‘Ylli i javës’, Adetunji: Ne e dinin sa e rëndësishme është kjo ndeshje  

17 mars 2025 | 15:57

Federata e Futbollit të Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall, vazhdojnë të ndajnë çmimin “Ylli i Javës”. Ky çmim për javën e 25-të në Albi Mall Superligë i është ndarë futbollistit të FC Ballkani, Adetunji Sunday Damilare.

Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, në përbërje të Agim Maliqit, Enver Prapashticës dhe Isuf Llumnicës. Ky komision vendosi që çmimi “Ylli i Javës” për xhiron e njëzet e pestë t’i takojë sulmuesit Adetunji, i cili me dy supergolat e tij i dha tre pikë skuadrës së tij kundër FC Ferizaj, e cila përfundoi me rezultat 2:1.

Pasi mori këtë çmim, Adetunjiu shpreh i lumtur që u vlerësua si më i miri i javës: “Ne e dinin sa e rëndësishme është kjo ndeshje. Sidomos duke parë disa nga ndeshjet e fundit, kemi luftuar shumë për të arritur deri këtu. Kështu që, duke hyrë në këtë ndeshje, e dinin sa vlerë kishte. Ishte një përpjekje kolektive dhe mënyra se si fituam ishte e jashtëzakonshme. Po, është një ndjenjë fantastike për mua, por meritat u shkojnë shokëve të ekipit, sepse pa ta nuk do të ishte e mundur”.

“Kështu që këtë fitore ia dedikoj të gjithëve. Ishte një përpjekje e përbashkët për ne, nuk isha vetëm unë, unë thjesht dhashë kontributin tim. Po, në këtë kampionat, e pranoj që nuk luajtëm mirë. Por ishim pa fat dhe në futboll ndodh edhe kjo. Nuk është se luajtëm keq, por ndonjëherë thjesht nuk të ndihmon fati”, ka deklaruar Adetunji për faqen zyrtare të FFK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edon Thaqi nga Gjakova shpall të pavlefshme diplomën e shkollës…