Ymeri: Ajo që ka propozuar Qeveria nuk është platformë fare
Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri, ka thënë në “Zona B” në “Klan Kosova” se ajo që qeveria e ka propozuar në Kuvend si platformë për bisedimet me Serbinë, sipas tij veç platformë nuk është.
“Ajo nuk është platformë fare, janë vetëm disa pika. Veç një gjë është konkrete, atë se kush do ta udhëheqë. Më shumë vlerësohet rëndësia që ka dialogu për emrin e përveçëm, sesa mund të ketë për Republikën e Kosovës dhe zhvillimet politike. Prandaj është e domosdoshme që të arrijmë një konsensus edhe politik edhe i shoqërisë në përgjithësi. Problemi është se nuk dihet se për çfarë do të flitet; thuhet se dialogu do ta prodhojë qoftë njohën nga Serbia, por nuk ka strategji se si do të arrihet ajo”, ka thënë Ymeri.
Ai ka shtuar se nëse ky dialog vazhdon si në formatin e vjetër, do të ketë rezultat të dëmshëm.
“Nëse ky dialog vazhdon me avazin e vjetër, pa vlerësimin njëherë se çfarë ka ndodhur deri tani dhe pa qenë të sigurt për temat, mendoj se futemi në dialog sikur pa kokë, pastaj edhe rezultati është i dëmshëm. Gjëja e parë është që duhet të dakordohemi është në atë se a ka vija të kuqe me Serbinë. Një çështje që është zvarritur për kohë të gjatë është diskutimi se çfarë republike duam. Kjo nuk është një çështje e mbyllur. Republika e Kosovës duhet të jetë e qytetarëve të barbarët. Duhet të mos flitet me Serbinë për interesat e serbëve të Kosovës, pasi Serbisë i intereson që serbët të mos integrohen. Mendoj që me Serbinë duhet të dialogohet për çështje që kanë të bëjnë me dy shtete, jo për problemet tona të brendshme”, ka thënë Ymeri.