Ylli fiton finalen e parë kundër Trepçës
Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore ndaj Trepçës me rezultat 63:62 (21:27, 8:10, 16:9, 18:16), në finalen e parë të “play-off”-it të Art Motion Superligës së Kosovës në basketboll. Ndeshja e dytë do të zhvillohet të enjten në Mitrovicë, ndërsa kampion shpallet skuadra që arrin tri fitore.
Vendasit e nisën ndeshjen më mirë, me një epërsi prej shtatë pikësh, 13:6, e më pas pesë minutash ishin në epërsi 16:11, megjithatë, nga ky moment mitrovicasit morën lojën në duar, duke rikthyer epërsinë në të mirë të tyre, për të fituar çerekun e parë 21:27. Periudha e dytë ishte e baraspeshuar, por u karakterizua me shumë gabime nga të dy skuadrat, duke bërë që të shënohen vetëm 18 pikë në këtë dhjetëminutësh, ndërsa pjesa e parë përfundoi 29:37.
Në periodën e tretë therandasit ishin më të mirë, duke shfrytëzuar edhe gabimet në tentimet e mitrovicasve dhe dalëngadalë shkrin epërsinë në vetëm një pikë, 45:46, sa ishte rezultati në semafor pas 30 minutash. Në çerekun e fundit u zhvillua një lojë shumë interesante dhe dramatike deri në fund. Në këtë pjesë “Xehetarët” kishin epërsi deri në shtatë pikë, 47:54, por Ylli nuk dorëzohet dhe në minutën e fundit barazon shifrat në 60:60, me anë të Erjon Kastratit, e më pas Collins shënon për 60:62, kurse pikët vendimtare i shënon Henrik Sirko me një tre pikësh për 63:62, ndërsa në aksionin e fundit nuk shënuan Purvis dhe Zekiqi për mysafirët.
Te Golden Eagle Ylli u dalluan Dajuan Graf me 13 pikë e dhjetë kërcime dhe Chris Harris me dhjetë pikë e dhjetë kërcime, kurse te Trepça u dallua Andrew Gordon me 16 pikë e 11 kërcime.