Ylli amerikan i NBA-s: Dua të jem pjesë e kombëtares në Olimpiadën e shtëpisë
Në prag të fillimit të sezonit të ri 2024-2025 të NBA, basketbollisti Kyrie Irving, një nga yjet e këtij sporti, ka folur për të ardhmen. Lojtari që aktualisht aktivizohet me Dallas Mavericks, ka shprehur dëshirën të jetë sërish pjesë e kombëtares. Dhe këtë gjë kërkon ta bëjë në një event të veçantë si Lojërat Olimpike, që pas katër vitesh do të zhvillohen në Los Anxhelos. Pra, në shtëpinë e amerikanëve, që do të kërkojnë të mbrojnë medaljen e artë fituar dy muaj më parë në Paris.
“Shpresoj që trajneri të më japë një mundësi kur të vijë koha e Olimpiadës. Kjo është kultura që është krijuar mes nesh në kombëtare mes viteve 2008-2016”, ka thënë Irving, tashmë 32-vjeçar. “Unë vij nga shkolla e Kobe Bryant, LeBron James dhe Jason Kidd. Këta djem më kanë mësuar se çfarë do të thotë të fitosh një mundësi për të përfaqësuar kombëtaren në një event të madh”, u shpreh më tej Kyrie Irving. “Unë kam ndërmend të luftoj për të pasur një mundësi në Olimpiadën e vitit 2028.
Nëse Zoti do të dojë, nëse do të jem në formë është e sigurt që do të përpiqem të jem në kombëtare”, ka shtuar Irving. Kampion në NBA në vitin 2016 me Cleveland, basketbollisti ka fituar një medalje të artë olimpike në vitin 2016 në Rio. Më herët, në vitin 2014, ai është shpallur edhe kampion bote me kombëtaren amerikane (në Spanjë).