XHEVAT QERIMI/ Përvjetor i dhimbjes krenare
Si sot e tridhjetë e dy vite më parë jemi krenar që të patëm shok e udhëheqës të idealit dhe veprimtarisë e Luftëtar i Lirisë dhe i Çështjes Kombëtare për çlirim e bashkim në një shtet të vetëm të quajtur SHQIPËRI.
Ai mungon sot në mesin e të gjallëve por jeton e përkujtohet me krenari nga familja e madhe Bastri Qerimi dhe shokët e tij të shumtë luftëtarë të lirisë në çdo anë e kënd të trojeve shqiptare. Xhevat Qerimi jeton në kujtesën e të gjithë atyre që e njohën me veprimtarinë e tijë të bujshme, si një ndër të rrallët që gjithëçka nga jeta e tijë e kishte vënë në shërbim të çlirimit të pjesës së robëruar të Atdheut!
Rrugën e lirisë Xhevat Qerimi ja kishte caktuar vetes ngase këte edukatë ja kishte dhënë nëna Rexhi e babai Basri duke e mësuar dhe frymëzuar me ide patriotike dhe kryengritëse nga historia e parardhësve të familjes, dhe historia e lavdishme kombëtare shqipëtare.
Axha Bastri i kishte dhënë detyrë vetes që përveq të siguroj bukën e gojës për familjen në vazhdimësi bënte përpjekje të formoj edhe një familje të shëndosh, të edukuar, të mirarsimuar dhe përparimrtare si garancë për një të ardhme të sigurtë.
Vitet pas të 80-tave axhën Bastri e gjetën në mërgim në Gjermani punëtorë si shumë mërgimtar të tjerë. Ai atje nuk u kufizua vetëm për punën që kishte shkuar e të rrinte vetëm me mërgimtarët që kishin qenë të detyruar të merrnin rrugën e mërgimit për shkaqe ekonomike por mori kontakt me mërgatën që kishin emigruar nga shkaku i përndjekjes politike nga UDB-ja në mesin e te cilëve me burrin e madh nga Tërpeza e Vitisë Hysen Tërpeza e Halil Malaj nga Hogoshti dhe shokët e tyre, duke marrë detyra dhe duke përcjellë mesazhin tek shokët puntorë për gjendjen e keqe që i kishin lënë familjet dhe Atdheun e tyre, por jo vetëm tek ata … Të njejtin mesazh ai e përcolli edhe në familjen e tij duke e furnizur nga Gjermania me libra e gazeta dhe me materiale të tjera ilegale të kohës të ndaluara nga regjimi pushtues, për vetëdijësimin dhe ndërgjegjësimin e masave të gjëra popullore se lufta për liri duhet të vazhdoj me çdo çmim duke u bër shembull së pari vet e pastaj bashk me të gjithë pasardhësit e tij duke e kthyer shtëpinë e vet në një nga bazat kryesore të veprimtarisë ilegale kundër pushtuesit. Pra Xhevati Qerimin birin e kësaj familje që patëm rastin e fatin që ta njohim shumë nga ne nuk ishte i rastësishëm, por shumë i qëllimshëm. Ai nga kjo familje doli i përgaditur e i brumosur me tiparet më të mira të mundshme të luftëtarit të lirisë, kjo bëri që qysh i ri, të jetë i vetëdishem për çështjen tonë të pazgjidhur kombëtare. Xhevati ishte një ndër përkrahësit e parë të Demostratave popullore të pranverës së vitit 1981, duke vazhduar të kalitet dhe duke patur simpati dhe admirim të veçantë për të gjithë njerëzit e lëvizjes çlirimtare e duke u radhitur krah tyre. Pak vite më pas, Xhevati do të ishte një nga veprimtarët ilegal më të përgaditur dhe më të përkushtuar, ushtarë i gatshëm i lirisë si rrallë kush tjetër, pa i munguar asnjëherë përkrahja dhe mbështetja nga e tërë familja e tij si në aspektin moral ashtu edhe në atë material, në rrugën e lirisë që e kishin trasuar brezat pararendës në luftën e shenjtë Çlirimtare.
