Yamal rrëfehet për gjithçka: Futbollin e luaj për kënaqësi, jo për statistika

04 mars 2025 | 14:09

Lamine Yamal vazhdon të magjepsë javë pas jave me paraqitjet e tij. Pavarësisht se nuk ka shënuar së fundi në La Liga, kjo statistikë nuk ka asnjë rëndësi në krahasim me ndikimin e tij në lojë. Me vetëm 17 vite jetë mbi supe, ai tashmë mund të quhet një nga më të mirët në botë, duke u shpallur kampion i La Ligas, “Euro 2024” dhe Superkupës së Spanjës.

Në një intervistë për “UEFA.com”, talenti blaugrana për fillimet e tij dhe mënyrën se si ka evoluar në elitën e futbollit. Yamal vazhdon të mbetet i lidhur me lagjen e tij, Rocafonda, këtë e tregon edhe në festimet e golave me shenjën ‘304’, kodi postar i lagjes: “Ka të njëjtin kuptim. Është lagjja ime, kultura jonë. Aty jetojnë njerëz nga shumë kultura të ndryshme, por jemi të gjithë si vëllezër. Kur shkoj atje, ndihem i qetë. Askush nuk më shqetëson, është vendi ku mund të relaksohem dhe të marr forcë”.

Fizikisht dhe mentalisht, Lamine ka ndryshuar shumë që nga debutimi i tij: “Tani kam më shumë vetëbesim dhe bëj gjëra që më parë nuk i bëja. Më herët luaja më thjeshtë, bëja atë që duhej në momentin e duhur. Tani mundohem të kënaqem më shumë, të frymëzohem nga vetja dhe të luaj me instinkt”. Yamal nuk iu kushton rëndësi statistikave, por përqendrohet në emocionet që përcjell te tifozët: “Mendoj se çelësi është të bësh më të mirën për ekipin dhe veten. Nuk jam lojtar që shikon shumë numrat. Luaj për të kënaqur veten dhe njerëzit, natyrisht edhe për të fituar. Kur shikoj një ndeshje, dua të shoh lojtarë që driblojnë, që bëjnë spektakël. Këtë mundohem të sjell edhe unë në fushë, për ta bërë lojën argëtuese”.

Yamal foli edhe për trajnerin Hansi Flick, një figurë kyçe në zhvillimin e tij: “Është një person shumë i sjellshëm, me të cilin mund të bisedosh lirshëm. Të mëson shumë, kam mësuar shumë prej tij. Respektohet si trajner dhe si njeri. Është i rreptë, por di të kuptojë nevojat e çdo lojtari. Në mbrojtje më kërkon disa gjëra, por në sulm më thotë vetëm të kënaqem”. Pas “Euro 2024”, ku shkëlqeu dhe shënoi kundër Francës, jeta e tij mori një kthesë të madhe: “Më ka ndryshuar jeta mua, por edhe mënyra si më shohin kundërshtarët. Më parë më shihnin si një fëmijë, por tani është ndryshe. Pasi fiton një trofe, hedh një hap përpara si lojtar. Akoma e kujtoj golin kundër Francës, kur topi u përplas në shtyllë dhe hyri në rrjetë. Mamaja ime ishte në tribuna duke qarë”. Pasi u bë figurë e njohur botërisht, ai e ka të vështirë të bëjë gjërat e zakonshme: “Tani, kudo që shkoj, njerëzit më njohin. Më parë mund të udhëtoja lirshëm me avion, por tani është shumë e vështirë të kaloj nëpër aeroporte. Ndihem krenar, por nga ana tjetër, nuk mund të shkoj më të shëtis me vëllain apo të pi diçka me mamanë. Fama të jep gjëra të mira, por edhe të vështira”.

Ndërsa dëshiron të fitojë çdo trofe, ai ka dy kompeticione të preferuara: “Janë dy gara, ku të shënosh një gol është diçka shumë më e veçantë: Ligën e Kampionëve dhe Kupa e Botës. Kur bie himni i Lagës së Kampionëve, të gjithë ndjejnë emocion. Kur shënova kundër Monaco dhe Atalanta, ishte një ndjesi unike, njësoj si në ‘Euro 2024’ kundër Francës”. Me një të ardhme të ndritur përpara, Lamine Yamal tashmë është një nga yjet më të mëdhenj të futbollit dhe vazhdon të rritet në çdo ndeshje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka pranuar…