Afera e rezervave, Abdixhiku i ashpër me Kurtin: Po mbron kriminelët në pranga e krimin rreth tij
Në një video-adresim të fundit, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abidixhiku, ka ngritur shqetësime të mëdha dhe ka kritikuar ashpër pushtetin në lidhje me arrestimin e dy zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe një personi të afërt të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Ridvan Muharremin, në kontekstin e aferës skandaloze të vajit, grurit dhe sheqerit, ku sipas dosjes së Prokurorisë përveç procedurave të paligjshme të ndjekura gjatë blerjeve të rezervave shtetërore, janë evidentuar edhe shkelje të tjera, pasi mallrat e paguara nuk kanë mbërritur në territorin e Kosovës duke i shkaktuar humbje buxhetit të shtetit në vlerë 601 mijë euro.
Abidixhiku ka bërë thirrje për ndryshim derisa ka akuzuar pushtetin për praktika të korruptuara të dhënies së tenderave për miqtë e tyre.
“Një politikan që i jep miliona euro të buxhetit mikut të tij. Jo me garë, jo me procedurë, jo me ligj – por me tender veçmas për të. Një mik politikani që merr miliona nga shteti me procedurë të qëndisur enkas për të, dhe vendosë t’i marrë – siç na thotë politikani vet – veç’ 3%; përkatësisht 52 ton grurë, 200 mijë litra vaj e 120 mijë kilogram sheqer. Një hajni që del sheshazi në publik, dhe një Qeveri që në njërën anë atakon mediat sepse zbuluan një skandal të tillë, e në anën tjetër prokurorinë sepse arreston keqbërësit e tillë”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka kritikuar ashpër mbrojtjen që kryeministri Kurti i ka bërë Martin Berishaj, ambasadori i përfolur për skandalin e madh financiar të 600 mijë eurove, Nagip Krasniqin, i dyshuar për konflikt interesi në lidhje me dy kontrata njëburimore me vlerë prej më shumë se 3.5 milionë euro dhe së fundi Ridvan Muharremin, i dyshuar për praktika korruptive në negoicimet për blerjen e rezervave shtetërore.
“Tenderave për miq i kemi thënë gjithnjë korrupsion! Marrjes së përqindjeve gjithmonë hajni!Frikësimit të gjyqtarëve kapje e zaptim! Asgjë mangut sot”, ka deklaruar kreu i LDK-së.
“Mbrojtja për Ridin që i merr ‘vetëm’ 3%; për Martinin që i tërheqë 1.4 milion kesh në Prishtinë, apo për Nagipin që jep tender 3.5 milionësh një biznesi pa qarkullim – është vazhdimësi e hajnisë që Kosovës nuk i është ndarë tash e shumë kohë”, – pohoi Abdixhiku.
Në përfundim të video-adresimit të tij, Abidixhiku ka bërë thirrje për nevojën e eliminimit të praktikave të korrupsionit duke pyetur nëse duhet të “mjaftohemi me një kryeministër që mbronë kriminelët në pranga e krimin rreth tij, e shpërfaqet me plot mllef ndaj luftuesve të tij?”
“Tani a është ky ndryshimi i njëmendtë të cilin e kërkonim ndër vite? Të dëgjojmë krahasime se këta apo të tjerët para tyre janë hajna më të mëdhenj? Pas shumë përpjekjeve për evropianizim, a duhet të mjaftohemi me një kryeministër që mbronë kriminelët në pranga e krimin rreth tij, e shpërfaqet me plot mllef ndaj luftuesve të tij? Kosova mundet më mirë, Kosova meriton më shumë. Rruga e re po vjen dhe s’ka asgjë që e ndalë atë tashmë”, deklaroi ai.