YIHR Serbia: Vuçiq po manipulon me të dhënat për viktimat e luftës në Kosovë
Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut Serbia (YIHR Serbia) ka kërkuar sot nga institucionet dhe zyrtarët në Beograd të mos manipulojnë me të dhënat për viktimat e luftës në Kosovë, si dhe të ndalojnë festimin e kriminelëve të dënuar të luftës.
Në komunikatën e kësaj organizate të shoqërisë civile thuhet se disa zyrtarë serbë, me rastin e përvjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s, plasuan informacione të pasakta dhe jo të plota për viktimat në disa tubime përkujtimore, me çfarë treguan mosrespektim të përgjithshëm për jetët e njerëzve.
YIHR Serbia potencon se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, të mërkurën, më 24 mars deklaroi se NATO kishte vrarë 2,500 civilë, ushtarë dhe policë serbë, kurse Ministria e Jashtme e Kosovës në llogarinë e saj zyrtare në Twitter deklaroi se Ushtria Jugosllave dhe policia Serbe kishin vrarë më shumë se 15,000 shqiptarë gjatë luftës, përcjell Telegrafi.
Sipas listës së viktimave të publikuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) dhe Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDH Kosovë) të publikuar në vitin 2014, nga sulmet e NATO-s kanë humbur jetën 755 persona, 454 civilë dhe 301 pjesëtarë të forcave të armatosura.
Gjithashtu, në librin Kujtimet e Kosovës, FDH Serbi dhe FDH Kosova është vërtetuar se nga 20 marsi deri më 14 qershor 1999, forcat serbe vranë 6,901 shqiptarë të cilët nuk morën pjesë në luftë.
Sipas këtij libri në të njëjtën periudhë, anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) vranë 328 civilë serbë dhe 136 romë dhe joshqiptarë të tjerë që nuk morën pjesë në luftë.
Sipas të dhënave të njëjta, 1,204 anëtarë të UÇK-së dhe 559 anëtarë të Ushtrisë Jugosllave dhe të Policisë së Serbisë janë vrarë në luftimet e mes këtyre palëve në konflikt
YIHR Serbia shton se në të njëjtin adresim, më 24 mars 2021, Vuçiq deklaroi se NATO vrau fëmijët e familjes Ahmetaj, derisa ata po ktheheshin në shtëpi në Prizren.
“Sipas FDH Serbi dhe FDH Kosovë, kjo familje ishte në një grup prej qindra refugjatësh të cilët u ndaluan nga forcat serbe më 13 maj 1999 dhe u detyruan të qëndronin në një objekt ku ishte vendosur Ushtria Jugosllave, në dalje të fshatit Korishë. Gjatë natës, NATO bombardoi objektin ushtarak, ku u vranë 78 njerëz, përfshirë 32 fëmijë”, thuhet në deklaratë.
Nisma Rinore gjithashtu beson se vendosja e një kurore lulesh të vendosur nga Klubi i Studentëve i Fakultetit të Drejtësisë në Beograd në monumentin “Ne ishim fëmijë” në Parkun Tasmajdan, në mënyrë që të vendoste një kurorë të delegacionit shtetëror të udhëhequr nga Ministri Darija Kisic Tepavcevic dhe Nënkryetari i Komunës së Beogradit Goran Vesic një shembull i një qëndrimi të pamatur ndaj kulturës së kujtesës “.
Në komunikatën e saj YIHR Serbia konstaton se ishte e turpshme që të dënuarit nga Tribunali i Hagës Nikola Shainoviq dhe Vladimir Lazareviq folën për shkaqet dhe pasojat e bombardimeve të NATO-s në terminin kryesore të Televizionit Publik Serb.