‘XHEVDETDODASIT’ E PRISHTINËS DHE UÇK-ja

21 dhjetor 2022 | 15:14

Nga: Binak Ulaj, drejtor i Gjimnazit “Xhevdet Doda” tw Prishtinës gjatë viteve 1998-1999

Duke vlerësuar se kontributi i nxënësve të gjimnazit ‘’Xhevdet Doda’’ të Prishtinës në kuadër të lëvizjes gjithëpopullore për çlirimin e Kosovës dhe në mënyrë të veçantë në kuadër të organizimit luftarak të Lëvizjes Popullore të Kosovës, që i parapriu themelimit dhe daljes në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, zë fill që nga vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, po e lexoj tekstin e shkurtuar të titulluar ‘’Xhevdetdodasit – ndihmëtarë të paepur të luftës së UÇK-së’’, kushtuar atij grupi entuziast dhe idealist, në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi të përhershëm.

Në vitin 1997 Kosova po hynte në një periudhë vendimtare historike, asaj të ngritjes në luftë të armatosur, si mënyra e vetme për t’ u çliruar nga pushtuesit serbë e malazezë, siç ishte paraparë në programet e të gjitha organizmave të Lëvizjes Kombëtare Çlirimtare. Mbështetjes së luftës së UÇK-së nga nxënësit e gjimnazit “Xhevdet Doda” të Prishtinës, i kishte paraprirë mbështetja e po këtyre nxënësve dhënë Lëvizjes Studentore të Universitetit të Prishtinës të viteve 1997-98-99, e cila ishte uverturë e daljes publike të UÇK-së. Xhevdetdodasit do të marrin pjesë në të gjitha demonstratat e organizuara nga UPS i UP-së.

Organizimi i tryezës politike “Kosova, lufta çlirimtare dhe mundësitë e zgjidhjes së çështjes së Kosovës”

Në rrethanat kur udhëheqja politike e Kosovës, e cila përfaqësonte politikën pacifiste në rrethana okupimi, nuk e kishte mbështetur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke krijuar kështu huti dhe përçarje në mesin e popullit, nxënësit e gjimnazit “Xhevdet Doda” të Prishtinës, përkatësisht udhëheqja e Rinisë Shkollore dhe e revistës së saj “Gjimnazisti” e vitit shkollor 1998-1999 kishin vepruar në mënyrë rrënjësore të ndryshme nga kjo politikë pacifiste – maturantët xhevdetdodas në mënyrë të hapur e të fuqishme jepnin mesazhin e mbështetjes së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nxënësit Samire Ademi, Besfort Rrecaj, Arianit Bytyçi, Fiton Peja, Bujar Sadiku, Kushtrim Berisha, Albana Rexhepi, Valbona Ruka, Ermal Sadiku, Kreshnik Gashi dhe nxënës tjerë që në shtator të vitit 1998, pra në momentin kur ishin zgjedhur në krye të organizatës së Rinisë Shkollore dhe të redaksisë së revistës “Gjimnazisti” kishin dëshmuar në mënyrë të hapur vullnetin dhe gatishmërinë e tyre për të mbështetur luftën çlirimtare. Fillimisht ata, në shtator të viti 1998, do të ftojnë njohës të rrethanave politike në një tryezë kushtuar luftës së UÇK-së, të titulluar “Kosova, lufta çlirimtare dhe mundësitë  e zgjidhjes së çështjes së Kosovës’’ në të cilën do të marrin pjesë  profesorët Blerim Reka, Behlul Beqaj, Arsim Bajrami, kryetari i Kuvendit të Unionit të Pavarur të Studentëve të UP-së, Muhamet Mavraj, profesori Sahit Berisha e drejtori i shkollës Binak Ulaj, si dhe Kryesia e Rinisë Shkollore, redaksia e revistës ‘’Gjimnazisti’’ dhe një numër i nxënësve tjerë. Pas diskutimeve u nxor konkluzion i përbashkët se lufta çlirimtare ishte e domosdoshme dhe se ajo duhej të përkrahej nga të gjithë. Këtë aktivitet të Rinisë Shkollore, si dhe pjesëmarrjen e nxënësve xhevdetdodas në të gjitha demonstratat e kohës do t’i përjetësojë me fotoaparatin e tij, profesor Shyqëri Obërtinca.

