Xhudoja ia zbardhë fytyrën Kosovës, rrëmben dy medalje në Lojërat Olimpike
Sporti i xhudos, i udhëhequr nga Driton Kuka, mbetet i pakonkurrencë në Republikën e Kosovës për rezultate pozitive në arenën ndërkombëtare. Në vitin që po lëmë pas sportistët e xhudos ishin triumfues edhe në Lojërat Olimpike që u mbajtën në Paris. Distria Krasniqi dhe Laura Fazliu rrëmbyen një të argjendtë dhe një të bronztë, derisa rezultatet nuk munguan në asnjë kampionat e garë ku ishin pjesëmarrës sportistët e Kosovës
Veton ZYMBERI
Viti 2024 ishte shumë i suksesshëm për sportin numër një në Kosovë, xhudon. Garuesit kampionë arritën rezultate të mëdha përgjatë gjithë vitit, derisa kulmin e arritën në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, duke rrëmbyer dy medalje, duke e çuar në pesë numrin total të medaljeve olimpike. Në fillim të janarit kampionia olimpike dhe botërore, tashmë trajnerja Majlinda Kelmendi, në Itali e udhëhoqi kampin e xhudos me rreth 1 500 xhudistë. Kampi u organizua nga klubi italian i xhudos Akiyama Settimo, kurse në të kanë marrë pjesë edhe kryetrajneri Driton Kuka dhe ekipi U21 nga Kosova.
Më 9 janar ekipi i xhudos së Kosovës mori pjesë edhe në kampin olimpik në Mitersill të Austrisë. Pjesëmarrës ishin rreth 1 000 garues nga 55 shtete. Më 20 janar është mbajtur kampionati i Kosovës për sendorë në Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë. Kampionati është organizuar nga Federata e Xhudos e Kosovës në bashkëpunim me Klubin e Xhudos “Ippon” nga Peja. Në fund të janarit komuna e Pejës shpalli sportistët e vitit me një ngjarje të veçantë: Driton Kukës i takoi çmimi i trajnerit të vitit, Distria Krasniqi është shpallur sportistja e vitit 2023, kurse Akil Gjakova sportisti i vitit. Fatmir Salihaj e ka rrëmbyer çmimin e gjyqtarit më të mirë, derisa klubi më i suksesshëm “Ippon”. Ndërsa epiteti i sportistit më me perspektivë i takoi Blin Kukës.
Në muajin shkurt filluan të vijnë medaljet në vendin tonë. Një e artë dhe një e bronztë ishte bilanci i medaljeve të fituara nga ekipi olimpik i xhudos në Grand Slamin e mbajtur në Paris të Francës. Distria Krasniqi fitoi medaljen e artë në kategorinë -52 kilogramë. Akil Gjakova fitoi medaljen e bronztë në kategorinë -73 kilogramë, duke shkëlqyer me pesë fitore në një konkurrencë tejet të fortë. Në të njëjtën kategori, Dardan Cena pati njërën prej paraqitjeve më të mira në karrierë, duke shënuar tri fitore radhazi, por që më pas u ndal në çerekfinale dhe në repesazh. Cena doli i shtati.
E suksesshme ishte edhe Nora Gjakova, e cila ishte e pafat në luftën për të bronztën, duke përfunduar në vendin e pestë të kategorisë -57 kg. Në këtë kategori garoi edhe Flaka Loxha, e cila u ndal në raundin e tretë.
Medalje xhudistet arritën edhe në Grand Slam “Baku 2024”. Nora Gjakova ishte e pandalshme deri në finale, ku për arsye të lëndimit është detyruar ta ndërpresë garën dhe ta marrë medaljen e argjendtë. Loriana Kuka dhe Laura Fazliu janë renditur në vendet e shtata. Distria Krasniqi është zgjedhur “Sportistja e vitit” në ngjarjen “Laureatët e Vitit 2023” të organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës, kurse Akil Gjakova “Sportisti i vitit”. Driton Kuka mori çmimin “Trajneri i vitit”.
