Ymeri: Nuk ka ndryshim të qëndrimeve
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje!, Visar Ymeri, ka theksuar se nuk ka parë ndonjë vullnet që të reflektohet mbi problemet që kanë ndodhur kohëve të fundit në këtë lëvizje.
Ish-kryetari i LV-së, para mediave ka thënë se Lëvizja është në një fazë të rëndësishme, dhe sipas tij, në këtë fazë secili duhet të heq dorë nga vetja për të mirën e organizatës.
“Sot e patëm një mbledhje në të cilën diskutuam për zhvillimet e fundit. Nuk është se ka pas ndonjë përparim edhe pse ka mbetur që formalisht të vazhdoj përsëri mbledhja”, deklaroi ai.
Sipas Ymerit, ato probleme që janë ngrit në publik qëndrojnë, por ka edhe nga ato probleme të cilat, sipas tij, publiku nuk i ka dëgjuar.
“Nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Deri tash nuk pashë ndonjë lëvizje nga problemi, pa pasur një dakordim se çfarë e ka nxitur problemin dhe se si duhet të ecet përpara. Ditëve në vijim do të diskutojmë për zgjidhjen e problemeve”, ka theksuar Ymeri. /Telegrafi/