Ymeri: Kurtin e ndryshoi pushteti
Dikur së bashku kritikonin pushtetarët që udhëhiqnin në vend. Por, tani Visar Ymeri është duke e kritikuar ish-bashkëpartiakun e tij, Albin Kurti për qëndrimet e tij, të cilat ka thënë se po ndryshojnë me ardhjen në pushtet.
Në një intervistë për “Ekonomia Online”, Ymeri ka thënë se deri më tani nuk ka parë një qeverisje më ndryshe se ato të kaluarat.
Madje sipas tij, edhe slogani i partnerëve të koalicionit se do të qeverisin ndryshe dhe se asgjë nuk do të jetë njëjtë, është vetëm një ekzagjerim i madh.
“Qartazi po i ndryshon, mendoj që disa prej ndryshimeve janë natyrisht edhe të domosdoshme edhe të mira. Pra edhe Kurti nga pozicioni i kryeministrit, ka filluar ta kuptojë që të qenit person në udhëheqje të qeverisë, nënkupton që duhet të kesh më shumë përgjegjësi edhe në mënyrën se si sillesh dhe mënyrën se çka flet, edhe veçanërisht në atë se çka dhe si vepron”.
“Mirëpo, konsideroj se ai ndryshimi i shumë proklamuar nga dy partnerët e koalicionit se këtu edhe qeverisin ndryshe, madje me atë sloganin që thoshin se asgjë nuk do të jetë njëjtë, mendoj që ky ka qenë ekzagjerim i madh. Deri tash unë nuk kam pa një qeverisje kush e di sa ndryshe përveç disa tentativave e veçanërisht kjo e heqjes së taksës, në të cilën mendoj që vendimet kanë rëndësi jetike për Kosovën më shumë po trajtohen si material për marrëdhënie me publikun se sa vendime serioze të një shteti”, ka thënë Ymeri.
Vendimi i Kurtit që tarifa për lëndën e parë që vjen në Kosovë nga Serbia e Bosnja të hiqet nga data 15 mars, është duke u parë si një gabim nga Ymeri.
Ai ka thënë se heqja e taksës pa asnjë përfitim është vendim i gabuar dhe i ngutshëm.
“Nëse taksa po hiqet për shkak të trysnisë ndërkombëtare, a mendojmë ne se kjo trysni ndërkombëtare do të ndryshojë në prill, meqë tash ne jemi në fund të shkurtit dhe zbatimi i pjesës së parë të largimit të tarifës do të filloj me 15 mars, atëherë a mendojmë që deri me 1 prill kur janë dhënë disa prej afateve, kjo trysni ndërkombëtare të ndryshojë, unë nuk mendoj se do të ndryshojë. Edhe në këtë drejtim nëse trysnia ndërkombëtare nuk ndryshon dhe nëse kërkesa mbetet e njëjtë deri me 1 prill çfarë do të bëjë kryeministri. A prapë do të heq dorë nga disa prej kërkesave të veta dhe nëse kështu vazhdojmë, atëherë mendoj që kjo tregon për një politikëbërje infantile e cila vështirë se mund të merret seriozisht veçanërisht nga partnerët tanë jashtë”, ka thënë Ymeri.