Ymeri: Mirëpresim kundërshtimin që Bundestagu i bëri projektit të dëmshëm të ‘korrigjimit të kufirit’
Lobi Euro-Atlantik Shqiptar ka mirëpritur kundërshtimin që Bundestagu i Gjermanisë i dha edhe zyrtarisht projektit të dëmshëm “korrigjimit të kufirit” në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
“Me këtë rast, Lobi Euro-Atlantik Shqiptar, i shpreh mirënjohjen e thellë, kancelares Merkel dhe deputetëve të Bundestagut, sidomos partive të qendrës, që janë në koalicionin qeverisës, si dhe Partisë Liberale dhe të Gjelbër, të cilët e kanë kuptuar drejtë zgjidhjen e çështjes së njohjes reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila duhet realizuar konform parimeve e standardeve euro-atlantike dhe jo me mendësinë e së kaluarës, e cila i ka sjellë shumë luftëra dhe dëme popullit shqiptar”, thuhet në deklaratën e kryetarit të Lobit Euro-Atlantik Shqiptar, Shukri Ymeri.
Më tej në këtë deklaratë theksohet se Lobi Euro-Atlantik Shqiptar, e mirëpret angazhimin e shtetit gjerman, në fazën përfundimtare të dialogut, që do të shpie në njohje reciproke.
“Me këtë rast e falënderojmë shtetin mik gjerman për kontributin e vazhdueshëm në çlirimin, ndërtimin dhe integrimin e shtetit të pavarur të Kosovës. E në këtë kontekst edhe vendimin e djeshëm që miratoi stacionimin e 400 ushtarëve gjermanë si pjesë e KFOR-it në Kosovë”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e kryetarit të Lobit Euro-Atlantik Shqiptar, Shukri Ymeri.
(Q.R /Epoka e re)