Kombit Rexhep Malaj, duhet ta dini dhe ta mbani përgjithmonë në mendje, Ai ka qenë, Ky burrë i madh, që po nderojmë sot, në 20 vjetorin e ndarjes nga jeta, të cilin e ndau një vdekje që nuk e ka merituar, dhe që kurrë nuk e kishte menduar se do t’i vinte, sepse gjithmonë jetonte me vdekjen, ngase ishte në luftë me Serbinë pushtuese dhe veglat e saj në Kosovë. 

Te kjo dashuri e madhe dhe e pashoqe ndaj këtij udhëheqësi legjendar të popullit shqiptar e të luftës së tij ilegale për liri, e te libri i tij me kujtime nga burgu: ”Sy më sy me bandën titiste, i pa armatosur e fitimtar me drejtësinë në zemër – QENDRESA”. E ka zanafillën përcaktimi dhe vendimi që me 10 Shtator 1990 e pagëzoi vajzën e Tij me emrin Qendresa. Pra te rrespekti dhe dashuria e pakufishme ndaj emblemës së fillimit të luftës dhe qëndresës së armatosur – Heroit të Kombit Rexhep Malaj.

Xhevat Qerimi, ishte Rexhep Malaj i ri i anamoravës. Besnik e pafundësisht, i vendosur, i guximshëm, organizator i fuqishëm, këmbëngulës, i sakrificës sublime, i bindur se zgjidhja përfundimtare e Kosovës, bëhet vetëm me luftë të armatosur çlirimtare, i gatshëm të shkrihet në çdo cast për detyrat dhe obligimet në luftën për lirinë dhe çlirimin e Kosovës dhe viseve të saja nga pushtuesit.

Varret e heronjëve të Kombit Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha që ishin në varrezat e qytetit të Gjilan, për veprimtarin e madh të luftës për liri Xhevat Qerimin, ishin vendet më të shenjta para të cilave me qindar herë jemi përulur, kemi marrë forcë e dashuri të pakufishme në vazhdimin më me forcë të ecjes në rrugën e vështirë por të lavdishme.

Këtu te kjo dashuri e llojit të vet e për këta gjigantë të luftës për liri e ka zanafillën ngjarja më e madhe kulturore në Gjilan “Flaka e Janarit”. Në Janar të vitit 1991, nën drejtimin e Xhevatit në Komitetin Drejtues u morr vendim që të organizohet homazh masiv popullor te varret e Heronjëve Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha. U shpërndanë 3000 Ftesa. Xhevati me duart e tij i mbuloi me flamur kombëtar, në natën e errët varret e Heronjëve Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha, dhe nga një flamur të vogël ua vendosi te koka, Dëshmorëve të Kombit Rexhep Elmazi, Agim Rashiti dhe Reshat Ymeri. Homazhi për Heronjtë e Kombit Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha, për faqe të zezë u pengua e u sabotua nga patriotët rugovist të asaj kohe, por Flaka e Janarit, u imponua, morri hov dhe u ndez fuqishëm, flaka e së cilës kurrë nuk do të shuhet. Shumë evenimente kanë ndodhur nën drejtimin e Xhevatit. Shumë shokë e veprimtarë kanë vepruar, që po të përmenden me emra janë listë e gjatë. Shumë rrugë të Gjilanit, Vitisë dhe Kamenicës, janë mbushur me parulla liridashëse politike-kombëtare, të gjitha këto nën përkujdesjen e Xhevatit dhe me porosi nga Komiteti që drejtonte Ai. Trakte e komunikata, ftesa e njoftime, janë shpërndarë me shpejtësi rrufeje në rrethet ku vepronte dhe ishte drejtues Xhevati.

Xhevat Qerimi ka qenë Gjeneral e Komandant, luftëtarë e ushtarë, veprimtarë e drejtues, në mbledhje ilegale të LPRK-së e në mbledhje të partive legale, në aksione thellësisht konspirative dhe në tubime publike politike.

