Ymeri: Secili fajtor në rastin Dehari duhet të dënohet
Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Visar Ymeri, i cili në kohën kur ka vdekur Astrit Dehari ka qenë kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka reaguar pas publikimit të raportit të ekspertëve zviceran në lidhje me shkaqet e vdekjes se Deharit.
Ymeri ka thënë se u nevojiten tri vjet për të filluar të zbardhet e vërteta në lidhje me vdekjen e Astritit.
Ai ka theksuar se pa drejtësi për Astritin dhe pa të vërtetën për të nuk ka as drejtësi e as të vërtetë për Kosovën.
“U deshtën 3 vjet që e vërteta të fillojë të zbardhet. Por drejtësia është ende larg. Raporti i Institutit zviceran mes tjerash e vë në pah që hetimi për vdekjen e Astritit është bërë shkel e shko dhe në drejtim të gabuar. Ky drejtim i gabuar ka pamundësuar hetimin e plotë për ta zbardhë të vërtetën. Prokuroria atëbotë ishte e orientuar kah marrëdhëniet me publikun e jo te hetimi, e aq më pak te drejtësia. Pa drejtësi për Astritin, pa të vërtetën për Astritin, nuk ka as drejtësi e as të vërtetë për Kosovën. Secili përgjegjës duhet gjetur. Secili fajtor duhet dënuar”, ka shkruar Ymeri në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/