Xhudistët shpërblehen për sukseset në Kampionatin Evropian
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi, ka ndarë shpërblimet shtetërore për xhudistët Distria Krasniqi e Akil Gjakova dhe për trajnerin Driton Kuka, pas rezultateve të arritura në Kampionatin Evropian të Xhudos i cili u mbajt në nëntor të vitit të kaluar në Podgoricë, në një vlerë të përgjithshme prej 12.750 euro.
Në bazë të rregullores për ndarjen e shpërblimeve shtetërore për sportistët që arrijnë rezultate kulmore në garat ndërkombëtare, ministri Gashi, i ndau shpërblimin prej 5,000 euro xhudistes Distria Krasniqi, e cila fitoi Medaljen e Artë në këtë kampionat në kategorinë deri në 52 kg.
Ndërkaq, xhudistit Akil Gjakova i takoi shpërblimi në vlerë prej 3,500 euro, për fitoren e Medaljes së Argjendtë në kategorinë deri në 73 kg, kurse trajneri Driton Kuka mori shpërblimin 2,500 euro si trajner i Distria Krasniqit dhe 1,750 euro si trajner i xhudistit Gjakova. Ministri Gashi duke vlerësimin për sukseset që kanë arritur sportistët e Kosovës, ka deklaruar se: “Ministria do të vazhdojë të jetë në mbështetje dhe përkrahje të juaj por jo vetëm për xhudon por për të gjitha disiplinat sportive dhe në mbështetje të vazhdueshme edhe për Federatën”.
Ai po ashtu bëri me dije se të gjithë ata sportistë që sjellin rezultatet do të vazhdojnë të kenë mbështetjen e Ministrisë.
“Përkushtimi jonë si ministri nuk do të mungojë edhe në ditët në vazhdim. Sportistët të cilët po i sjellin rezultate Kosovës në vazhdimësi e veçanërisht sportistët e xhudos janë vërtetë krenaria jo vetëm e jona si Ministri por edhe e Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës”, u shpreh ministri, duke shprehur falënderim edhe për trajnerin Kuka që si rezultat i punës dhe angazhimit të tij vijnë edhe këto suksese.
Ministri Kujtim Gashi nënvizoi edhe nënshkrimin e Rregullores për sponorizim nga ana e MKRS-së e cila ju mundëson sportistëve dhe sportit në përgjithësi që të kenë edhe një mënyrë të re të financimit, përmes bizneseve dhe donatorëve të ndryshëm dhe kjo mundëson edhe më shumë zhvillimin e sportit në përgjithësi por edhe të sportistëve në veçanti.
Nga ana e saj, xhudistja Distria Krasniqi falënderoi ministrin Gashi për fjalët dhe mbështetjen. “Është kënaqësi kur mundi jonë shpërblehet në këtë mënyrë dhe kur e shohim që edhe institucionet shtetërore po na përkrahin dhe po besojnë në punën që po e bëjmë ne. Shpresoj që edhe në të ardhmen do të kemi suksese dhe këso lloj bashkëpunimi”, u shpreh xhudistja.
Akil Gjakova, tregoi se ndjehet i gëzuar që ka arritur të kthehet me medalje nga Kampionati Evropian. “Do të vazhdojë të punojë që rezultatet të mos mungojnë. Sigurisht që këto shpërblime janë një shtytje më e madhe për neve që të punojmë edhe më tutje”, ka deklaruar ai.
Në anën tjetër, kryetari i Federatës së Xhudos, Agron Kuka, ka thënë se është kënaqësi e veçantë që ndodhet në këtë ngjarje ku MKRS-ja shpërblen sportistët për arritjet e tyre me çmime me vlerë monetare.
“I ftoj publikisht bizneset e në veçanti bankat që të bashkëpunojnë me sportin në përgjithësi duke mos i harruar sportet që i kanë sjell rezultatet më të mëdha sportit të Kosovës si sporti i xhudos, i karatesë dhe i boksit”, ka deklaruar Agron Kuka
Kurse trajneri Driton Kuka e falënderoi ministrin Gashi dhe punën që po bën MKRS-ja në fushën e sportit. Ai ka thënë se xhudoja qysh në fillim të vitit ka arritur rezultat të jashtëzakonshëm duke theksuar faktin se është hera e parë që një garues mashkull të fitojë medaljen.
Ai po ashtu ka thënë se kategorizimi i sporteve, sportistëve dhe trajnerëve dhe Rregullorja për sponsorizime është ajo që i ka munguar legjislacionit për sport.