“Yje në panteon” – një enciklopedi artistike         

11 qershor 2023 | 11:57

Avni Dehari

Pas përmbledhjeve poetike për të vegjël dhe për të rritur, “Dalje nga balada” (1994), “Gramatikë zemre” (2004), “Terapia e dashurisë” (2005), “Një samit për një simit” (2007), “Prushimë buzësh” (2008), “Zemra nuk ka dimër” (2009), “Testamenti i lotit” (2012), “Kopshti i shpirtit” (2013, ribotuar më 2015), “Elegjia e qyqes” (2018), “Nektar shpirti” (2019), Nebih Bunjaku sjell para lexuesit përmbledhjen poetike për të rritur me titull simbolik “Yje në panteon”.

Përmbledhja poetike nis me vjershat, që për subjekt kanë personalitetet dhe ngjarjet e periudhës antike, që deri te ne kanë ardhur si shumë tërheqëse, madje edhe magjepsëse, qoftë me petkun e legjendave, qoftë me petkun e historisë ose me magmën e këtyre të dyjave.

Vjershat, që burimin frymëzues e kanë në antikë, janë “Doruntinë”, “Dhembja ime krenare”, kushtuar Rozafës, “Troja ime”, “Helenës së Trojës”, “Mbret i mbretërve”, kushtuar Aleksandrit të Madh, “Mbretëreshës”, kushtuar Teutës, që u shqua për udhëheqjen e shtetit ilir dhe për mbrojtjen e tij nga pushtuesit romakë.

Autori, me anë të shkallëve artistike, nga antika zbret në periudhën e mesjetës, në të cilën për trajtim përzgjedh personalitetet, që kanë vënë gurë në themelet e shtetit të Arbrit dhe të gjuhës e të letërsisë sonë.

Poezive të kësaj periudhe u prin vjersha me titull “O Flamur. Autori është i vetëdijshëm se nuk është e lehtë t’i kushtosh vargje simbolit të kombit dhe të atdheut, andaj ka bërë përpjekje të mëdha që këtë vjershë ta nxjerrë sa më të përsosur, si për nga përmbajtja, si për nga forma. Nën hijen e flamurit kombëtar, të cilit ai i kushton vargje të rralla për fuqinë shprehëse, ka vendosur dy themeltarët e shtetit shqiptar, Skënderbeun, që ka jetuar në shekulli XV dhe Ismail Qemalin, jeta e të cilit shtrihet nga shekulli XIX deri në dekadën e dytë të shekullit XX. Vlera artistike kësaj poezie, që merr ngjyra dhe tone të një himni, i shtohet nga përsëritja e vargut “O Flamur, kuq si zjarri”, që poeti me mjeshtëri të goditur e përsërit në krye të çdo strofe.

Tri vjershat e kësaj periudhe që pasojnë: “Trim me fletë”, “Milli im është Shqipëria” dhe “Diell në Prishtinë”, autori ia ka kushtuar kryetrimit të Motit të Madh, burrështetasit të Arbërisë, luftëtarit e ushtarakut, që për urtësi, për strategji dhe për trimëri i kalon kufijtë kombëtarë dhe vendoset ndër personalitetet më të shquara të botës. Në këtë tufë vjershash, që përmbyllet me poezinë “Margaritar”, kushtuar autorit të librit të parë në gjuhën tonë, Gjon Buzukut, spikasin edhe krijimet artistike të përpunuara me kujdes të veçantë, për bashkëluftëtarin e Skënderbeut dhe autorin e Kanunit, Lekë Dukagjinin, si dhe për Marin Barletin, që me librin e tij ia ka dalë ta përjetësojë figurën e Skënderbeut.

Në kapërcyellin nga mesjeta e vonshme drejt vegimeve të para të Rilindjes Kombëtare autori i kësaj përmbledhjeje përzgjedh dy personalitete të shquara, bejtexhiun e parë beratas, Nezim Frakullën dhe inxhinierin arbëresh, Karl Gegën. Te i pari thekson karakterin kryengritës, që nuk thyhet para ndëshkimeve me burg e me syrgjynosje, që Perandoria Osmane i përdorte për t’i nënshtruar ata që kundërshtonin, si dhe talentin poetik, për hir të të cilit Nezimi mori epitetin “fjalëxhevahirë”. Te “Gjeniu i hekurudhave”, ai i vë në pah aftësitë gjeniale me përmasa botërore të Karl Gegës për ndërtimin e hekurudhave dhe për hapjen e tuneleve të para në Austri.

