Ymeri e quan të gabuar sjelljen e Kurtit karshi Lajçakut: Lufta me BE-në e dëmton Kosovën

19 shtator 2023 | 12:18

Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, e ka quajtur të gabuar sjelljen e kryeministrit Albin Kurti, i cili ka akuzuar emisarin evropian në dialog, Miroslav Lajçak, se është pozicionuar kundër Kosovës.

Ymeri ka thënë se përderisa dialogu do të ndërmjetësohet nga  BE-ja, ky armiqësim me ndërmjetësuesit nuk është i mirë për Kosovën. Ai ka thënë se Josep Borrell  dhe Mirosllav Lajçak e kanë përkrahjen e vendeve anëtare të BE-së dhe se në atë pozitë nuk janë si emra të përveçëm.

“Së pari, sjellja është e gabuar për një proces të dialogut i cili do të vazhdojë të ndërmjetësohet nga po kjo zyre, përveç nëse kryeministri ka ndonjë informatë që do të ndryshojë formati edhe vendi i dialogut. Atëherë nëse vazhdojmë me të njëjtit, mendoj që ky armiqësim me ndërmjetësuesit nuk është i mirë për Kosovën, aq më tepër kur dihet që këtu nuk  jemi duke folur për emër të përveçëm. Zotëri Borrell është në zyre me përkrahjen e 27 vendeve anëtare, ka edhe punë tjera përveç Kosovës dhe ai është caktuar në pozitë sepse është parë i duhuri nga vendet anëtare të BE-së, veçanërisht ato që kanë peshë politike dhe besimin e plotë tek te dytë për ta ndërmjetësuar dialogun”.

“Kur kryeministri ynë del dhe akuzon këta që i kanë mbajt anën Serbisë publikisht, atëherë unë mendoj që kjo tregon për një problem jashtëzakonisht të madh që po e ndërtojmë ne me Bashkimin Evropian apo me mosbesimin që po e tregojmë karshi BE-së. Diskutimi në publik e paraqet një ‘luftë’ diplomatike në këtë rast të cilën nuk mund ta kthesh mbrapa më dhe mendoj që krijon më shumë armiqësim se sa gjendet zgjidhja”, ka thënë Ymeri për “EO”.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Amal ka prioritet shëndetin e saj, duke qëndruar larg substancave…