Ymeri: Po rriten gjasat për suksesin e mocionit ndaj Qeverisë
Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Visar Ymeri, është shprehur optimist për mocionin opozitës ndaj qeverisë.
Në një intervistë dhënë gazetës “Epoka e re” ai ka thënë se po rriten gjasat për suksesin e mocionit të mosbesimit. Ai ka treguar se PSD-ja ka qenë partia e parë që i ka dorëzuar nënshkrimet e deputetëve të vet për një mocion mosbesimi ndaj qeverisë.
“Që prej atëherë ne kemi qenë në përkrahje për një mocion të tillë, gjithnjë të vetëdijshëm se në Kuvend atëbotë, si edhe sot, nuk i kemi 61 deputetët e nevojshëm për votimin e mocionit. Mendoj se po rriten gjasat për suksesin e një mocioni të tillë. Për ne është tejet e rëndësishme jo vetëm si arrijmë deri te mocioni, por çfarë ndodh pas tij (pas zgjedhjeve)!? A do të ketë ndryshim pas zgjedhjeve? Apo vetëm përsëritje të së njëjtës mendësi e cilësi të politikëbërjes dhe vendimmarrjes. Ju kujtohet se VLAN-i rezultoi me kalimin e LDK-së në anën e PDK-së, për pushtetin vetëm si pushtet. Njëlloj me VAN-in, kur AAK doli në anën e PDK-së. Që të dy këto qeveri jo vetëm e mbajtën PDK-në në pushtet, por edhe e vazhduan në mënyra dhe me ritëm të ndryshëm, qeverisjen neoliberale, konservatore dhe të korruptuar”, ka thënë Ymeri, duke shtuar se dy çështje janë pothuajse të domosdoshme që të ndryshojë pozitivisht gjendja aktuale në Kosovë.
“E para është që PDK-ja të shkojë në opozitë. E dyta që qeveria e ardhshme e Republikës së Kosovës të ketë politika sociale e zhvillimore dhe kapacitete demokratike, si dhe të jetë e pakompromis në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Përndryshe, nuk do të kemi kurrfarë ndryshimi në raport me shtetin e kapur, procesin e domosdoshëm të vetingut në sektorin e sundimit të ligjit, në orientimin e kapaciteteve ekonomike në funksion të zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies shoqërore si dhe në demokratizimin e vendit”, ka thënë Ymeri.
/Epoka e re/