Vjershat që trajtojnë periudhën e Rilindjes Kombëtare në këtë përmbledhje poetike zënë vend të rëndësishëm. Në panteonin artistik të autorit, ne ndeshim personalitetet më të shquara të kësaj periudhe shumë të rëndësishme historike e shoqërore, si: Hasan Tahsinin, De Radën, Thimi Mitkon, Pashko Vasën, Konstandin Kristoforidhin, Samiun e Namin, Zef Seremben, Filip Shirokën, Luigj Gurakuqin, Faik Konicën, Nolin, Shtjefën Gjeçovin, Fishtën, Ali Asllanin, si dhe luftëtarët për çlirim e për bashkim kombëtar, Abdyl Frashërin, Sefë Kosharen, Mic Sokolin, Dedë Gjo Lulin, atin e pavarësisë, Ismail Qemalin, Bajram Currin dhe Hasan Prishtinën. Në këtë cikël poetik përfshihen edhe vjershat, që u kushtohen princeshës rumune me origjinë shqiptare, Elena Gjikës, aktorit, Aleksandër Moisiut, vajzës, që qëndisi flamurin e pavarësisë, Marigo Pozios, Shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit, shkollës së parë shqipe në Korçë dhe tribunit të popullit, Shaban Polluzhës.

“Dita e mësuesit” është një nga vjershat që merr veçoritë e një himni për shkollën e parë shqipe dhe për angazhimin e sakrificën e patriotëve të shquar, që dhanë mund, djersë, madje edhe jetën për të. Vjersha në vazhdim, “Rrugës së diellit”, kushtuar Shaban Polluzhës, edhe pse si ajo para kësaj, nuk zë vend sipas kronologjisë së ngjarjeve, ngaqë autori i radhit ato sipas datëlindjeve të personaliteteve, përmbyll ciklin e vjershave të periudhës së Rilindjes Kombëtare.

Hapësira kohore që nga Lufta e Parë Botërore e deri në ditët e sotme ka numrin më të madh të poezive në përmbledhjen “Yje në panteon”. Ato për subjekt dhe për motiv kanë personalitete e ngjarje, që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë me përpjekjet dhe me luftën për çlirim e bashkim kombëtar, në fushën e dijes e të kulturës, në fushën e aktivitetit politik e humanist.

Në krye të këtij cikli qëndrojnë poezitë kushtuar dy luftëtarëve me përmasa heroi, anas të autorit, Lotë Vakut dhe Mulla Idriz Gjilanit.

Poezitë e kësaj periudhe në përgjithësi trajtojnë personalitete, që jetojnë dhe veprojnë brenda dhe jashtë Shqipërisë Londineze, pra në dy terrene dhe në rrethana të ndryshme shoqërore. Ato të viseve të okupuara nga fqinjët sllavë dhe grekë, na dalin si luftëtarë për mbrojtjen e qenies shqiptare, për të drejta kombëtare, për çlirim e për bashkim kombëtar, ndërsa ato, që veprojnë brenda kufijve të shtetit shqiptar më shumë shquhen me angazhimin për emancipimin politik të shoqërisë shqiptare dhe për mbrojtjen e interesave të atdheut nga dashakëqijtë e brendshëm dhe nga fqinjët, që nuk lënë gur pa lëvizur për ta pamundësuar ekzistencën e Shqipërisë edhe ashtu të gjymtuar.

Luftëtarët e lirisë dhe veprimtarët politikë, si Avni Rrustemi, Shotë Galica, Marie Shllaku, Metush Krasniq, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Ylfete Humolli, Xhavit Ahmeti, Adem Demaçi, Ahmet Haxhiu, Ukshin Hoti, Faik Rexhepi, anëtarët e familjes Jashari, Adem Jashari, Isa Kastrati, Agim Ramadani, Ramadan Kastrati, Zahir Pajaziti, Reshat Ymeri, Latif Berisha, Salih Bunjaku, Emine Krasniqi, Astrit Dehari, si dhe personalitetet e fushave të artit, të shkencës, të arsimit, të humanizmit, si: Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Eqrem Çabej, Mehmet Gjevori, Nënë Tereza, Tefta Tashko, Migjeni, Esad Mekuli, Anton Çetta, Sandër Prosi, Hasan Mekuli, Irena Papasi, Dritëro Agolli, Nexhmije Pgarusha, Bilal Xhaferi, Bekim Fehmiu, Rifat Kukaj, Vaçe Zela, Ali Podrimja, Ilmi Ibrahimi, Ndoc Gjetja, Aristidh Kola, Bardhyl Londo, Petrit Ruka, Murat Gecaj dhe Muharrem Kastrati, në panteonin artistik qëndrojnë pranë njëri tjetrit si yjet në qiell, që me dritën e tyre çajnë terrin e natës.

