Ymeri: Rinegocimi i demarkacionit, lajm i mirë
Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka komentuar arritjen e aneks marrëveshjes për korrigjimin e demarkacionit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.
Ai në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se rinegocimi i marrëveshjes për demarkacion është hap dhe lajm i mirë. “Por orari i akteve vendimmarrëse për këtë gjë është edhe i rrezikshëm, edhe i dëmshëm, edhe absurd”, ka shkruar Ymeri.
Postimi i plotë i Ymerit:
Rendi i gjërave është i rëndësishëm. Po ta kishim rishikimin e Marrëveshjes për demarkacion para ratifikimit, deputetët do ta kishin të qartë se çka po votojnë. Dhe do të përcaktoheshin për PO ose JO varësisht rezultatit përfundimtar të negociimit e rishikimit, të përbrendësuar në një marrëveshje të re.
Kështu, siç po raportohet se është arritur aneks marrëveshje për rishikim, gjërat mbesin të mjegullta. Që e bën votën për ratifikim në Kuvend votë bllanko. Prapë, deputetët kërkohet të votojnë për një marrëveshje formën përfundimtare të së cilës nuk ia dinë.
Rinegocimi i marrëveshjes për demarkacion është edhe hap edhe lajm i mirë. Por orari i akteve vendimmarrëse për këtë gjë është edhe i rrezikshëm, edhe i dëmshëm, edhe absurd.
Absurd sepse nuk mund të votohet një marrëveshje e hapur, hapje kjo që vjen për shkak të rishikimit.
E dëmshme sepse mirëmban një praktikë jo institucionale e jo demokratike të votës pa informatat e nevojshme, gjë që i hap mundësi mashtrimit.
E rrezikshme sepse kështu deputetët mund të vendosin t’ia falin atë pjesë të tokës Malit të Zi, madje pa qenë të vetëdijshëm se po e bëjnë një gjë të tillë, e duke menduar që po e votojnë një marrëveshje për kufirin që e mbron integritetin territorial të Republikës së Kosovës.
Më 25 qershor 2015 Kuvendi pati votuar një Rezolutë në të cilën kërkohej, mes tjerash, që:
2. Kuvendit dhe komisioneve përgjegjëse t’u dorëzohen me shkrim: dosja, hartat dhe analizat lidhur me demarkacionin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi.
4. Qeveria të raportojë në Kuvend para miratimit të elaboratit ndërkufitar Kosovë – Mali i Zi.
Komisioni Bulliqi ka konstatuar se komisioni pararendës shtetëror kishte tejkaluar kompetencat për të cilat ishte mandatuar. Qeveria aktuale është dashur që ta konstatoj këtë institucionalisht para çfarëdo veprimi tjetër për demarkacionin.
Po ashtu, në raportin e tyre, Komisioni aktual shtetëror ngrenë dyshime për falsifikim dokumentesh e hartash në procesin e negocimit të shënjimit të vijës kufitare. Këto janë vërejtje dhe shqetësime serioze të cilat nuk mund të tejkalohen me kaq lehtësi. Përgjegjësia penale, politike e institucionale nuk vjetrohet e tejkalohet.