Xhevë Krasniqi-Lladrovci, figurë e shquar e luftës çlirimtare të Kosovës
Agim Vinca
Në luftërat për liri të popullit shqiptar në shekuj, krahas burrave, janë shquar edhe gratë. Nga kohët e lashta e deri në ditët e sotme është i madh numri i vajzave dhe grave që luftuan e sakrifikuan për lirinë e atdheut dhe mbrothësinë e kombit. Xhevë Krasniqi-Lladrovci (1955-1998) është pa dyshim njëra nga ato gra e vajza që ranë në luftë për çlirimin e Kosovës, duke u bërë gur themeli në godinën e lirisë dhe të pavarësisë së saj.
Xheva lindi dhe u rrit në Drenoc të Malishevës në një familje atdhetare. Babai i saj, Abdyl Krasniqi, ka hyrë në kujtesën tonë kolektive si njeriu që zbuloi eshtrat e heroit Azem Galica, i cili para se të vdiste nga plagët e marra në përpjekje me xhandarët serbë, u la amanet bashkëluftëtarëve të tij, përfshirë edhe të shoqen, Shotën, që ta varrosnin në fshehtësi në një shpellë. Pas zbulimit të varrit të tij të fshehtë në vitin 1971, 47 vjet pas vdekjes, heroi legjendar u rivarros me nderime në vendlindjen e tij në Galicë.
Xheva u rrit në një familje ku flitej për historinë kombëtare dhe për heronjtë që ranë në altarin e atdheut “rreth flamurit të përbashkuar”, për Kosovën dhe bashkimin e saj me Shqipërinë-mëmë, ndjenja këto që u ngjizën edhe në shpirtin e njomë të fëmijëve të bacës Abdyl dhe sidomos të vajzës së tij që kishte lindur duket për t’u bërë edhe vetë heroinë, Xhevës.
Edukatën e marrë në familje, vajza e re do ta plotësojë gjatë shkollimit të saj fillor e të mesëm dhe sidomos gjatë studimeve në Universitetin e Prishtinës, ku kreu dy fakultete: gjuhë e letërsi shqipe dhe shkenca juridike. Por moment vendimtar në formimin e saj politik e atdhetar do të jetë pa dyshim njohja me njeriun që do të bëhej shoku i saj i jetës dhe i idealit, me Fehmi Lladrovcin (1956-1998).
Nuk mund të flitet, prandaj, për Xhevën pa folur edhe për Fehmiun dhe e kundërta, sepse ata janë një binom i pandarë. Ashtu si Shota dhe Azemi dikur, rreth 80 vjet më parë. Nga dita kur u njohën dhe u lidhën me një dashuri të pastër për njëri-tjetrin dhe me përkushtimin për atdheun, ata nuk u ndanë më. Jetuan, punuan, vepruan, vuajtën, kënduan, qanë dhe u gëzuan bashkë.
Në vendlindje, në Kosovë; në Zagreb, Kroaci, në Evropë, në Zvicër e Gjermani dhe përsëri në vendlindje, në Kosovë, kudo bashkë; në luftë e në beteja. As vdekja nuk i ndau, sepse ata, ashtu siç luftuan bashkë, edhe ranë bashkë, për të shkuar së bashku edhe në pavdekësi. Kur Fehmiu ra në burg, në vitet ’80-ta, Xheva shkoi të jetonte në familjen e tij, me prindërit e Fehmiut dhe anëtarët e tjerë të familjes, edhe pse ata ishin vetëm të fejuar. Veprim atipik, sigurisht, i paparë në një mjedis konservator, çfarë është mjedisi ynë, por heronjtë dhe heroinat i thyejnë rregullat dhe klishetë.
Xheva e priti Fehmiun si Penelopa Odiseun në Itakën e saj, në Drenicën kryengritëse, shtatë vjet e gjysmë, derisa u lirua nga burgu në qershor të vitit 1990. Do ta priste edhe aq, përjetësisht, po të ishte e nevojshme. Sepse, Xhevë Krasniqi është një Penelopë shqiptare, por edhe një Zhanë d’Arkë njëkohësisht dhe jo e antikës dhe mesjetës, por e shekullit XX. Xhevë Krasniqi-Lladrovci është gruaja me titullin më të lartë ushtarak në Kosovë: “gjeneral- majore”.
Pa akademi ushtarake, por me përvojën luftarake të fituar në jetë dhe në front, përkrah bashkudhëtarit dhe bashkëluftëtarit të saj të pandashëm, Fehmiut. Fehmi dhe Xhevë Lladrovci nuk ishin vetëm luftëtarë trima, të gatshëm për sakrifica, por edhe njerëz me përgatitje politike dhe ushtarake.
Në intervistën dhënë “BBC”-së Fehmiu tregon shkaqet politike që çuan në formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në shpërthimin e kryengritjes së armatosur në Kosovë, kurse Xheva, në letrat e saj dërguar atij, tregon se ishte vajzë me një formim shpirtëror e intelektual për t’u pasur lakmi. Është bërë proverbiale deklarata e Fehmiut dhënë agjencisë prestigjioze angleze pak kohë para se të binte në fushën e betejës: “Vdekja për lirinë e Kosovës do të ishte fati im më i madh jetësor”.
