Ymeri: E gjithë kjo çfarë po ndodhë në VV u nis nga Albini
Ish-kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ka folur për përçarjen nëpër të cilën po kalon Vetëvendosje, pasi plasi skandali në publik e shumë anëtarë dhanë dorëheqje nga partia.
Ymeri në “Argument Plus” të “RTV 21”, e ka fajësuar drejtpërdrejt Albin Kurtin për fushatën linçuese ndaj disa njerëzve brenda Vetëvendosjes, gjë që e ka sjellë situatën aty ku është edhe sot, pranë ndarjes.
Ymeri ka thënë që Kurti ka qenë ai që ka nisur fushatën kundër disa njerëzve brenda VV-së me qëllim të eliminimit të disa njerëzve brenda partisë, fushatë që sipas Ymerit, ka filluar rreth muajit tetor të vitit 2016.
Ymeri ka treguar që kritikat dhe mospajtimet brenda VV-së kanë nisur për dy arsye.
E para që dyshohej që brenda VV-së kishte njerëz që punonin për shërbime të huaja, kurse e dyta që disa persona brenda partisë janë rehat në pozicione të ndryshme përmes së cilave kanë ndikuar në VV.
Sipas Ymerit, krejt këto akuza fillimisht janë drejtuar ndaj Dardan Molliqajt, e më pas edhe ndaj anëtarëve të tjerë siç është Aida Dërguti.
“ Njërën anë ka qenë akuza se njerëzit e caktuar dyshohet se o punojnë vetëdijshëm o pa vetëdijshëm për shërbime të huaja …gjë e cila nuk është faktuar kurrë dhe akuza tjetër ka qenë se ka një rehati të njerëzve nëpër pozicionet e tyre të cilët i keqkuptojnë ato pozicione sikur pushtet dhe i përdorin ato pozicione për të ushtruar pushtet përmbi organizatën, këto kanë qenë dy akuzat asnjëherë të faktuara”, ka thënë Ymeri.
Visar Ymeri po ashtu potencoi se për t’i ndalur këto fushata ka përpiluar një marrëveshje bashkë me Glauk Konjufcën të cilën ia kishin ofruar Albin Kurtit , por që sipas Ymerit kjo marrëveshje nuk është përfillur.
“ Deri në atë moment unë kam pasë një shpresë të jashtëzakonshme se problemi do të zgjidhet, pra kam mendu se do të kemi mirëkuptim nga të gjitha palët sidomos nga Albini për të hequr dorë nga organizmi i kësaj fushate. Unë mendoj se Albini e ka nis edhe e ka nxit një gjë të tillë, natyrisht që nuk mund ta fajësoj për secilën mënyrë edhe secilën gjë…Ajo është nisur dhe mirëmbajtur nga Albini”, deklaroi Ymeri.