Ylli – Trepça përballen sonte në “13 Qershori”
Xhiroja e nëntë në Superligën e Kosovës në basketboll do të nisë sot (e enjte) me dy ndeshje që do të zhvillohen, njëra në Suharekë, tjetra në Pejë.
Në Suharekë do të takohen Golden Eagle Ylli – Trepça me fillim nga ora 19:00 në palestrën “13 Qershori”, kurse në “Karagaçi” të Pejës, Borea është nikoqire e Ponte Prizrenit. Golden Eagle Ylli në tetë ndeshje të luajtura deri më tani ka regjistruar pesë fitore e tri humbje, kurse Trepça ka bilanc prej dy fitoresh e gjashtë humbjesh.
Borea në tetë xhiro ka realizuar dy fitore e gjashtë humbje, derisa Ponte Prizreni në shtatë ndeshjet e luajtura ka bilanc prej katër fitoresh e tri humbjesh. Të premten është në program dueli në mes të Lipjanit dhe Z Mobile Prishtinës që do të luhet në kryeqytet me fillim nga ora 19:00, kurse të shtunën do të zhvillohet takimi i fundit i xhiros së nëntë, ai në mes të Bashkimit dhe Rahovecit, duke filluar nga ora 19:00.