Në fillim të muajit mars u mbajt Kupa Evropiane për kadetë 2024 në Antali nën udhëheqjen e trajneres Majlinda Kelmendi. Fiona Kuka, Sidorela Dodaj dhe Enise Zijade në këtë garë siguruan vendin e pestë në kategoritë e tyre. Po ashtu, u mbajt Kampi Stërvitor në Golem, Shqipëri, ku pjesëmarrës ishin 120 xhudistë nga të gjitha klubet e Kosovës si dhe xhudistë nga Shqipëria. Kampi është udhëhequr nga kryemjeshtri Driton Kuka dhe asistentet e reprezentacionit “Fatos Tabaku & Majlinda Kelmendi”.
Bashkia e Kavajës, respektivisht kryetari i Bashkisë, Fisnik Qosaj, nderoi me mirënjohje dhe si simbolikë i dhuroi flamurin kombëtar kryemjeshtrit Kuka për kontributin e dhënë në promovimin e sportistëve cilësorë me rezultate të larta në përfaqësimet ndërkombëtare në sportin e xhudos. Më 10 mars Rrezarta Alimi (-63 kg) fitoi medaljen e bronztë në Kupën Evropiane për Juniorë në Podgoricë, kurse Loriana Kuka është eliminuar nga Grand Prix Upper Austria. Ajo u ndal në xhiron e dytë, duke pësuar humbje ndaj kroates Karla Prodan.
Gjashtë ditë më vonë në Nymburk të Çekisë u mbajt Kampi Olimpik “Going for Gold”, nën udhëheqjen e kryemjeshtrit Driton Kuka dhe trajnerit Fatos Tabaku. Në kamp pjesëmarrës ishin 600 garues nga 50 shtete të botës, kurse nuk munguan kampionët e Kosovës, Distra Krasniqi, Akil Gjakova, Laura Fazliu, Loriana Kuka, Flaka Loxha, Dardan Cena, Fatjona Kasapi dhe Sidorela Doda. Më 22 mars Distria Krasniqi (-52 kg) e fitoi medaljen e bronztë në Grand Slamin e Tbilisit të Gjeorgjisë. Xhudistja jonë u njoftua me humbjen në çerekfinale, ku u mposht nga spanjollja Ariane Toro Soler. Ajo vazhdoi në repesazh, ku në raundin e parë e mposhti zviceranen Binta Ndiaye, ndërsa në finale të repesazhit, Krasniqi e mposhti kinezen Yeqing Zhu dhe në këtë mënyrë e rrëmbeu medaljen e bronztë. Ndërsa Laura Fazliu (-63 kg) u rendit e pesta.
Laura për të bronztën humbi nga holandezja Joanne Van Lieshout. Më 13 prill xhudistët e Kosovës ishin pjesë të Kampit Stërvitor Olimpik në Tata të Hungarisë. Një lajm i mirë për Kosovën erdhi më 20 prill nga Sarajeva, ku Jon Kuka (46 kg)e fitoi medaljen e parë në gara zyrtare. Pesë ditë më vonë, Distria dridhi edhe një herë Ballkanin, saktësisht në Kampionatin Evropian të mbajtur në Zagreb e fitoi medaljen e artë. Krasniqi në finale e mposhti garuesen italiane Odette Giuffrida. Në kuadër të komponentit, “Diplomacia publike”, e programit shtetëror “Kosova, shtet i xhudos”, përgjatë dy javëve është mbajtur kampi stërvitor ndërkombëtar në Qendrën Nacionale të Xhudos.
