Yagcilari: 2018-ta, vit i reformave të thella në administratë
Sot ka filluar procesi i hartimit të pakos legjislative që ka të bëjë me reformën e administratës publike, me ç’rast ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, ka thënë se ky do të jetë vit i reformave të thella në administratë.
“Në këtë aspekt, ky vit do të jetë viti i reformave të thella në administratën publike dhe me ndikim pozitiv në punën e administratës publike përballë kërkesave të qytetarëve dhe bizneseve”, ka deklaruar Yagcilar.
Ai ka thënë se Projektligji për zyrtarët publik, synon të përcaktojë rregullat sa i përket marrëdhënies së punës për zyrtarët publik bazuar në profesionalizëm.
“Për nga fushëveprimi ky ligj rregullon marrëdhënien e punës për zyrtarët publik, që janë: nëpunësit civil, nëpunësit e shërbimeve publike, nëpunësit e kabineteve, nëpunësit teknik dhe administrativ”, ka theksuar ai.
Yagcilar ka thënë se Ligji për Pagat do të rregullojë pagat dhe përbërësit e pagave për të gjithë përfituesit që marrin paga nga buxheti i shtetit.