Në këto rrethana të luftës, kryeredaktori i revistës, Fiton Peja, redaktori përgjegjës Arianit Bytyçi, si dhe anëtarët e redaksisë Bujar Sadiku, Krenare Sogojeva, Albana Rexhepi, Valbona Ruka, Nita Bekqeli, Kaltrina Berisha, Vegim Beqiri, si dhe nxënësi që ishte shpërngulur nga Rahoveci, Qerim Ondozi, kishin përgatitur shkrime autoriale, poezi, intervista e anketa në mbështetje të luftës çlirimtare të UÇK-së.

Shndërrimi i revistës së nxënësve të gjimnazit “Xhevdet Doda” të Prishtinës – “Gjimnazisti” në zëdhënëse urbane të UÇK-së në Prishtinë

Të gjithë këta artikuj gazetaresk, këta nxënës i kishin botuar në numrin e revistës shkollore “Gjimnazisti” të botuar në prag të festës së 28 nëntorit 1998. Në këtë mënyrë do të dëshmohej jo vetëm përkushtimi dhe pjekuria e tyre, por edhe vizioni për rrugën  e lirisë. Kështu, në “Gjimnazistin’’ e botuar në nëntor të vitit 1998, redaktori përgjegjës i “Gjimnazistit” Arianit Bytyçi në shkrimin me titull “UÇK po përgatitet për fitore të reja” të botuar pas ofensivës së shtatorit të vitit 1998 do të shkruante: “Serbia duhet ta ketë të qartë, se ofensiva kundër UÇK-së ka dështuar. Serbia ndoshta i ka marrë nën kontroll të përkohshëm disa territore, por UÇK-në nuk e ka shkatërruar dhe nuk mund ta shkatërrojë kurrë. UÇK është vetë populli. Lufta çlirimtare e trimave të lirisë po hyn në një fazë të rëndësishme dhe duhet ta kuptojmë një herë e përgjithmonë se vetëm vazhdimi i saj dhe një politikë më aktive mund të na çlirojë nga Serbia.”. Pra siç vërehet qartë, të gjitha shkrimet e nxënësve i përshkon ndjenja e optimizmit në fitoren e luftës. I tillë është reportazhi i Bujar Sadikut me titull “Nuk dorëzohen djemtë e Artakollit’’, ku ai mes tjerash shkruan: “Luftëtarët e lirisë qëndrojnë në mbrojtje të Artakollit. Ata gjatë luftimeve i shkaktuan humbje të mëdha forcave terroriste e paramilitare serbe….Më tej shihet Lajthishta, gërmadhat e së cilës flenë buzë hirit dhe tymit të “Kosovës B”. Breshëri armësh, plumbat vijnë nga lindja në drejtim të Hamidisë e Sibocit. Ra muzgu, askund dritë. Botë krejtësisht tjetër në Artakoll. Nata e gjatë dhe agu i ditës së re, tepër i vonë. Edhe kështu do të jetojmë në këto gërmadha, në tokën tonë, në tokën e të parëve tanë. Këtu jemi.”. Ndërsa, kryeredaktori Fiton Peja në këtë numër të “Gjimnazistit” në një shkrim në bashkëautorësi me redaktorin përgjegjës Arianit Bytyçi do të paraqiste një qëndrim të guximshëm politik për kohën. “Pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në negociata, nuk mund të arrihet kurrfarë  marrëveshje për statusin e ardhshëm të Kosovës. Edhe bota më në fund duhet ta kuptojë se pas agresionit serb në Kosovë, pavarësia e Kosovës është zgjidhja më e drejtë dhe më e qëndrueshme e problemit të Kosovës” shkruante ai. Duke qenë mbështetës të pa rezervë të Lëvizjes Studentore të UP-së, redaksia e revistës “Gjimnazisti” në përvjetorin e parë të demonstratës studentore të 1 tetorit 1997 kishte zhvilluar një intervistë me kryetarin e UPSUP-së, Bujar Dugolli. Intervista me titullin e fuqishëm “Rinia do ta çlirojë Kosovën”, e realizuar nga nxënësit Arianit Bytyçi dhe Vegim Beqiri ishte në frymën e afirmimit të luftës së UÇK-së. Nxënësit realizuan edhe një bisedë me pedagogen e gjimnazit, znj,Nazlishahe Luma, e cila theksonte rëndësinë e solidarizimin me nxënësit e zhvendosur nga zonat e luftës. Edhe shkrimi i nxënëses Krenare Sogojeva me titull “Shiu i rreptë”, edhe shkrimi i Kaltrina Berishës me titull “Një tufë lule për dëshmorët”, edhe poezia e nxënëses Nita Bekqeli, si dhe shkrimet e Albana Rexhepit e Valbona Rukës të botuara në numrin e nëntorit të vitit 1998, ishin tërësisht në përkrahjen e luftës çlirimtare të UÇK-së.

