Ymeri: PSD-ja, pjesë aktive e platformës ‘Kosova që duam’
Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Visar Ymeri, sot në zyrat e fondacionit gjerman ‘Friedrich Ebert’ ka nënshkruar deklaratën me të cilën është zotuar që PSD-ja të vazhdojë të jetë pjesë aktive e platformës “Kosova që duam” një nismë e organizatave të shoqërisë civile mbështetur nga fondacioni ‘Friedrich Ebert’.
Ai ka thënë se kjo platforma trajton fushat më të rëndësishme të shtetit të mirëqenies si: arsimi për zhvillim, ekonomia e qëndrueshme dhe vendet e punës, shëndeti dhe mirëqenia, aktivizmi qytetar dhe puna e jeta e dinjitetshme.
“Këto tema janë në fokus edhe të programit të PSD-së dhe punës sonë të vazhdueshme, andaj është me rëndësi t’i bashkërendisim të gjitha përpjekjet me të gjithë ata dhe ato që angazhohen që Kosova të arrijë një zhvillim të mirëfilltë shoqëror, ekonomik, e demokratik me politika të qëndrueshme e efektive arsimore, zhvillimore, sociale dhe shëndetësore për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Ymeri në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/