Pjesëmarrës ishin ekipet e xhudos nga Anglia, Bullgaria, Polonia, Afrika e Jugut, Suedia dhe Bosnjë-Hercegovina, ku garuesit u përgatitën për Lojërat Olimpike “Paris 2024”. Kampi është udhëhequr nga trajneri e selektori Driton Kuka. Më 21 maj u regjistrua edhe një sukses i madh, ku Laura Fazliu (63 kg) ka bërë paraqitje fantastike në Botërorin e Xhudos në Abu Dhabi, pasi ka fituar medaljen e bronztë. Në finale të repesazhit pati punë me kanadezen Catherine Beauchemin-Pinard, të cilën e mposhti në kohën e rregullt me një “waza-ari”, për t’u stolisur me medalje. Pas katër ditësh, Roland Berani është stolisur me medalje të bronztë në Kupën Evropiane U15 për Shpresa në Bielsko Biala të Polonisë. Berani fitoi katër ndeshje dhe humbi një. Ndërsa Elvira Ukaj është stolisur me medalje të argjendtë. Ukaj fitoi tri ndeshje dhe humbi një, atë të finales. Më 1 qershor, Blerina Gashi doli e artë, kurse Besjana dhe Bleona Gashi zunë vendet e pesta në Kampionatin Ballkanik për Kadet (U18) në Podgoricë të Malit të Zi. Pjesëmarrës ishin 11 shtete.
Më 16 qershor, Flaka Loxha dhe Erza Muminoviq fituan medalje të bronzta në Kupën Evropiane për Senior në Podçetertek të Sllovenisë. Më 22 qershor, Nora Gjakova kaloi me sukses lëndimin dhe fitoi medaljen e artë në “Pan american Open” në Peru, që ishte gara e fundit kualifikuese para Lojërave Olimpike. Në Peru garoi edhe Dëbora Gjakova që mori medaljen e argjendtë. Në fillim të muajit korrik, Sidorela Dodaj doli e pesta në Kampionatin Evropian U18 në Sofje të Bullgarisë. Ekipi ynë olimpik mori pjesë në kampin e fundit olimpik që u mbajt në Benidorm të Spanjës nga data 2 deri më 6 korrik, para Lojërave Olimpike në Paris. Më 8 korrik Flaka Loxha (-57 kg) e fitoi medaljen e bronztë në Kupën Botërore në Tallin të Estonisë. Loxha për të bronztën mposhti me ngufatje për Ippon holandezen Danique Janssen.
Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Francës, nën organizimin e Ambasadës së Francës në Kosovë me ambasadorin Olivier Guerot, u mbajt demonstrimi i xhudos nga Klubi i Xhudos “Polici” nga Prishtina dhe xhudistëve të këtij klubi. Më 16 korrik u mbajt ceremonia e dorëzimit të flamurit të Republikës së Kosovës nga presidentja Vjosa Osmani për ekipin olimpik. Të pranishëm në këtë ceremoni, përveç presidentes Osmani, ishin edhe kryeministri Albin Kurti, ministri i Sportit, Hajrulla Çeku, ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ambasadori i ShBA-së, Jeffrey Hovenier, kryetari i KOK-ut, Ismet Krasniqi etj. Ceremonia kulmoi me dorëzimin e flamurit nga presidentja Osmani për ekipin olimpik, pranuar nga e arta, Nora Gjakova.
Ekipi i xhudos, nën udhëheqjen e kryemjeshtrit Driton Kuka, ka arritur suksese të mëdha në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. Kosova në këtë Olimpiadë arriti të sigurojë dy medalje olimpike, një të argjendtë dhe një të bronztë dhe një vend të pestë. Me këto arritje, Kosova tani ka gjithsej pesë medalje olimpike. Mbi të gjitha, Distria, Laura, Akili, Loriana dhe Nora na dhanë emocione të jashtëzakonshme.