Më shkrimet e tyre dhe në mënyrë të veçantë me botimin në faqe të parë të emblemës së UÇK-së bashkë më rreshtin e luftëtarëve të lirisë, me botimin edhe të betimit të UÇK-së në brendi, shfaqej një orientim i qartë për lexuesit.  S’do mend se botimi i artikujve me emra të vërtetë të autorëve dhe shpërndarja haptazi në Prishtinë e një revistë shkollore me përmbajtje të tillë në vitin 1998 e 1999,  ishte akt guximi dhe gatishmërie për bartjen e pasojave nga këta nxënës, që ishin ende në moshë fare të re. Ata ishin të vetëdijshëm se kërkesa e strukturave të caktuara politike në Prishtinë, të cilët që prej vitesh këndonin këngën e hutinit për ruajtjen e paqes nën robëri, për mos politizimin e shkollës me shkrime të tilla, do të thoshte në fakt, politizim i saj negativ.

“Gjimnazisti” mirëpritet nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës

Më e veçanta e këtij numri të “Gjimnazistit” i cili me përmbajtjen e vet ishte vënë tërësisht në mbështetje të luftës çlirimtare të Kosovës, ishte se ky numër i revistës, kishte arritur të dërgohej edhe në mesin e luftëtarëve të lirisë, të anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në Malet e Berishës dhe në zonën operative të Shalës, në Artakoll, rrëzë Maleve të Çyqavicës. Njëri nga anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Fatmir Limaj-komandant Çeliku, përmes një videoinçizimi të xhiruar nga kameramani i luftës Abaz Zeka, iu ishte drejtuar nxënësve xhevdetdodas me vlerësimet më të larta për mbështetjen dhënë luftëtarëve të lirisë:

“Si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i përshëndes të gjithë nxënësit e gjimnazit “Xhevdet Doda” të Prishtinës….Brenda rreshtave të revistës tuaj shkollore shoh se të gjithë këta djem e vasha me zemër e me shpirt janë brenda radhëve tona. …Ne e dimë se ju keni dëshirë të jeni në radhët tona. Ju porosis se nuk janë ushtarë të UÇK-së vetëm ata që kanë armë në duar. Ushtarë të UÇK-së janë të gjithë ata që ndihmojnë, që propagandojnë për luftën çlirimtare që po udhëheqin vëllezërit dhe motrat tuaja.

… Prandaj, vazhdoni, mësoni, luftoni. Luftë është edhe atje që bëni, prandaj vazhdoni, mos u thyeni, veproni. Unë jam i bindur se ju jeni të ditur, ndërsa mbi të gjitha jeni zemërpastër…..Ky është shansi i fundit. Kemi fatin që ne jemi gjenerata që do t’ia sjellë Kosovës lirinë. Është rast historik, të cilin ne si gjeneratë (në të ju përfshijë edhe ju të dashur nxënës të shkollave të mesme) nuk duhet lëshuar kurrsesi.

….Edhe njëherë në emër të UÇK-së ju përshëndes të gjithëve…. Posaçërisht përshëndes Arianit Bytyçin dhe Këshillin Redaktues të “Gjimnazistit”

Ky mesazh i anëtarit të ShP të UÇK-së, i dhënë më 28 Nëntor 1998, ditën e festës sonë kombëtare, ishte edhe një motiv shtesë për redaksinë e “Gjimnazistit” dhe për Organizatën e Rinisë Shkollore që të vazhdojë angazhimin në mbështetje të luftës çlirimtare. Në momentin kur mesazhi i xhiruar i komandant Çelikut arriti në redaksinë e “Gjimnazistit”, ai u botua në numrin festiv të revistës, në dhjetor të vitit 1998, pa asnjë frikë nga pasojat eventuale që mund të vinin nga regjimi shtetëror serb, si rezultat i botimit i këtij mesazhi, ku përmendeshin edhe emra të drejtuesve të “Gjimnazistit” dhe shpreheshin përshëndetje e falënderime ndaj tyre. Madje, duke mos u ndalur vetëm me kaq, redaksia e “Gjimnazistit” në numrin e radhës, që ishte numri festiv i Vitit të Ri 1999, kishte botuar në ballinë pikërisht fotografinë e komandant Çelikut duke shfletuar revistën “Gjimnazisti” dhe në prapavijë të kësaj fotografie ishte integruar një logo madhështore e UÇK-së, ndërsa në kopertinë ishte botuar po ashtu me ngjyra edhe kalendari i vitit 1999 me fotografi të luftëtarëve të UÇK-së. Në këtë numër festiv nxënësit Bujar Sadiku, Arieta Dragusha, Arianit Bytyçi, Fiton Peja, Kushtrim Berisha, Albana Rexhepi, Vigan Shabani, Valbona Ruka, Arbëreshë Selimaj dhe Ylli Karaçica kishin botuar shumë shkrime autoriale, reportazhe, anketa, intervista, poezi, dhe materiale tjera në mbështetje të luftës së UÇK-së.

