Ylli pa problem kalon në gjysmëfinale
Golden Eagle Ylli ka kaluar në gjysmëfinale të Superkupës, duke mundur Bashkimin me shifrat 93:73 (20:18, 24:11, 17:24, 32:20).
Fillimi i ndeshjes ishte i baraspeshuar dhe më pas Ylli nga 13:15, me një seri prej 7:0, kalon në epërsi 20:15, kurse çereku i parë mbyllet me shifrat 20:18. Therandasit vazhduan me lojë të mirë edhe në periudhën e dytë, ku ishin bindshëm më të mirë, duke e fituar këtë pjesë 24:11, ndërsa shkoi në pushim me shifrat 44:29.
Ylli kishte një rënie në periodën e tretë dhe këtë e shfrytëzuan prizrenasit në maksimum, duke afruar rezultati në 61:53, sa ishte rezultati në semafor pas 30 minutash. Bashkimi u mundua të rikthehet, por nuk arriti qëllimit dhe Ylli triumfoi bindshëm me rezultat 93:73.
Te Golden Eagle Ylli u dalluan Brendon Radalph me 22 pikë, pesë kërcime e gjashtë asistime dhe Erjon Kastrati me 20 pikë, kurse te Bashkimi u dalluan Richaud Gittens me 27 pikë dhe Valon Bunjaku me 18 pikë dhe shtatë asistime.
Golden Eagle Ylli në gjysmëfinale do të përballet me Trepçën, ndërsa gjysmëfinalja tjetër është ndërmjet Prizreni 16 dhe Pejës.
Orari
3 Shtator
16:00 Prizreni 16-Peja
19:00 Trepça-Golden Eagle Ylli