
Yamal nuk stërvitet para ndeshjes me Atleticon
Në seancën e fundit stërvitore të Barcelonës përpara ndeshjes së parë gjysmëfinale të Copa del Rey kundër Atletico Madrid, e cila do të luhet të martën në mbrëmje, në Montjuic.
Lamine Yamal, i dëmtuar në sfidën kundër Las Palmas, nuk është stërvitur me grupin nën urdhrat e Hansi Flick, duke mbetur në dyshim për sfidën kundër ‘Colchoneros’. Megjithatë, klubi katalanas ende nuk e ka përjashtuar praninë e tij.
Sipas ‘Mundo Deportivo’, sulmuesi ‘blaugrana’ ka zhvilluar një seancë në palestër, duke shmangur përpjekjet e mëdha pas goditjes së pësuar në stadiumin ‘Gran Canaria’. Vetë Yamal ka postuar në rrjetet sociale një foto të një thoi të përgjakur, si shenjë e goditjes së marrë gjatë ndeshjes që Barça e fitoi 2-0 të shtunën e kaluar.
Hansi Flick, i cili po shqyrton mundësinë e disa rotacioneve pas angazhimit në ‘La Liga’, mund të vendosë ta kursejë atë për arsye parandaluese.
Ndërkohë, Ronald Araujo është stërvitur normalisht dhe pritet të jetë titullar. Përfundimisht jashtë loje janë Marc-Andre ter Stegen dhe Marc Bernal, ndërsa Andreas Christensen, pas disa stërvitjeve me grupin, është në pritje të miratimit përfundimtar për t’u rikthyer në dispozicion të ekipit.