Ymeri: Një pjesë e VV-së e sheh Kurtin para partisë
Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se në ish-partinë e tij ka njerëz që mendojnë se partia vjen pas kryetarit të saj, Albin Kurti.
Në Deskun e KOHËS, Ymeri ka thënë se kjo ka qenë edhe ndër arsyet e përplasjeve që çuan në largim të një grupi të aktivistëve të kësaj partie.
“Ka qenë kryesisht te kjo formë e organizimit, për të shpjeguar thjeshtë, a është Vetëvendosja pastaj Albini apo është Albini pastaj Vetëvendosja. Unë kam menduar se është VV-ja pastaj Albini, e mund të jetë Visari, Shpendi e Dardani e kushdo që vjen, Glauku e të tjerët. ndërkohë që ka një grup të njerëzve brenda Vetëvendosjes të cilët kanë menduar që Albini është i pari e pastaj Vetëvendosje. E shohin VV-në si zgjatim të Albinit”, ka thënë ai.
Duke komentuar qeverisjen e shkurtër të Vetëvendosjen, Ymeri ka thënë se e ka të pamundur të japë një vlerësim.
Megjithatë, ai është ndalur te menaxhimi i pandemisë së koronavirusit. Ka thënë se ka qenë menaxhim i mirë, por “me kosto shumë të lartë ekonomike”.
“Është kohë e shkurtër për ta vlerësuar. S’mund të thuash as mirë e as keq. 100 ditë, prej të cilave 50 në rrëzim, por qeveria e VV-së i ka pasur disa të mira. E mira e parë ka qenë mënyra se si është trajtuar pandemia, veçanërisht nga ministri Arben Vitia, ku ka pas një lloj sigurie edhe garancie që krijonte te qytetarët e Republikës se gjendja është duke u menaxhuar mirë dhe kishte menaxhim të mirë mirëpo me një kosto të lartë. Pra mbyllja e plotë e Kosovës natyrisht që e ndali virusin, ose e ngadalësoi jashtëzakonisht shumë shpërndarjen e tij deri sa erdhëm në zero raste në ditë. Mirëpo e kishte koston ekonomike të lartë. Në anën tjetër pastaj kemi Qeverinë Hoti i cili kur erdhi në pushtet e gjeti Kosovën të hapur, vendim që e kishte marrë më herët Qeveria Kurti, por në të cilin pastaj u rritën në mënyrë enorme rastet e infektimit veçanërisht vdekjeve e në të cilën tash po thuhet se ka pas tash menaxhim të keq të pandemisë. Mendoj se duhet pas parasysh se në momentin e hapjes natyrisht që numri i rasteve me virus shkon duke u shtuar e mund të arrijnë deri në një pikë ku bëhet e pamenaxhueshme. Nuk po më duket që në Kosovë kemi mbërri në atë pikë të pamenaxhueshme dhe shpresoj të mos mbërrijmë asnjëherë”, ka shtuar ai.