Nxënësja Arieta Dragusha në një shkrim letrar “Ëndrrat tona do t’i kthejmë në realitet” shpreson për lirinë e Kosovës, përderisa nxënësi Kushtrim Berisha në shkrimin me frymë kritike të titulluar “Përderisa atje luftojnë! Këtu…!” e me nëntitull “UÇK-ja është shpresë dhe njëherit shpëtim kombëtar” shkruan: “Përderisa bijtë dhe bijat e Kosovës e sakrifikojnë jetën e tyre, derisa për pavarësinë e Kosovës shkrihet jeta e shumë ushtarëve, e këtu, këtu bëhet sikur jetojmë në një botë tjetër, në atë botë të ëndërrimeve, duke ndenjur nëpër kafeteri e duke hapur propaganda kundër UÇK-së… Por, fitorja është në duar të popullit, në duar të UÇK-së, sepse nuk ka pasion më të shtrenjtë se pasioni për atdheun”. Ndërsa, në një shkrim autorial, Arianit Bytyçi, pasi vlerëson rolin e UÇK-së gjatë vitit 1998, bën ftesë të hapur për mbështetjen saj: “Lufta e pjesëtarëve të UÇK-së, gjaku i dëshmorëve tanë, që ranë në fushën e nderit, bëri që çështja e Kosovës të gjendet në krye të agjendave ndërkombëtare, duke u trajtuar edhe në organet më të larta të OKB-së, si problem serioz që do zgjidhje të drejtë e urgjente. Prandaj, sot UÇK-ja me të drejtë konsiderohet si faktor real politik e ushtarak edhe nga institucionet relevante ndërkombëtare, që në asnjë mënyrë nuk mund të anashkalohet e injorohet. …Duke e çmuar dhe duke e mbështetur e ndihmuar UÇK-në plotësisht, ne ndihmojmë luftën tonë për lirinë e Kosovës. Sa më parë ta bëjmë atë, aq më mirë do të jetë për të gjithë ne. Koha nuk pret dhe secili prej nesh duhet ta japë kontributin konkret duke iu bashkëngjitur dhe duke mbështetur UÇK-në.”

Përmes artikullit “Së shpejti do të kthehemi në vatrat tona” që realizuan maturantët e ‘98-tës’, Valbona Ruka dhe Bujar Sadiku, u anketuan nxënësit e zhvendosur nga vatrat e luftës, Sokol Krasniqi, Arta Birinxhiku, Kosovare Kuçi, Arsim Bajraktari dhe Albana Ferizi. Ata njëzëri theksonin se çlirimi i Kosovës do të bëhet nga UÇK-ja. Po ashtu, nxënësi Vigan Shabani me shkrimin “Drenicë nuk je vetëm”, shpreh vendosmërinë për vazhdimin e luftës çlirimtare deri në arritjen e lirisë e të pavarësisë së Kosovës, përderisa Ylli Karaçica në shkrimin e tij fton për unitet: “Derisa luftëtarët trima të UÇK-së përballen me barbarët dhe kriminelët serbë dhe luftojnë me vendosmëri dhe sakrifica për çlirimin e plotë të Kosovës, ju udhëheqësit tanë mbeteni të përçarë. Bashkohuni, ky është shansi i fundit, se po u vonuam historia nuk do të na e falë.” – shkruan ai. Vlen të theksohet se në vitin shkollor 1998/1999 gjimnazi “Xhevdet Doda” do t’ i mirëpres njëqind e nëntëdhjetë e tre nxënës nga zonat e luftës, shumica nga Drenica, por edhe nga vise tjera.

