Yjet që mund të humbasin Kupën e Botës
Dy muaj nga kampionati botëror “Rusi 2018” është koha që trajnerët të bëjnë llogaritë për lojtarët që do të marrin në skuadër. Sigurisht që prezenca e lojtarëve si Messi, Ronaldo, Neymar apo edhe të tjerë nuk është në diskutim, por mund të ketë yje që rrezikojnë.
Gazeta “Marca” ka bërë një listë me ata që e kanë në dyshim biletën për në Rusi. Spanjollët e nisin shkrimin me pikëpyetjen e madhe në lidhje me Moratën, i cili nuk po aktivizohet sa duhet në këtë fund sezoni, por pastaj rendisin të tjerët.
Gazeta spanjolle jep edhe mundësitë që ka Ibrahimoviq për të luajtur në Botëror, pavarësisht se ai tani është në fund të karrierës dhe me Unitedin nuk ka luajtur fare për shkak të dëmtimit. Ibra i ka dhënë lamtumirën kombëtares, por ekziston mundësia që të rikthehet.
Brazili
David Luiz ishte protagonist në Botërorin e vitit 2014, por këtë herë mund ta ndjekë kompeticionin nga televizori. Raporti i vështirë me Conten ka bërë që ai ta humbasë vendin e titullarit. Edhe mbrojtësi i Manchester Cityt, Danilo, ndoshta nuk e bind sa duhet trajnerin Tite, sepse dëmtimet e kanë lënë për shumë kohë jashtë fushave.
Gjermania
Ekipi i Joachim Lowit mund të humbasë më shumë kampionë sesa kombëtaret e tjera. Duhet ende kohë për të kuptuar nëse Manuel Neuer do të jetë gati apo do të qëndrojë larg fushave të lojës. Megjithatë, portieri i Bayernit nuk është dyshimi i vetëm. Reues, Gotze dhe Weigl gjithashtu mund të mbetën jashtë listës.
Argjentina
Paulo Dybala dhe Mauro Icardi janë dy sulmues të mëdhenj, por ndoshta vetëm njëri prej tyre do të marrë pjesë në Botëror. Me Higuainin që duket se është rikthyer në formë dhe e ka vendin e sigurt, Sampaolit i duhet të vendosë të lërë jashtë njërin. Nuk është e lehtë, por s’mund të marrë kaq shumë sulmues, duke parë se sa të tjerë ka në dispozicion. Edhe Javier Pastore është në dyshim serioz, por edhe portieri Guliermo Ruji.
Anglia
Antonio Conte ka thënë se nuk do t’i interesonte aspak nëse Cahill dhe Morata nuk shkojnë në Botëror, sepse ai kujdeset vetëm për ecurinë e Chelseat. Mbrojtësi anglez i bluve të Londrës e ka humbur vendin e titullarit dhe mund të përjashtohet nga Gareth Southgate, po ashtu si Daniel Sturridge.
Portugalia
Ndryshe nga Evropiani 2016, Portugalia mund të paraqitet në Rusi me një fytyrë të re dhe kampionët si Pepe, Nani, Renato Sanchezs apo të tjerë mund të mbeten në shtëpi.