Yagcilar: Nuk do të jem pjesë e Qeverisë, sa më shpejt të formohen institucionet
Ministri në detyrë i Administratës Publike (MAP), Mahir Yagcilar, ka thënë se nuk do të jetë pjesë e Qeverisë së ardhshme.
Ai në një intervistë për ‘Ekonomia Online’ tha se do të japin kontributin e tyre në institucione dhe do të jenë pjesë e misionit për ndërtimin e shtetit të Kosovës.
Yagcilar tha se do të angazhohen për përforcimin e statusit dhe integrimit të komunitetit turk në Kosovë.
“Nuk besoj që do të jem pjesë e Qeverisë, por në njëfarë mënyre besoj që do të jemi pjesë e institucioneve ku e kemi kryer një përvojë të mirë e cila bazohet në shumë vite edhe si ministër, por edhe si deputet. Sidoqoftë ne jemi njëfarë mënyre në misionin të ndërtojmë shtetin e Kosovës, të ndihmojmë në integrimin dhe përforcimin e komunitetit, në këtë rast të komunitetit turk, në këtë aspekt edhe nëse jemi ose nuk jemi brenda institucioneve do të jemi të angazhuar që të realizojmë përforcimet nga aspekti i shtetndërtimit dhe përforcimit të statusit dhe integrimit të komunitetit turk”, ka thënë Yagcilar.
Ai beson që shpejt do të formohet koalicioni LDK-LV në mënyrë që të krijohet stabiliteti shtetëror dhe institucional.
“Është e rëndësishme të formohet një koalicion që do të udhëheqë Kosovën në katër vitet e ardhshme, të krijohet një stabilitet shtetërorë dhe institucional, në këtë aspekt besoj që do të formohet dhe puna do të vazhdohet. Kosova ka punë dhe obligime tjera jo vetëm në arenën e brendshme, por edhe në arenën ndërkombëtare”, tha ai.
Yagcilar ka pohuar se nuk duhet të humbet kohë dhe në afat sa më të shpejt duhet të formohet Qeveria.