Ymeri: Rrëfimi i Vasfije Krasniqit ishte tronditës
Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Visar Ymeri, ka thënë se rrëfimi i Vasfije Krasniqi-Goodman ishte tronditës.
“Aq më tepër për shkak se Vasfija na tregoi atë që e dinim, e që nuk e kishim guximin ta flisnim si shoqëri. Dhuna sistematike seksuale e ushtruar ndaj shqiptarëve në Kosovë gjatë luftës ka qenë e orkestruar dhe e organizuar nga shteti serb nën regjimin e Milosheviqit (ai të cilin Vuçiqi e quajti Lider me ide të mira). Kjo ka pasur për qëllim ta godas drejtpërdrejt stofin shoqëror në Kosovë”, ka shkruar Ymeri në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se refuzimi i diskutimit për këtë dhunë nuk bën asgjë përveç se e përmbush një pjesë të atij qëllimi.
“Ky refuzim kaq afatgjatë për të diskutuar për këtë krim i ka lënë viktimat e dhunës seksuale në agoninë e përhershme të dhimbjes e vuajtjes si pasojë e këtij krimi. Ne nuk duhet të turpërohemi nga krimet që na i ka bërë Serbia. Për to duhet të insistojmë në drejtësi. Nobeli për Paqe këtë vit i është ndarë Denis Mukwege dhe Nadia Murad për përpjekjet e tyre që ta ndalojnë përdorimin e dhunës seksuale si armë në luftë. Nadia edhe vet është viktimë e dhunës seksuale, ndërsa Denis si gjinekolog është marrë me shërimin dhe risocializimin e viktimave. Ky çmim e sjellë këtë lloj makabër të krimit në qendër të vëmendjes globale”, ka deklaruar Ymeri, raporton “Epoka e re”.
Ai ka theksuar se gjithsesi Republika e Kosovës duhet ta tregojë të vërtetën e vet.
“Duhet të këmbëngulim që për këtë lloj krimi Serbia të jap përgjegjësi të veçantë. Duhet të këmbëngulim që të ketë gjykime e dënime të veçanta. Kriminelët e luftës, e veçanërisht këta lloj kriminelësh, duhen domosdoshmërisht ta marrin dënimin e merituar”, është shprehur Ymeri.
/Epoka e re/