Xhudo “mbulon” Kosovën me medalje
Sukseset e sportit të xhudos nuk po diskutohen në garat ndërkombëtare. Trajneri Driton Kuka, së bashku me garuesit, e kanë “mbuluar” Kosovën me medalje, duke i bërë të gjithë shqiptarët krenarë.
Xhudo filloi fuqishëm që në muajin janar duke fituar tri medalje në Tunizi. Nora Gjakova e fitoi medaljen e artë në kategorinë -57 kg, kurse Distria Krasniqi dhe Akil Gjakova fituan medaljet e argjendta. Në muajin shkurt ishte gara e Parisit, ku Akil Gjakova e fitoi medaljen e artë, ndërkohë Distria Krasniqi e fitoi medaljen e bronztë. Edhe gara në Antalia rezultoi shumë e suksesshme, pasi xhudistët fituan katër medalje. Nora Gjakova (-57 kg), Distria Krasniqi (-52 kg), Loriana Kuka (-78 kg) fituan të artat, kurse Fjolla Kelmendi (-48 kg) të argjendtën. Edhe në garën e prillit në Izrael, Nora dhe Distria i sollën Kosovës dy medalje. Nora Gjakova e fitoi medaljen e artë falë fitores ndaj gjermanes Theresa Stoll. Distria Krasniqi fitoi të argjendtën, duke shijuar suksesin më të madh për seniore. Sukseseve të xhudos në qershor i shtohet edhe Erza Muminoviq, e cila në Sarajevë të Bosnjës së Hercegovinës u shpall kampione e Evropës për kadete.
Në Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018”, Distria Krasniqi, Nora Gjakova dhe Akil Gjakova fituan tri medalje të arta, kurse Loriana Kuka e fitoi medaljen e argjendtë. Në muajin korrik, Fjolla Kelmendi e ka fituar medaljen e argjendtë në Kampionatin Evropian të Xhudos për Universitete, i cili është mbajtur në Portugali. I papërmbajtshëm në këtë muaj u tregua edhe Akil Gjakova, i cili e fitoi medaljen e artë në Grand Prixin e xhudos në Kroaci. Distria u shfaq në skenë edhe një herë në muajin gusht, duke e fituar medaljen e bronztë në Budapest të Hungarisë. Ndërsa në shtator, Shpat Zeka e fitoi medaljen e argjendtë në evropianin për junior “Sofia 2018”. Në Lojërat Olimpike për të Rinj “Buenos Aires 2018”, Erza Muminoviq shkroi historinë duke e fituar medaljen e bronztë. Erza në Argjentinë e fitoi edhe një medalje të bronztë në garat ekipore. Në tetor, xhudoja e Kosovës fitoi katër medalje në Grand Slamin e mbajtur në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe. Nora fitoi të artën, ndërsa xhudistja më e mirë shqiptare, Majlinda Kelmendi, u rikthye fuqishëm në gara, pas pauzës prej 14 muajsh shkaku i lëndimeve. Ajo fitoi medaljen e argjendtë. Një të tillë e rrëmbeu edhe Distria. Të argjendtën e fitoi edhe Akil Gjakova në kategorinë -73 kg. Në muajin nëntor Akili edhe Loriana janë shpallur kampionë të Evropës për grupmoshën U23. Në Uzbekistan, xhudistet fituan tri medalje: dy të arta dhe një të argjendtë. Majlinda dhe Distria fituan medaljet e arta, ndërsa Nora të argjendtën.
Në Grand Prixin e Hagës, Akil e fitoi medaljen e argjendtë, kurse medaljen e bronztë Distria. Në muajin e fundit të vitit 2018, xhudistet fituan një medalje të artë dhe një të argjendtë në Kinë. Distria e fitoi të artën, kurse Nora u stolis me të argjendtën, ndërsa Akili e zuri vendin e shtatë.
/Epoka e re/