Fjalë të mëdha, pa dyshim, zotim sublim! Komandanti sypatrembur i brigadës “114” fliste jo vetëm në emër të vet, por edhe të gjysmës tjetër të tij, Xhevës. Koha tregoi se ata nuk ishin njerëz të fjalëve, por të veprës, që i qëndrojnë zotimit dhe nuk i bëjnë bisht rrezikut. Në shtator të vitit 1998, kur Serbia ndërmori ofensivën ushtarake për zhbërjen e UÇK-së, ofensivë së cilës i gëzohej, për turp, edhe një pjesë e shqiptarëve, ithtarët e të ashtuquajturës “rezistencë paqësore”, Fehmiu dhe Xheva nuk pranuan të largoheshin nga pozicionet. Luftëtarët e vërtetë nuk pranojnë t’i dorëzojnë armët, e aq më pak të dorëzohen vetë, territori i lirë duhej mbrojtur, armikut i duhej treguar se djemtë dhe vashat e UÇK-së e kishin seriozisht dhe ishin të gatshëm për çdo sakrificë.
Njëzet vjet më parë, më 22 shtator 1998, Fehmi e Xhevë Lladrovci ranë në fushën e nderit, në afërsi të fshatit Shkabë, bashkë që të dy. Ashtu siç rrugëtuan në jetë dhe në aktivitetin e tyre shumëvjeçar, ashtu u nisën edhe drejt vdekjes dhe – pavdekësisë. Tok, or Marathonomak! Pas rënies së Zahir Pajazitit me shokë dhe sidomos pas epopesë së Prekazit, ky ishte një akt tjetër heroik, që i dha impulse të reja luftës çlirimtare në Kosovë dhe e shpejtoi ditën e çlirimit të saj.
Në nëntor të vitit 1998, pak kohë pas rënies së Fehmiut dhe Xhevës, pata shkruar poezinë Vdekja e luftëtarit. Nuk është e tepërt mbase t’i kujtojmë vargjet e kësaj poezie me këtë rast, në këtë orë përkujtimore. “Thonë se ndërsa po vdiste/ nga plagët e marra në fushëbetejë / diku rrëzë Çiçavicës / komandanti Fehmi Lladrovci/ paskësh thënë veç një fjalë: / Po shkoj te Ademi. Te Adem Jashari! / Dhe paskësh mbyllur sytë i qetë, / siç i ka hije një luftëtari. / Lamtumirë Fehmi! / Lamtumirë Adem! / Lamtumirë kapedanë!/ Me ju Kosova u bind se kishte bij,/ me ju e ndjeu veten Nanë!”/. Kjo poezi qe botuar në nëntor të ‘98-s në gazetën “Drita” të Tiranës, sepse “Bujku” i shkretë i Prishtinës nuk botonte në atë kohë poezi si kjo; më vonë e pata përfshirë edhe në librin tim me Në librin Përjetësia e dyfishtë të Bedri Islamit jepet një e dhënë interesante lidhur me këtë fazë të jetës së Xhevës.
Gjatë kohës që Fehmiu ishte në burg në Stara Gradishkë të Kroacisë, nusja e Lladrovcëve, ia mëson të vjehrrës, nënës së Fehmiut, shkrimleximin, në mënyrë që ajo t’i shkruante të birit me dorën e saj letrën e parë në burg. “I putha ato shkronja një nga një”, do të shkruante Fehmiu në përgjigjen e tij.. poezi Psalmet e rrënjës (2007). Por, ndërsa po e përgatisja librin për botim, m’u duk se i kasha mbetur borxh Xhevës, andaj shkrova edhe një poezi të shkurtër për të, e cila, ndonëse nuk e ka forcën e të parës, megjithatë thotë diçka për figurën dhe sakrificën e saj: “Xhevë Krasniqi – Lladrovci: Kurrë s’u nda nga i shoqi, Fehmiu. / Mësa Shota nga Azemi. / Lindi veç një fëmijë: / Vajzën e bukur me emrin Liri”.
Filozofi i madh antik, Platoni, thoshte se kush dëshiron të lindë fëmijë të pavdekshëm duhet t’u drejtohet ideve. A ka ide më të madhe sesa liria e popujve dhe e mbarë njerëzimit? Ata që luftojnë për ideale quhen idealistë, e të tillët zakonisht bien në luftë dhe nuk e presin mbarimin e saj, kur idealet zbehen dhe ndodh që edhe zëvendësohen krejtësisht nga pragmatizmi politik dhe lufta për pushtet. Vetëm të rrallët i rezistojnë tundimit të pushtetit dhe privilegjeve që ofron ai. 1998-2018.
Njëzet vjet pas rënies së tyre Kosova është vend i lirë dhe shtet i pavarur, por larg, shumë larg asaj Kosove që e ëndërruan ata që ranë për të, dëshmorët tanë dhe ne të gjallët tok me ta. Në këtë kohë zhgënjimesh dhe mashtrimesh të mëdha, kur veteranë të luftës ndodh të shpallen edhe njerëzit që nuk kanë qenë asnjë ditë në luftë, kurse heroina edhe viktimat e dhunës seksuale, heronjtë e vërtetë si Fehmi Lladrovci dhe heroinat e vërteta si Xhevë Krasniqi-Lladrovci fitojnë peshë edhe më të madhe dhe duhet të na shërbejnë si shëmbëlltyrë.
Lavdi u qoftë!
(Fjalë e mbajtur në akademinë përkujtimore kushtuar heroinës Xhevë Krasniqi-Lladrovci në organizim të Ministrisë së Diasporës të Republikës së Kosovës, në Prishtinë, më 1 qershor 2018)