Berisha thirrje partive e shoqërisë civile: Mbështesni strategjinë e PDK-së për ndaljen e Qeverisë
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, ka thënë se spektri politik dhe shoqëria civile duhet ta përkrahin Strategjinë e PDK-së për ndaljen e qeverisë.
Ai një prononcim për Gazeta Blic, ai ka komentuar deklaratën e Escobar.
“I dërguari special i DASH z. Escobar, bëri një deklaratë indikativë, citoj: “është shumë e rëndësishme për të parandaluar ndonjë përllogaritje të gabuar”, në adresë të qeveritarëve. Nëse në mes rreshtave lexohet diplomacia e në detaje fshihet djalli, atëherë, kjo është rezultat i marrëveshjes antikushtetuese të 11 korrikut 2023, sepse kjo marrëveshje i devalvon operacionet dhe veprimet e Policisë për shtrirje të sovranitetit. Pra, veprimet operacionale të Policisë qenkan urdhëruar nga Ministri Sveçla në bashkëpunim me Kryeministrin Kurti, me qëllim të arritjes së marrëveshjeve që e kufizojnë sovranitetin e Kosovës dhe autoritetin kushtetues e ligjor të institucioneve të shtetit”, thotë ai.
Sipas Berishës, prandaj erdhi ndërhyrja e Stoltenberg dhe më pas pajtimi i Escobar me deklaratën e tij.
“Prandaj edhe erdhi ndërhyrja e Stoltenberg, se Kosova duhet të konsultohet me kohë me Aleancën “për çfarëdolloj zbarkimi që mund të ndikojë mjedisin e sigurisë”, me kapacitetet policore të NJSO dhe FIT, krahas një dakordimi të tillë që veç ekziston për Forcën. Në frymë të njëjtë pajtimi me Stoltenberg, reagoi edhe i dërguari i DASH për dialogun z. Escobar, i cili ndër të tjera deklaroi se, “absolutisht që e mendojmë kështu”. Këto kërkesa kufizuese të sovranitetit politik dhe institucional, vijnë pas formalizimit me marrëveshjen e 11 Korrikut 2023, të cilën qeveria kuislinge e bëri në Bratislavë afër Moskës”, vlerëson deputeti i PDK-së.
Ai ka pyetur se edhe sa dëmë duhet bërë nga qeveria, që qytetarët e shoqëria civile të ndërgjegjësohen, teksa ka bërë thirrje që partitë e deputetët e pozitës ta mbështesin strategjinë e PDK-së për ta ndaluar qeverinë.
“Edhe sa dëm e tradhti duhet t’i bëjë vendit kjo qeveri, që intelektualët, shoqëria civile dhe qytetarët të ndërgjegjësohen?! Prandaj, i ftoj edhe partitë tjera opozitare dhe jo parlamentare, deputetët patriot e atdhedashës brenda pozitës, të mbështesin strategjinë e PDK-së që të detyrohet vet të ndalet kjo qeveri”, deklaron deputeti i PDK-së, Hisen Berisha.