Ishte Nëntori i vitit 1985 Xhevati, tashmë ishte i organizuar në radhët e Organizatës ilegale, Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK-ës,) në luftë kundër pushtuesit e regjimit çetniko-fashist të Jugo-serbo-sllavisë dhe bashkëpunëtorëve të tyre shqipfolës dhe për çlirimin e Kosovës e të viseve të saja e bashkimin e tyre me Shqipërinë.
Përgatitja me një vetëdije të lartë kombëtare, gadishmëria e sakrifica deri në vetmohim e karakteristika të tjera të gërshetuara në përsonalitetin e tij, Xhevat Qerimin e bënin të veçantë! Ai ishte shembull i mirë për të gjithë ata që patën rastin ta njohin, të bahkëpunojnë e të bashëkveprojnë me të. Ishte i durueshëm, i qetë e i sinqertë tej mase i matur e shumë i arsyeshëm, solidar me shokët veprimtarë e familjet e tyre në nevojë, i dashur për shokë e shoqe, e për njerëzit e gjeneratave të ndryshme, kishte një simpati të veçant për të burgosurit politik dhe familjet e tyre, shumë trim e i guximshëm, plot energji e me një vullnet të pathyeshëm, organizator i pa zëvendësueshëm e aksionist i radhëve të para, shumë i zëshëm në luftën tonë të drejtë çlirimtare, por i pa kompromis ndaj poshtërsive, dredhive, manipulimeve, prapaskenave, përfitimeve të padrejta të vlerave morale apo materiale në kurriz të shokëve të idealit qofshin ata të gjallë apo të vdekur, shumë i ashpër e tmerr për armiq e tradhtarë.
Xhevati ishte shumë i vendosur që me çdo kusht e çdo sakrificë të ruhej vazhdimësia e luftës së nisur, në veçanëti të mos ndalej dhe të mos ndërpritej puna dhe organizimi ilegal në kuadër të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës( LPRK-ës).
Zbulimi i shoqeve dhe shokëve, nga organet e UDB-ës jugosllave,dhe burgosja e tyre, të organizuar në kuadrin e LPRK-ës në Mars të vitit 1986, në opinion i njohor, si Grupi i Gjilanit (Anamoravës) dhe Grupi i Podujevës (Llapit) dhe kalimi i një pjese të tyre në ilegalitet ishte një goditje e rëndë për të gjithë LPRK-ën.
Por falë qëndresës titanike të një numri të konsiderueshëm të shokëve në hetuesi para organeve policore dhe UDB-së dhe përballimin me sukses të torturave sistematike, të tmerrshme e çnjerëzore, të ushtruara mbi ta nga bishat gjakpirëse, kishte mbetur pa u zbuluar një numër shokësh e në mesin e tyre edhe Celula e jonë në tresh: Xhevat Qerimi, Irfan Musmurati dhe Izmi Zeka. Pra tani neve na kishte rënë për hise, obligim dhe detyrë që të vazhdonim veprimtarinë, dhe që ekskluzivisht të merreshim me gjetjen e shokëve dhe riorganizimin e radhëve (gjithnjë duke respektuar me përpikmëri rregullat e konspiracionit, një celulë jo më shumë se tre veta) të pa zbuluara që ishin: Sabit Mushica, Selami Bejta, Hanumshahe Abdullahu, Skender Emërllahu, Fikrije Berisha, Zenun Pajaziti etj.
