Ylli i NBA-së akuzohet për përdhunim
Basketbollisti letonez Kristaps Porzingis, që aktualisht është i dëmtuar por që nga shkurti i këtij vitit ka firmosur me skuadrën e Dallas Mavericks, është akuzuar për dhunë seksuale. Lajmin e ka konfirmuar “New York Post”, që saktëson se ngjarja ka ndodhur në shkurt të vitit 2018, kur lojtari 23-vjeçar luante me New York.
Viktima është një ish-komshie e lojtarit, e cila fillimisht nuk e ka denoncuar basketbollistin, pasi kishte negociuar që të paguhej 68 mijë dollarë për të mos folur. Avokati i Porzingis tha: “Ne jemi në dijeni të akuzave, por i hedhim poshtë ato”. Porzingis nuk luan që prej shkurtit 2018, për shkak të një dëmtimi të rëndë në gju.
Sipas medieve amerikane, ngjarja ka ndodhur pak kohë para se lojtari të dëmtohej. Ai ka ftuar komshien e tij për të pirë një gotë në apartamentin e tij nju-jorkez. Sipas akuzës, basketbollisti ka ushtruar dhunë ndaj vajzës, duke e detyruar të kryejnë marrëdhënie seksuale, raporton “Telesport”.
Vajza, që është moshatare me lojtarin, i është drejtuar policisë për këtë ngjarje dhe ka pranuar se fillimisht ka negociuar që të paguhej për të heshtur. Për momentin, policia e Nju Jorkut nuk ka dhënë asnjë deklaratë, ashtu sikurse edhe skuadra e Dallas Mavericks, me të cilën lojtari ende nuk ka luajtur asnjë ndeshje zyrtare.