Për hir të së vërtetës, është e rëndësishme të potencohet fakti se numri festiv i “Gjimnazistit”, për arsye të shmangies nga forcat policore dhe ushtarake terroriste serbe, ishte realizuar grafikisht nga xhevdetdodasit në zyrat e “Botës së re” gazetës së studentëve të UP-së, në lagjen Velania të Prishtinës. Redaksia e “Gjimnazistit” kishte gjetur mbështetjen e kryeredaktorit të “Botës së Re”, Muhamet Mavraj që të shfrytëzonte ambientet e kësaj gazete kryesisht natën vonë për realizimin grafik të numrit festiv të “Gjimnazistit”.

Pas botimit të numrit festiv të “Gjimnazistit” dhe shpërndarjes së tij në Prishtinë në mesin e gjimnazistëve por edhe studentëve, nxënësit Arianit Bytyçi, Fiton Peja, Bujar Sadiku dhe Albana Rexhepi, si dhe nxënësi Kushtrim Berisha dhe babai i tij, profesori, Sahit Berisha vendosën që Vitin e Ri 1999 ta presin në mesin e luftëtarëve të lirisë. Nxënësit Bujar Sadiku dhe Albana Rexhepi me gjithë rreziqet e shumta kishin arritur që numrin festiv të “Gjimnazistit” ta dërgonin tek njësitet e UÇK-së në Artakoll, rrëzë Maleve të Çyqavicës, ku edhe kishin pritur ndërrimin e moteve bashkë me luftëtarët e lirisë. Në anën tjetër nxënësi Arianit Bytyçi kishte marrë udhë përplot rreziqe nga Prishtina bashkë me babain e tij, gazetarin Nuhi Bytyçi dhe kameramanin Abaz Zeka në drejtim të Maleve të Berishës, në zonën ku vepronte Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Në këtë zonë, “Gjimnazistin” kishin rrezikuar duke e dërguar edhe profesori Sahit Berisha dhe i biri i tij, nxënësi Kushtrim Berisha, si dhe nxënësi Fiton Peja. Nxënësi Arianit Bytyçi rikujton se gjatë takimit, zëvendëskomandanti i UÇK-së, Jakup Krasniqi, si dhe drejtuesit tjerë të UÇK-së, Fatmir Limaj, Rexhep Selimi, Adem Graboci, Haxhi Shala, Sali Veseli, Shaban Dragaj, Çerkin Dukolli, Naser Hoxha, Avdi Rraci, Naser Shala, Shefqet Buçaj dhe shumë luftëtarë tjerë të UÇK-së, pasi e shfletuan numrin festiv të revistës “Gjimnazisti”, shprehën edhe njëherë mirënjohjen dhe falënderimet e tyre për mbështetjen e hapur të nxënësve të gjimnazit “Xhevdet Doda” të Prishtinës për UÇK-në.

Duhet potencuar edhe faktin se duke menduar se nuk po bëjnë sa duhet për luftën çlirimtare, ndonjëri prej këtyre nxënësve të gjimnazit “Xhevdet Doda”,  ishin të vendosur t’u bashkoheshin luftëtarëve të lirisë. Nuk e harroj asnjëherë rastin kur nxënësi, Bujar Sadiku, kishte ardhur në shtëpinë time së bashku me profesorin Sahit Berisha, për t’ u përshëndetur dhe thënë se në vend të çantës me libra ai do të rrokte armët.

Duke pasur parasysh porosinë e  Përfaqësuesit Politik të UÇK-së, bacës Adem Demaçi  dhe atë të komandantit të shquar të UÇK-së, Shaban Shala, tani Hero i Kombit, me të cilët kam pasur nderin të njihem e bashkëpunoj në KMDLNJ gjatë viteve të nëntëdhjeta, se aktivitetin duhet përqendruar edhe në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve, veçmas të të rinjve, kisha arritur ta bindja se lufta nuk dihet sa do të zgjas dhe se ai dhe shokët e tij duhej të jepnin kontributin e tyre në Prishtinë. Shkuarja e tyre në zonat e luftës kishte rëndësi të veçantë edhe për atë se prej  andej, këta djem e vajza, shkruanin për ngjarje konkrete lufte, që i kishin parë edhe vetë, dhe sillnin fotografi, botimi i të cilave e bënte revistën e tyre tribunë publike të UÇK-së.

Dihet se brezat identifikohen me ata që lënë gjurmë në rrjedhat historike të  kohës. Në një  periudhë të rëndë, por të ndritshme të luftës për liri, kur më së miri dëshmohej dinjiteti i individit, por edhe i kolektivit, gjurmë të tilla kanë lënë edhe ata djem e vasha xhevdetdodas, maturantë të vitit shkollor 1998/1999.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka publikuar listën e 10…