Ymeri e quan akt hipokrit aktgjykimin kundër katër deputetëve të LV-së
Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka reaguar ndaj dënimit të katër deputetëve të kësaj lëvizje për shkak të hedhjes se gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Ai ka thënë se aktgjykimi kundër Albin Kurtit, Albulena Haxhiut, Donika Kadaj-Bujupit dhe Faton Topallit, është akti më hipokrit që ka prodhuar ndonjë institucion vendor.
“Dënimet e shqiptuara me rastin e shpalljes së aktgjykimit ndaj deputetëve janë treguesi më i mirë për qëllimin politik të këtij rasti. Gjykata Themelore në Prishtinë, e përfaqësuar nga Beqir Kalludra shprehi supremacionin juridik dhe politik ndaj aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe vullnetit të 205 mijë qytetarëve të cilët shprehën kundërshtimin e tyre në peticionin referendar ndaj marrëveshjeve që cenonin qenësinë e Republikës, për kundërshtimin e të cilave sot deputetët u shpallën fajtor. Ky gjykim me këta gjyqtarë është mostra më kredibile që dëshmon diktatin politik ndaj sistemit gjyqësor. Albini, Albulena, Donika dhe Fatoni janë përfaqësues të popullit në emër të të cilit sot u dënuan. Aktgjykimi si i tillë është akti më hipokrit që ka prodhuar ndonjë institucion vendor deri më tani dhe si i tillë është mjeti i fundit i persekutimit të kundërshtarëve politik”, ka shkruar Ymeri në llogarinë e vet në “Facebook”.