Në këtë grup janë përfshirë edhe tri poezi, që në përmbajtjen e tyre nuk kanë për subjekt ndonjë personalitet, siç ndodh te shumica e të tjerave. Vjersha e parë, “Lot i shpirtit Çamëri”, është një elegji në të cilën autori vajton fatin tragjik të Çamërisë së mbetur nënë pushtimin grek. Për ta shprehur sa më fort dhembjen për masakrën dhe për gjenocidin që ka përjetuar kjo pjesë e atdheut, autori në mënyrë figurative e quan Çamërinë “lot i shpirtit”, “lumë i dëbuar nga shtrati”, “plaga ime”, “lot i lotit” etj. Vjershën e dytë, “Në bibliotekën time”, autori ia kushton arsenalit të dijes, të librave, për të cilat njeriu, sidomos intelektuali, ka nevojë si për bukën e për ujin. Në vjershën e tretë, “Testamenti i lotit”, me të cilën përmbyllet jo vetëm ky cikël poezish, por e gjithë përmbledhja “Yje në panteon”, autori trajton temën më të ndjeshme dhe më të dhembshme të historisë sonë të fundit dhe proteston zëshëm kundër pushtuesit serb, që edhe kaq vjet pas luftës, që ka humbur nga UÇK-ja dhe NATO-ja, vazhdon tˈi mbajë peng të zhdukurit.

Duke ndjekur modelin e disa poetëve, Nebih Bunjaku, në këtë përmbledhje përfshin njëqind e një vjersha. Shumicën e tyre ai ua kushton luftëtarëve, heronjve, dëshmorëve, ngjarjeve të ndritshme të historisë sonë, objekteve dhe përmendoreve me rëndësi historike. Krahas tyre, në vjershat që për nga numri janë shumë, zënë vend nderi edhe personalitetet e shquara kombëtare, që kanë bërë emër në fusha të ndryshme, si pishtarët e arsimit, shkrimtarët, shkencëtarët, mësimdhënësit, aktorët, njerëzit e urtë e trima, që për komb e për atdhe nuk kanë kursyer asgjë nga vetja e tyre.

“Yje në panteon” është një përmbledhje poezish lirike me motive të ndryshme në të cilat shenjtërohet përkushtimi dhe sakrifica e njeriut në shërbim të atdheut, të kombit e të mbarë njerëzimit. Në mënyrë artistike autori na tregon se në panteon zënë vend vetëm ata që veprojnë për të mirën e përgjithshme, për të cilën po ta kërkojë nevoja sakrifikojnë edhe jetën.

Vjershat, që u kushtohen personaliteteve kombëtare dhe ato ndërkombëtare, që kanë ndonjë fije me origjinën shqiptare, shoqërohen me të dhënat e lindjes, të vdekjes dhe me fotografi të personalitetit, që pasohen me përshkrimin poetik për veprimtarinë e tyre. Në këtë mënyrë përmbledhja poetike merr trajtën e një enciklopedie artistike, gjë që e bën atë faktike, të dobishme dhe shumë tërheqëse për lexuesin.

Disa nga vjershat janë të përfshira në botimet e mëparshme. Autori pasi i ka përpunuar edhe një herë, siç bëjnë me të drejtë edhe shumë poetë të tjerë, duke i gdhendur e duke i krehur, i ka futur në këtë përmbledhje.

Nebih Bunjaku ka stilin e vet origjinal. Ai i përmbahet traditës poetike me strofën dhe me rimën e vargjeve që ndërton. Rima në poezitë e tij ka harmoni dhe muzikalitet. Ajo është në përputhje me të gjitha kriteret e artit poetik. Gjuha e këtyre krijimeve letrare është e rrjedhshme, e kuptueshme, e pasur me mjaft figura artistike, si epiteti, metafora, krahasimi, simboli e të tjera, që e bëjnë përmbledhjen “Yje në panteon” t’i rezistojë pluhurit të kohës dhe të radhitet ndër veprat poetike të rrafshit kombëtar.

Është për t’u theksuar se në këtë enciklopedi artistike autori i vendos edhe disa figura, që për fat të keq, edhe pse e meritojnë nuk janë përfshirë në enciklopeditë tona, si Lotë Vaku, që gjithë jetën ka luftuar për çlirimin e atdheut dhe Faik Rexhepi, fotografia e të cilit duke rezistuar ulur në protestat e viti 1990, në shesh të Prishtinës, para policëve serbë, që ushtronin dhunë çnjerëzore mbi të dhe mbi të tjerët, u publikua në shumë faqe të shtypit botëror.

Duke u mbështetur në zellin, në dashurinë dhe përkushtimin e madh për artin poetik dhe në synimet kombëtare të Nebih Bunjakut, me të drejtë presim nga ai që në të ardhmen jo të largët t’i dhurojë lexuesit tonë vargje të këndshme dhe ta pasurojë poezinë tonë edhe me ndonjë përmbledhje poetike për të vegjël ose për të rritur.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shqipëria vazhdon të përballet me një prej fenomeneve më shqetësuese…