Nën drejtimin këmbëngulës të kryemjeshtrit Driton Kuka dhe trajnerëve Majlinda Kelmendi e Fatos Tabaku, bashkë me xhudistët e talentuar, Kosova vazhdon traditën dhe përkushtimin në xhudo. Kosova tash është midis vendeve të dëshmuara në sportin e xhudos edhe në arenën ndërkombëtare. Rezultatet: Distria Krasniqi (-52 kg) medalje të argjendtë, Laura Fazliu (-63 kg) medalje të bronztë, Akil Gjakova (-73 kg) vendin e pestë, Loriana Kuka (-78 kg) vendin e nëntë, kurse Nora Gjakova (-57 kg) pa plasman. Pas përfundimit të Lojërave Olimpike, medalistja evropiane e botërore, Loriana Kuka, përfundoi karrierën e suksesshme si xhudiste. Më 7 gusht është bërë pritje për shtetërore për ekipin olimpik të Kosovës në sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë. Pritje solemne është bërë edhe nga komuna e Pejës, nga vijnë kampionët e xhudos. Më 11 gusht Laurina Gashi (-52 kg) e fitoi medaljen e bronztë në Kupën Evropiane për juniorë në Shkup. Gashi për të bronztën mposhti me Ippon serben Anja Cobanoviq. Të bronztën e rrëmbeu edhe Sidorela Dodaj (-48 kg). Dodaj për të bronztën mposhti me “wazaari” në vazhdime serben Iva Miloseviq.
Ndërsa Federata Ndërkombëtare e Xhudos dhe Federata Evropiane e Xhudos kanë dërguar urimet e tyre zyrtare për suksesin e Kosovës në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.
Më 24 gusht KFOR-i amerikan vizitoi Qendrën Nacionale të Xhudos. Në fund të gushtit, Flaka Loxha dhe Dëbora Gjakova fituan medaljet e arta, derisa Erza Muminoviq e Dardan Cena të argjendta, Muhamedin Veseli të bronztën, derisa Anes Veseli doli i pesti në Kampionatin Ballkanik për Senior në “Sarajevë 2024”. Në shtator Flaka Loxha e fitoi medaljen e bronztë në Grand Prix që u mbajt në Zagreb. Në fund të këtij muaji, në Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë është mbajtur turneu ndërkombëtar i xhudos “Xhudo për Paqe” për Kadetë dhe Senior.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e vizitoi ekipin e xhudos ku e përgëzoi trajnerin Kuka dhe ekipin për rezultatet fantastike në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. Trajneri Kuka i dhuroi ambasadorit Hovenier pllakate nga Federata e Xhudos e Kosovës, në shenjë mirënjohje dhe falënderimi. Më 2 tetor është mbajtur Kupa Evropiane dhe sesioni teknik me Majlinda Kelmendin si udhëheqëse në Brno të Çekisë. Në këtë kupë ishin 320 pjesëmarrës, 97 klube nga 19 kombe. Tri ditë më vonë në Kampionatin Ballkanik të Xhudos U21 në Tiranë, Kosova mori pesë medalje të arta me: Estea Arifaj, Enise Zijade, Andi Reshitaj, Muhamedin Veseli dhe Sidorela Dodaj.
Flaka Loxha dhe Erza Muninoviq janë renditur të pestat në Grand Slam Abu Dhabi. Më 19 tetor Blerina Gashi fitoi medaljen e artë në Kupën Evropiane U18 në Riga të Letonisë. Më 22 tetor është mbajtur Kampionati Ballkanik i Xhudos U23 në Pejë, ku morën pjesë rreth 150 garues nga shtetet e Ballkanit. Ekipi i Kosovës fitoi 9 medalje, nga të cilat dy të arta, tri të argjendta dhe katër të bronzta.
Në Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë në tetor është mbajtur Kampi Ndërkombëtar Stërvitor i Xhudos me rreth 200 xhudistë e xhudiste nga shtetet si: Anglia, Shqipëria, Moldavia, Bullgaria, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Çekia, Rumania, Mali i Zi, Turqia dhe ekipi ynë. Ky kamp organizohet në kuadër të programit shtetëror, “Kosova, shtet i xhudos”, nën komponentin “Diplomacia publike”, që ka për qëllim zhvillimin e diplomacisë së Kosovës përmes sportit të xhudos.
