Kurti mbledh partinë: Qeveria jonë prioritet e ka luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar

03 shtator 2023 | 21:14

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën janë diskutuar dy tema.

Situata politike në vend dhe përgatitjet për fillimin e sesionit vjeshtor të punës ishin temat që u diskutuan në këtë takim të kryesisë.

Në komunikatë thuhet se “Qeveria jonë do të vazhdojë ta ketë prioritet luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend si dhe krijimin e parakushteve për paqe dhe siguri në secilën pjesë të Republikës”.

Njoftimi i plotë i Lëvizjes Vetëvendosje:

Sot u mbajt mbledhja me Qendra të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe po ashtu mbledhja e Kryesisë së Lëvizjes ku në të dyja këto mbledhje u diskutua për çështje politike dhe organizative në prag të fillimit të sesionit vjeshtor.

Nën drejtimin e Kryetarit, njëherazi Kryeministrit, Albin Kurti, Sekretarit Organizativ, Alim Rama, dhe Koordinatorit për Qendra, Valon Hoti, në takimin me qendra ku të pranishëm ishin të gjithë përfaqësuesit tanë nëpër komuna të Kosovës u fol për situatën politike në vend dhe për përgatitjet që kemi bërë për fillimin e sesionit vjeshtor të punës.

Ky do të jetë një vit i suksesshëm sa i përket agjendës legjislative. Do të kalojnë ligje të rëndësishme e që përforcojnë reformën që kemi filluar në ekonomi dhe drejtësi, por hapësirë do të ketë edhe për propozime të tjera që vijnë nga qytetet tjera të vendit e që kanë rëndësi për zhvillimin dhe progresin tonë të gjithmbarshëm.

Qeveria jonë do të vazhdojë ta ketë prioritet luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend si dhe krijimin e parakushteve për paqe dhe siguri në secilën pjesë të Republikës. Politikat zhvillimore që krijojnë mundësi dhe vende të reja pune në Kosovë. Në planin e dialogut do të insistojmë që të respektohet marrëveshja e nënshkruar në Bruksel dhe të hiqen masat e BE-së ndaj Kosovës. Kurse në planin e mbështetjes për pakicat kombëtare dhe jo kombëtare do të vazhdojmë ta ndihmojmë komunitetin shqiptar në Luginë siç kemi bërë deri më tani, duke ndihmuar njëherit edhe komunitetet jo-shumicë në Kosovë siç bëmë së fundi me fondin 3 milionësh për mbështetjen e organizatave, ndërmarrjeve, që drejtohen nga këto komunitete.

Për çështje të nivelit lokal u theksua rëndësia për votimin e faljes së tatimit në pronë deri në 100 euro si masë e qeverisë tonë. Kjo ka afat deri me 15 shtator të këtij viti andaj duhet iniciuar seanca të jashtëzakonshme komunale që kjo çështje të votohet.

Te çështjet organizative u fol për punën e shtuar që duhet bërë në ngritjen e opozitbërjes nëpër secilën komunë, në fuqizimin e qendrave tona, në shtimin e anëtarësimeve të reja, në mënyrë që kësisoj shumë shpejtë t’i kompletojmë strukturat tona për të garuar në secilin qytet të Republikës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një aksident ka ndodhur në mes automjeti dhe një motoçiklete…