Konsolidimi i radhëve tona mori kuptim dhe formë më të plotë, atëherë kur nga gjysma e Qershorit 1986 morëm lidhjen me anëtarin e Komitetin Drejtues të OMLK-ës – LPRK-ës, Bajram Kadriun (Koci) nëpërmjet Nexhmije Jasharit. Pas kësaj, ne morëm udhëzime të reja duke u fuqizuar e duke vazhduar me shokët tjerë: Qemajl Qerimi, Isa Musmurati, Ismet Sylejmani, Mexhid Beqiri, Skender Hajdari, Xhelal Rexhepi, Ahmet Aliu, Ahmet Demiri, Sadik Berisha, Hajrush e Bejtush Ramabaja, Shaban Klaiqi, Ekrem Qerimi, Njazi Azemi, Emrush Azemi, Avni Zejnullahu, Magribe Ismajli-Kamberi, Tefik Zymberi, Zeqir Hyseni, Izija Rexhepi, Mujedin Zylfiu, Ruzhdi e Sadik Berisha, Zenun Pajaziti, Rashit Ymeri, Naim Demi, Sadulla Basha etj, le të më falin edhe shumë të tjerë që nuk i kam përmendur emrat e tyre, por ka edhe shumë që për shkak të kushteve të ilegalitetit të thellë nuk i kam dijtë atëherë e nuk i di as sot emrat e tyre). Tashmë, radhët tona ishin shtuar dhe sigurisht se lindi nevoja që të rrisim nivelin e përgjegjësisë dhe shkallën e organizimit duke formuar (ndërmjet datës 24 dhe 25 Nëntorë 1986) Këshillin Drejtues të LPRK-ës në nivel Rrethi – Gjilan, Kamenicë dhe Viti me kryesues: Xhevat Qerimi, Irfan Musmurati dhe Ismet Sylejmani, në banesën e Xhevatit në lagjen Arbëria ish Dragodan, në shtëpinë e Hasan….. (mbiemri nuk më kujtohet) në Prishtinë. Me këtë rast, morëm obligim që në të ardhmen, detyrë mbi detyrat ishte zbatimi i Programit dhe Statutit të LPRK-ës, rritjen e bashkëpunimit, bashkëveprimit të drejtpërdrejtë në koordinimin e punës dhe aktivitetit të rregullt me udhëheqësit e Degës së LPRK-ës në Zvicër, si dhe të Rretheve tjera, veçanërisht me Ferizaj – Bajram Kadriu dhe Qemajl Qerimi, Podujevë – Ismet Abdullahu e Nexhmije Jashari, Kumanovë – Nazmi Beqiri e Ulusi Beqiri, Preshevë – Menderes Zeneli, Gjakovë – Mentor Kaçi e Naim Kralani, Prizren – Behadin Hallaqi, Deçan -Sami Thaqi, Pejë- Ibish Neziri, Mitrovicë – Raif Qela dhe gjithandej me individë që donin të i bashkoheshin luftës për liri në trojet shqiptare, në zbatimin me rigorizitetin më të lartë të konspiracionit nga anëtarët e çdo celule, shtimin e radhëve të organizuara, mundësisht edhe armatosja e tyre, duke ngarkuar me përgjegjësi çdo anëtar të LPRK-ës për ngritjen e vetëdijes ideo-politike, shpërndarjen e Gazetës Zëri i Kosovës, Revistës Pararoja që ishin organe të LPRK-ës, shkrimin e parullave, shpërndarjen e pamfleteve, komunikatave dhe literaturës tjetër ilegale (librave historikë, kombëtarë dhe të filozofisë revolucionare), dhe gjithçka që na hynte në punë për rritjen e nivelit politiko-organizativ, rritjen e vetëdijes dhe ndërgjegjes në masa të caktuara të popullit në manifestimin e paknaqësisë dhe revoltës popullore, organizimin e protestave, grevave të punëtorëve e minatorëve dhe demostratave gjithëpopullore për të kundërshtuar e luftuar me çdo mjet të mundshëm okupimin klasik nën këtë regjim pushtues e shtypës, mjerisht