Pacolli: E turpshme të sulmohet kryeministri Rama, mbetet zëri më i besueshëm për Kosovën në nivel ndërkombëtar!
“Veriu i Kosovës ndër vite është bërë tokë e askujt”
Kjo ishte deklarata që dha kryeministri i Shqipërisë ditë më parë për Financial Times dhe e cila ngjalli shumë reagime në Kosovë.
Në lidhje me këtë deklaratë të dhënë nga kryeministri Rama, ka folur për “Gazeta Blic”, kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli.
Pacolli tha se kryeministri i Shqipërisë ka dashur të thotë se në situatën aktuale, ajo pjesë e vendit, po trajtohet si të jetë tokë e askujt.
Ai shtoi se është e padrejtë dhe e turpshme të sulmohet kështu kryeministri Rama i cili sipas tij është zëri i vetëm që ka një ‘rezonancë të fortë në avokimin ndërkombëtar për Kosovën’
“Jam i bindur se kryeministri Edi Rama kur e ka thënë këtë ka dashur të thotë se në situatën aktuale ajo pjesë e vendit po trajtohet sikur të ishte tokë e askujt. Kjo është thënë tërësisht në një kuptim pozitiv. Është e padrejtë dhe e turpshme të sulmohet në këtë mënyrë kryeministri, i cili sot është zëri i vetëm që ka një rezonancë të fortë në avokimin ndërkombëtar për Kosovën” deklaroi Pacolli për “Gazeta Blic”.
Pacolli tha se i njëjti po sulmohet nga njerëz të paedukuar që nuk kanë bërë asgjë për Kosovën përveç shpifjeve, fyerjeve apo ofendimeve .
Ai tha se ai mbetet zëri më i besueshëm për Kosovën në nivel ndërkombëtar.
“Mendoj se ai sot po sulmohet nga njerëz të paedukuar që nuk kanë bërë asgjë për Kosovën përveç shpifjeve, fyerjeve apo ofendimeve pa arsye. Para se të akuzohet kryeministri, fillimisht duhej të analizohej konteksti dhe qëllimi se pse ai tha atë që tha. Kryeministri Rama ishte dhe mbetet zëri më i besueshëm për Kosovën në nivel ndërkombëtar” tha Pacolli në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic”
Kjo deklaratë e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, erdhi pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit ku humbi jetën pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.