Xhevdet Tahiri emërohet ushtrues detyre i drejtorit të “Trepçës”
Bordi Mbikëqyrës i “Trepça sh.a”, ka emëruar në pozitën e ushtruesit të detyrës së menaxherit Xhevdet Tahiri. Këtë e bëri të ditur kryesuesi i bordit të “Trepçë”-s, Ardian Syla.
Tahiri është magjistër i shkencave të xehetarisë dhe ka mbi 15 vite përvojë pune në Ndërmarrjen “Trepça”.
Emërimi i Tahiri, në këtë pozitë, sipas Sylës, ka ardhur si rrjedhojë e miratimit të pushimit vjetor të ish ushtruesit të detyrës z. Miftar Hyseni i cili njiherit pensionohet në dhjetor të këtij viti.
Njoftimi i plotë i Sylës në profilin e vet në “Facebook”:
Njoftojmë gjithë opinionin publik si dhe gjithë të punësuarit në Ndërmarrjen “Trepça” se Bordi Mbikqyrës i Trepça sh.a. bazuar në kompetencat mbi Ligjin për Trepçën si dhe legjislacionin tjetër në fuqi në mbledhjen e mbajtur me datë 27.11.2018 ka emëruar në pozitën e ushtruesit të detyrës së menaxherit z. Xhevdet Tahiri.
Tahiri është magjistër i shkencave të xehtarisë dhe ka mbi 15 vite përvojë pune në Ndërmarrjen “Trepça”. Ushtruesi i detyrës së menaxherit të Trepçës është zotuar se do të punojë me përkushtim të madh me qëllim të përmirësimit të situatës në prodhim. Prodhimi në Ndërmarrjen “Trepça” ka shënuar rënie të vazhdueshme viteve të fundit për shumë arsye të ndryshme. Faktorë të ndryshëm kanë ndikuar në rënien e prodhimit siç janë fuqia e re punëtore, mungesa e investimeve kapitale, teknologjia e vjetëruar, mirëpo duke mos përjashtuar edhe mos disiplinën në punë si dhe mos respektimin e obligimeve që dalin nga kontrata e punës. Tahiri do të ketë mbështetjen e plotë të Bordit Mbikëqyrës dhe gjitha institucioneve relevante në ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme dhe të domosdoshme me qëllim të përmirësimit të gjendjes në prodhim si dhe stabilizimin e gjendjes financiare të ndërmarrjes.Emërimi i z.Tahiri në këtë pozitë ka ardhur si rrjedhojë e miratimit të pushimit vjetor të ish ushtruesit të detyrës z. Miftar Hyseni i cili njëherit pensionohet në dhjetor të këtij viti.
/Epoka e re/