të ndihmuar edhe nga një numër jo i vogël i një strukture politike e policore kuislingësh shqipfolës, të instaluar në pushtetin titisto-serbo-sllav e antishqiptar, që kishte arritur kulmin gjatë viteve 1988 e 1989 duke prekur gati çdo pore të jetës dhe egzistencës së qenies shqiptare. Me fillimin e ndryshimeve kushtetuese dhe suspendimin e asaj pak autonomie që kishte Kosova, u krijua situatë e re, si në organizimin, drejtimin dhe udhëheqjen e protestave, grevave dhe demostratave nga LPRK dhe udhëheqja e sajë si në nivelin Qëndrorë në Prishtinë e në shumë qytete tjera të Kosovës, poashtu edhe në nivel Rrethi, Xhevati ishte githnjë duke prirë e duke qëndruar gjithmon në ballë të tyre. Zhvillimi i demostratës gjithëpopullore, me 27 Mars të vitit 1989 (demostrata e parë dhe më masovike pas vitit1968) e organizuar nga Këshilli Drejtues i LPRK-ës dhe anëtarësia e gjerë në nivel të Rrethit – Gjilan, Kamenicë, dhe Viti u bë nën udhëheqjen e drejtpërdrejtë të Xhevat Qerimit, e duke vazhduar më pas edhe me organizimin e marrjen pjesë edhe në shumë demostrata, protesta e veprimtari të tjera si në rrethin tonë e githkund ku paraqitej nevoja.
Për shkak të aktivitetit dhe punës e obligimeve të shtuara, në fillim të Gushtit të vitit 1989, me vendim unanim u pranua Izmi Zeka anëtar në Këshillin Drejtues të rrethit e më pas, me rekomandimin e Degës së LPRK-ës jasht vendit kooptohet edhe Nazim Zylfiu për një periudhë të kufizuar kohore).
Radhët tona tanimë sa vinin dhe shtoheshin ngase organizimit tonë tanimë i kushte ardhë në ndihmë dhe përkrahje në formë direkte dhe indirekte edhe një pjesë tjetër e shokëve të burgosur politik si: Abdullah Tahiri,Nazmi Hoxha, Sabit Rexhepi, Ahmet Isufi, Bejtullah Tahiri etj pra aktiviteti ynë sa vinte e rritej me organizime të ndryshme, si me demostrata, manifestime, pjesëmarrje në aksionin e pajtimit të gjaqeve, përkujtimin e dëshmorëve të lirisë etj. Vlenë të theksohet se në fillim të Janarit të vitit 1991, KD i LPRK -së të Rrethit – Gjilan, Kamenicë dhe Viti, gjithnjë nën drejtimin e Xhevatit, mori vendim që të shpërndahen pamflete në këto tri Komuna, në mënyrë që sa më masivisht të përkujtohen e nderohen me homazh gjithëpopullor, tek varrezat, dëshmorët Rexhep Malaj, Nuhi Berisha, dhe Rexhep Elmazi., Agim Rashiti, Reshat Ymeri etj. Vlen të theksohet se në përkujdesjen, veçanërisht, të Xhevat Qerimit, varrezat e tyre, ishin stolisur me Flamurin Kombëtar dhe me kurora lulesh!
Që nga atëherë është bërë traditë në Gjilan, Manifestimi Flaka e Janarit dhe Homazhet në Varrezat e Dëshmorëve në Gjilan.
Edhe Për të gjitha këto punë të mirëorganizuara dhe pandërprerë asnjëherë, që për kohën dhe rrethanat ishin punë mjaft të mëdha dhe shumë të rëndësishme, padyshim se më meritori ishte kryetrimi e kryeudhëheqësi ynë Xhevat Qerimi, që për idol të veprimtarisë kishte luftëtarin e pathyeshëm e të pamposhtur Çelikun e Qëndresës Shqiptare Heroin e Kombit Rexhep Malaj!
