Yjet që nuk arritën të fitojnë ‘Topin e Artë’
Disa futbollistë kanë merituar të vlerësohen të paktën një herë me “Topin e Artë”. Në sezonet e tyre të lavdisë, shumë prej tyre i është dashur të mjaftohen me sukseset në rang skuadre.
E përditshmja spanjolle “Marca” u ka kushtuar një shkrim special pikërisht këtyre të “harruarve” të “Topit të Artë”, të cilët me paraqitjet në fushë janë shndërruar në të paharruar të paktën për tifozët e tyre. Renditja nuk është në rend kronologjik apo emëror, por kjo nuk ndikon në vlerësimin që mbarë bota ka për kampionët e më poshtëm.
Xavi Hernandez – Pas Barcelonës nuk mundi më të luante për asnjë skuadër evropiane. Kjo arsye e dërgoi në Katar, ku sapo ka nisur karrierën si trajner, megjithatë pavarësisht timonit të ekipit aktual, mesfushori ka qenë “timoni” i Barçës që dominoi kudo dhe pa dyshim i Spanjës kampione bote dhe Evrope.
Rayan Giggs – Shpesh i eklipsuar nga shokët e skuadrës, uellsiani gjithmonë përfundonte sezonin duke qenë lojtari më i mirë i Manchester United, ekip me të cilin fitoi edhe Ligën e Kampionëve.
Franck Ribery – Në vitin 2013, kur Ronaldo fitonte “Topin e Artë”, francezi deklaronte se ndihej i vjedhur. Kishte të drejtë Ribery që vinte nga “tripleta” Kampionat- Ligën e Kampionëve-Kupë me Bayern Munchen.
Gigi Buffon – Në vitin 2006 fitoi Kupën e Botës, por nuk i mjaftoi të vlerësohej me “Topin e Artë”, trofe i cili iu dha mikut të tij Cannavaros.
Denis Bergkamp – “Top Bronxi” në 1992-shin dhe platini në 1993- shin. Shkëlqeu kudo shkeli (Ajax, Inter dhe Arsenal), por s’i mjaftoi për “Topin e Artë”.
Ferenc Puskas – Të luajturit në krah të Di Stefanos i kompromentoi shanset për çmimin prestigjioz. Në vitin 1960 i shkoi fare pranë, por përfundoi me “Topin e Platinit”.
Bernd Schuster – Tri herë finalist, por kurrë fitues. La gjurmë në tri ekipet e mëdha të Spanjës.
Wesly Snejder – Nënkampion bote me Holandën dhe protagonist i Interit të “Tripletës”. Në podiumin e “Topit të Artë” që u fitua nga Messi, për të dytin sezon radhazi.
Frank Lampard – Legjendë e Chelseat, ku këtë sezon u rikthye si trajner. Fitoret me blutë nuk i dhanë dot çmimin më të madh individual.
Alesandro Del Piero – Prototip i lojtarit besnik. Me Juven në lavdi dhe në Serinë B. Kampion bote në 2006-ën dhe protagonist i Ligës së Kampionëve të fundit me Juven.
Andres Iniesta – Legjendë e Spanjës dhe sidomos e Barcelonës. Vetë “France Football” i kërkoi falje publike që nuk e vlerësoi kurrë.
Francesko Totti – I ofruan miliona, por shpirti nuk i ndahej nga Roma. 25 kampionate me të njëjtën fanellë i kushtuan shumë tituj. Mes tyre edhe “Topin e Artë”.
Carles Puyol – Mbrojtësi në të gjitha kuptimet e fjalës i Spanjës dhe i Barcelonës. Kapiten legjendar dhe shembull brenda e jashtë fushe.
Paolo Maldini – Milani ishte i tij ashtu si gjashtë Kupat e Kampioneve që fitoi. Në 1994-ën dhe 2003-shin thjesht finalist për “Topin e Artë”.
Iker Casillas – Një tjetër kampion bote i “harruar”. Kampion i gjithanshëm që pret të kthehet në fushë pas infarktit në majin e kaluar.
Roberto Carlos – Mbrojtësi më i mirë në botë për aftësi sulmuese. E majta e tij oshëtin ende në “Santiago Bernabeu”, por edhe në veshët e Fabien Barthezit.
Franco Barezi – Shef i një prej mbrojtjeve më të forta që kanë ekzistuar. Revolucionoi një rol dhe ngriti shumë trofe, por jo “Topin e Artë”.
Stiven Gerrard – 17 sezone me Liverpoolin dhe një Ligë e Kampionëve e çmendur. Karrierës së lavdishme të 8-shit të “kuq” i mungoi vetëm kampionati, Kupa e Botës dhe pikërisht trofeu më i madh individual. Sakrilegj!
Javier Zaneti – Kapiten i Interit, kampion Evrope për klube pas 45 vjetësh në vitin e “Tripletës”, “El Tractor” vijon të drejtojë zikaltrit në cilësinë e zëvendëspresidentit pas 12 sezonesh si futbollist.
Raul Gonzales Blanco – Ronaldo i rrëmbeu kreun e golashënuesve madrilenë të të gjitha kohërave, teksa Owen “Topin e Artë” në vitin 2001.
Therry Henry – Kupa kampionesh, bote dhe Evrope. Gola pa fund me Arsenalin, por thjesht finalist në dy edicione të “Topit të Artë”.
Andrea Pirlo – Një futbollist historik i Italisë kampione bote. Luajti me tri të mëdhatë e futbollit italian, por meritat në aspektin individual nuk mjaftuan kurrë…
Eric Cantona – Yll i Manchester United, simbol i lidhjes me fanellën dhe tifozët. Talenti i tij vlejti vetëm për një “Top Bronxi”.