Në fund të tetorit sërish xhudo i solli medalje Kosovës dhe kësaj radhe nga “Sarajeva European Open 2024”. Flaka Loxha dhe Erza Muminoviq rrëmbyen medaljet e argjendta. Dardan Cena fitoi medalje të bronztë, kurse Muhamedin Veseli është renditur i pesti. Në fillim të muajit nëntor, trajneri i xhudos, Mustafë Veseli, në kuadër të programit shtetëror “Kosova, shtet i xhudos”, mori pjesë në Seminarin Ndërkombëtar të trajnimit për xhudo në Japoni. Ndërsa në Golem të Shqipërisë për një javë është mbajtur kampi stërvitor dedikuar grupmoshave kadetë, juniorë dhe sendorë. Kampi është udhëhequr nga kryemjeshtri Driton Kuka. Ndërsa Erza Muminoviqie ka fituar të bronztën në Kampionatin Evropian U23 në Pila të Polonisë.
Më 23 nëntor ishte një tjetër moment krenarie për xhudon e Kosovës. Federata e Xhudos e Kosovës u nderua me çmimin organizatori më i mirë për vitin 2023 nga Federata Evropiane e Xhudos. Në kongresin e 76 të mbajtur në Budapest, Hungari, ky vlerësim erdhi si rezultat i organizimit të shkëlqyer të Kampionatit Evropian Open “Prishtina 2023”, ndërsa në këtë muaj është shfaqur premiera e dokumentarit “SENSEI Driton Toni Kuka – Made in Kosova”.
Dokumentari është realizuar nga regjisori Vranin Gecaj, kurse ky event mblodhi figura të shquara nga sporti, politika dhe diplomacia, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ministrin e Sportit, Hajrulla Çeku dhe kryetarin e KOK-ut, Ismet Krasniqi.
Më 30 nëntor është mbajtur në Prishtinë turneu ndërkombëtar “Adem Jashari”, ku morën pjesë mbi 100 garues. Turneu është zhvilluar për kadetë dhe sendorë. Përveç klubeve të Kosovës, morën pjesë edhe klube nga Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Sllovakia, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Sllovenia, Suedia, Çekia. Garuesi më i mirë për meshkuj u shpall Dardan Cena, kurse garuesja më e mirë për femra u shpall Erlule Musaj.
Në fillim të dhjetorit, ekipi i Kosovës mori pjesë në Kampin Përgatitor njëjavor në Romë të Italisë. Xhudistët dhe xhudistet e Kosovës janë stërvitur me ekipet nga Italia, Gjermania, Kroacia dhe Bosnjë-Hercegovina. Ekipi ishte nën udhëheqjen e trajnerit e selekorit tonë Driton Kuka. Kryemjeshtri Kuka dhe medalistet olimpike Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova dhe Laura Fazliu nderohen me rastin e 10-vjetorit të anëtarësimit të KOK-ut në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Çmimet u dhanë nga presidenti i KON-it, Thomas Bach. Në Pejë u mbajt Kampionati i Kosovës në Xhudo për grupmoshat U18, U21 dhe U23. Kampionati u organizua nga Federata e Xhudos e Kosovës në bashkëpunim me Klubin e Xhudos “Ippon”.
Më 16 dhjetor, në kuadër të programit shtetëror “Kosova, shtet i xhudos”, në Qendrën Nacionale të Xhudos në qytetin e Pejës, është organizuar trajnimi për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës në fushën e xhudos, me fokus në avancimin e teknikave të xhudos dhe vetëmbrojtjes. Ky program përfaqëson një hap të rëndësishëm në zhvillimin dhe forcimin e kapaciteteve të FSK-së, duke u bazuar në njohuritë dhe aftësitë e fituara përmes sportit të xhudos. Duhet cekur se sporti i xhudos në kuadër të programit shtetëror “Kosova, shtet i xhudos” u demonstrua nëpër shkollat e ndryshme në Kosovë.