Fillimi i shumëpritur i shpartallimit të Jugosllavisë, situata e krijuar në Kosovë e rreth sajë si dhe mbajtja në Shkurt të vitit 1991 e Konferencës së Dytë të Jashtëzakonshme të OMLK-ës- LPRK-ës brenda territorit të Kosovës (me nië pjesëmarrje të një numri shumë të madh të veprimtarëve) si dhe nxjerrja e konkluzioneve nga kjo mbledhje, njëra ndër udhëzimet prioritare ishte edhe përgatitja e njësiteve të para guerile e më pas ushtarakëve të ardhshëm për luftë të armatosur. Pra tani detyrimisht kërkohej rritja e shkallës së përgjegjsisë me forma të reja të organizimit e përgatitjes, duke shfrytëzuar herë pas here edhe organizimet legale që kishin filluar të formoheshin në Evropën Lindore por edhe tek ne në Kosovë si pasojë e pakënëqisë popullore ndonjëherë edhe ne duke u bërë pjesë e tyre, kryesisht në sektorin e propagandës dhe veprimtatisë aktive kundër armikut.
Të vetëdijshëm se çlirimi ynë nuk arrihet vetëm me bisedime e mjete demokratke na duhej të ndryshonim formën e organizimit , pra rrodhi si domosdoshmëri përgaditja dhe shtimi i kuadrove ne sektorin ushtarak.
Kështu që, në gusht të vitit 1991 me vendim te Këshillit të Rrethit Xhevati u vendos të shkojë në Shqipëri për stërvitje ushtarake bashkë me një numër të konsiderueshem shokësh të Lëvizjes iegale, me Grupin e Parë që në opinion njihet si grupi i Zahir Pajazitit duke qëndruar atje rreth një muaj e ca në ushtrime e stërvitje në repartet e njësive speciale ushtarake në kazermat Ushtrisë Shqiptare të komanduar nga oficerët e dalluar të njësive speciale Hysen Ymeri, Kastriot Hoxha, Agron Dhimarko, Ylli Mici e të tjerë.
Pas kthimit nga Shqipëria, Xhevati ishte njeriu i parë në rrethin tonë në cilësinë e ushtarakut që ishte ngarkuar me detyrë dhe i autorizuar për përzgjedhjen, organizimin dhe përgaditjen në cilësi ushtarake të shokëve. Kështu në bashkëpunim të ngushtë me shokun e organizatës Ahmet Alia, Selami Bejta e Ekrem Qerimi të fillojë organizimin konkret me shokët e organizuar të ilegsles në përgaditjet e e njësiteve të para luftarake në Anamoravë.
Nëpërmjet Ahmet Alisë, morën detyrë të riorganizonin njësitet e mbrojtjes që ishin të formuara me vendim të Këshillit të Rrethit që nëmuajin Maj të viti 1991. Xhevati dha udhëzimet që njësitet ekzistuese të ndarë në grupe të riorganizoheshin dhe udhëheqësit e këtyre grupeve të lidheshin me një vijë të koordinimit për veprime të përbashkëta, pra këto njësite të kishin një strukturë komanduese, të pajiseshin me armë përsonale dhe të përgatiteshin për veprim në rast nevoje.
Pas kthimit nga Shqipëria të grupit të Dytë që nnjihet si grupi i Adem Jasharit dhe dekonspirimit të tij, zbulohet edhe Grupi i Parë, por me gjasë edhe dikush nga radhët tona ishte marrë në hetuesi dhe kishte dekonspiruar në UDB. Kështu që filloi përndjekja dhe shtimi i masave policoro – ushtarake, me një brutalitet të shtuar e të shfrenuar duke burgosur pjestarë të atyre grupeve si dhe përndjekur anëtarë tjerë të Organizatës. Andaj një pjesë mjaft e madhe e veprimtarëve që i kishin shpëtuar burgosjes kishin emigruar jashtë vendit, një pjesë kishte kaluar në Shqipëri, e një pjesë tjetër në gjysëm ilegalitet dhe ilegalitet të thelllë vepronin akoma brenda vendit.
