Ymeri: Dinari e riktheu qortimin te Qeveria e Kosovës

19 mars 2024 | 16:13

Analisti Visar Ymeri ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për qasjen që po ndjek në raport me çështjen e dinarit.

Ai ka thënë se qeveria ka bërë disa dëme në raport me këtë çështje.

Në emisioni “Debat Plus”, Ymeri ka vlerësuar se me veprimet e Qeverisë për dinari, janë rikthyer edhe qortimet e aleatëve për Kosovën.

“Në përgjithësi mendoj që përveç dëmit që kjo është bërë temë në Bruksel, por është edhe kjo sjellja e Qeverisë që po shkakton vonesa dhe pastaj po e humbim mundësinë për shkak të sjelljes dhe qasjes karshi ndërkombëtareve që me nxjerrë diçka më pozitive edhe kur ka një vesh e sy të interesuar ndërkombëtarisht për të dëgjuar pozicionin tonë”, ka thënë Ymeri, duke treguar për veprimet e Qeverisë që vitin e kaluar ishin kritikuar nga ndërkombëtaret.

“Qeveria e Kosovës vitin e kaluar i ka bërë disa veprime që nuk janë mirëpritur nga Bashkësia Ndërkombëtare dhe të gjitha këto janë rikuperuar diplomatikisht me sulmin e Serbisë në Banjskë, dhe sulmi i Serbisë në Banjskë e ka kthyer simpatinë kah Kosova dhe gjykimin kah Serbia, a është bërë gjykimi që ne e kemi dashur? Jo. A është bërë njëlloj gjykimi që e përmendi edhe Escobar? Po”, është shprehur Ymeri.

Sipas tij, këto veprime po e largojnë presionin e Perëndimit ndaj Serbisë.

“Ky pozicion që e ka vendosur Vuçiqin goxha të vështirë ndërkombëtarisht për shkak të ndërlidhjes së tij me sulmin në Banjskë dhe pastaj për shkak të manipulimit të zgjedhjeve brenda, krejt kjo kritikë është keqpërdorur e jo mire përdorur nga Qeveria e Kosovës, sepse çështja e dinarit e ka kthyer prapë fokusin, qortimit, trysninë te Republika e Kosovës, ndërkohë që është dashur të jetë në Beograd”, ka deklaruar Ymeri.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka takuar kryetarët…