E çka nuk ka qenë Xhevat Qerimi, Ai ishte gjithçka, ishte kudo, në çdo vend e në çdo skaj. I dukej e vogël Kosova, e dëshironte Atdheun dhe hapsirën e tij më të madhe, përpos faktorëve tjerë, edhe për këtë e dëshironte bashkimin me Nënë Shqipërinë…

Xhevat Qerimi ishte nga ata që Atdheun e shikonte në sy, dhe nuk e ulte kokën përpara Tij, sepse ishte i gatshëm të kryente çdo detyrë që i ngarkohej në shërbim të Atdheut.

E shikonte në sy Atdheun, sepse ia donte ballin, ngase e donte ballëhapur, kryelartë, të lirë nga pushtuesit serb.

E donte Atdheun krenarë e të papërkulur, ashtu siç ishte edhe vetë, një shqiptar tipik si i legjendave, kurrë i nënshtruar, por gjithmonë heroik me guxim e trimëri të atyre përmasave, që vetvetiu ia hapnin rrugën,dhe i thonin na prij udhëheqës e komandant,të vijmë pas…

Xhevat Qerimi ishte përfaqësuesi më në zë, udhëheqësi më i lartë i LPRK-së së Gjilanit, Vitisë dhe Kamenicës, që shkoi në Shqipëri në formë të organizuar për t’u përgatitur e për tu aftësuar për të komanduar luftën e armatosur çlirimtare në Kosovë e Vise, kundër Serbisë pushtuese dhe veglave të saja.

Duke qenë se bënte pjesë në korpusin e kualiteteve të larta të udhëheqësve dhe drejtuesve potencial politiko-ushtarak të mekanizmit çlirimtar të armatosur për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, Ai në mënyrë të organizuar shkoi me shumë shokë të tjerë në Shqipëri, për të marrë njohuritë e domosdoshme dhe për t’u pajisur me aftësitë e duhura për t’u kthyer e për ta udhëhequr luftën çlirimtare kundër Serbisë në Kosovë. 

Ai ishte ndër të vetmit të gjeneratës së re ilegale të organizuar të viteve 1986- 1991, të atdhetarëve e liridashësve, që pas përfundimit të stërvitjeve ushtarake në Shqipëri, jo vetëm nuk u ndal duke futur armatim nga Shqipëria në Kosovë, por bëri ndërhyrjen më të madhe së bashku me veprimtarin e madh e të devotshëm të çështjes kombëtare Nazmi Hoxhën, dhe veprimtarin tjetër të LPRK-së nga Kumanova Heroin e Kombit Arif Seferin. Tentuan të organizonin futje masive të armatimit modern nga Bullgaria në Kosovë.

Xhevati së bashku me Nazmi Hoxhën dhe Arif Seferin u kapën në kufirin maqedono – bullgar, ua konfiskuan frangat zvicërrane dhe markat gjermane, u arrestuan të tre, Xhevati dhe Nazmiu u liruan, kurse Arif Seferin kriminelët maqedonas e torturuan dhe të gjallë nuk e lëshuan, e mbytën barbarisht në burgun e Idrizovës. 

Xhevat Qerimi,beri realitet një ëndërr të madhe. Ai në Shqipëri kreu përgatitjet e duhura, që në çastet e para të domosdoshme të fillonte me zbatimin në praktikë të komandonte me njësitet e armatosura çlirimtare të UÇK-së, por përveç kësaj, Ai filloi në rrethana të reja të kohës, të zhvillonte biznes privat të shëndoshë e kombëtarë dhe të bëhej bashk me dajën Nazmi Hoxha, njëri prej figurave më të dashura atdhetare nga Kosova në Shqipëri.

Krejt në fund, një shqiptarë si Ky, udhëheqës i shquar, me fakte e argumente historike. Kuadër i stërvitur për të komanduar me luftën e UÇK-së. Jo vetëm është nderi i kombit, por nga Presidenti i Kosovës duhet të dekorohet Hero i Heshtur i Kosovës dhe të mbulohet me nderimet e merituara shtetërore e kombëtare!

Lavdi jetës dhe veprës së Heroit të Heshtur të Kombit Xhevat Qerimi!

Faleminderit!

Ismet Sylejmani, 10 janar 2013 -Prishtinë

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë(MAShT), Shyqiri Bytyqi,…