Përkundër këtyre zhvillimeve, Xhevati nuk pushoi së vepruari asnjëherë, kudo e ngado që shkonte krijonte baza të reja, duke kontribuar që të forcoheshin lidhjet tona tanimë të krijuara nga ai edhe në Shqipëri për çështje armatimi me synimin kryesor, bashkimin e të gjitha forcave për luftë të armatosur kundër armikut tonë shekullor.
Më vonë u dëshmua se këto sruktura të mirorganizuara ilegale dhe këto grupe ishin pararendëse të USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS dhe poashtu ishin bazë e organizimit të luftës së armatosur edhe në rrethin tonë që më vonë mori emrin Zona Operative e Karadakut e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me Komandant Ahmet Isufi.
Xhevati ishte kthyer vetëm një natë më parë nga Shqipëria për të realizuar obligimet dhe detyrat e lëna përgjysmë, për mos ta lënë asnjë qëllim të pa përmbushur në jetën e tij që e donte aq shumë dhe që shpesh e thoshte: “Jetën tonë ja kemi borxh vetëm Atdheut dhe askujt tjetër “.
Xhevati kishte dëshirë mbi dëshirat ta shihte të lirë vendin dhe popullin e tij duke sakrifikuar gjithçka nga vetja e vet deri në frymën e fundit të jetës së tij, të marrë padrejtësisht e pabesisht, më 10 Janar 1993, me vrasje të kurdisur “aksidentale” në komunikacion (të provuar edhe dy a tre herë më parë), në mënyrë shumë të kamufluar dhe tinzare nga njerëz të shërbimit sekret serbo-sllav! Ngjarje dhe rast misterioz i pa zbuluar e i heshtur qëllimisht, i pasqaruar as atëherë zyrtarisht nga organet përkatëse edhepse familja e babai tij kishte angazhuar Avokat dhe kishte kërkuar disa herë sqarime, nuk kishte marrë kurrë asnjë përgjigje, asnjë letër e asnjë dokument nga asnjë organ përgjegjës i asaj periudhe dhe nuk ishte mbajtur kurrë asnjë gjygj edhepse aty kishin mbetur dy njerz të vdekur (vjehrri i Xhevatit Sejdi Demi dhe dy të tjerë të ënduar rëndë …?!.
Lavdia i takon Xhevatit dhe veprimtarisë së tij heroike, ndërsa dhembja e krenaria do të qëndrojë e jetojë gjithmonë tek nëna Rexhije, baba Basri, motrat e vëllezërit e tij, bashkëshortja Imrija dhe bijat Qëndresa e Jetmira, si dhe tek të gjithë ata që e patën shok të idealit, bashkëveprimtar në luftën për liri, por edhe mik e familjarë, gjithashtu me krenarinë për gjyshin do të rritet edhe nipërit i tij Kolosi, Doni dhe Drita.
Xhevati e ka fituar pavdekësinë me veprimtarinë e tij të dëshmuar si luftëtarë i denjë i lirisë për idealin e shenjtë të Qëndresës për çlirim dhe bashkim kombëtar, për ndjenjën e tij patriotike e njerëzore, që populli shqipëtar të jetoj mirë e në begati dhe i lirë në tokat e veta të bashkuara në një shtet e të vetëm nën Flamurin kuq e zi me Shqipen dykrenare!
Tani Xhevat Qerimi pushon pranë shokëve të idealit dhe luftës për liri aty ku shkruhet historia e lavdishme e kësajë ane në Varreznat e Dëshmorëve të Kombit në Gjilan.
LAVDI E PËRJETSHME JETËS DHE VEPRËS SË DËSHMORIT XHEVAT QERIMI !
LAVDI DËSHMORËVE TË KKOMBIT!
10 Janar 2025
Irfan Musmurati
Shok, bashëkveprimtar i Heroit Xhevat Qerimi.
(Shok celule 1985-1993).